Genc Fuga: Keqmenaxhimet në teatër, mungesa e vëmendjes ndaj audiencës dhe ajo që bordet fshehin

Publikuar më 10. 01. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Artisti Genc Fuga rrëfehet për teatrin. Ai ndalet tek arritjet edhe problematikat, që kanë shoqëruar teatrin gjatë viteve të fundit. Ndërsa, përsa i përket punës, si pedagog tek Universitetit i Arteve, shprehet se është i vetmi vend që mund të formojë qytetarë

Spektatori është kthyer në teatër, por vëmendja e institucioneve ndaj tij duhet të jetë më e madhe. Në këtë mënyrë nuk do të ketë më keqmenaxhim, sikundër ka ndodhur deri më tani. Në një intervistë për gazetën “Shekulli” artisti Genc Fuga konstaton këto, por jo vetëm, si problematika kryesore, që hasen çdo ditë në teatër. Bordet artistike i konsideron “institucione”, të cilat fshehin protagonizmin individual. Ndërsa, përgjegjësia e tyre për miratimin e pjesëve, të debatueshme, duhet të jetë më e madhe. Nuk mjafton me kaq, por Genc Fuga shton se në këto borde nuk ka individë, të cilët dinë të zbërthejnë një pjesë të shkruar, nëse është apo jo për t’u ngjitur në skenë.

Zoti Fuga, si ka qenë për ju sezoni artistik, që lamë pas në teatrot kryesorë (TK, Metropol dhe TKES). A janë plotësuar pritshmërit tuaja, si spektator, por jo vetëm?

Në rast se flasim, se çfarë ka parë audienca e Tiranës në përgjithësi, duhet që të ndalim tek teatrot, që kanë ambiciet e veta në këtë treg, po kështu edhe tek projektet e mbështetura nga Ministria e Kulturës, që i serviren kësaj audience, por pse jo edhe më gjerë. A është në nivelin e pritshmërive tona? Kemi kaluar prej vitesh një fazë shumë të rrezikshme, që mund të konsiderohet mbijetesa e teatrit. Mund të them me bindje se spektatori u kthye në teatër. Tani mbetet që të analizohet në shumë pikëpamje, se çfarë do të bëhet me këtë audiencë, që mirë apo keq ka qenë e rastësishme.

A është kthyer teatri në zakonin e familjeve shqiptare? Po, jo, ndoshta! Nuk e di! Cilat janë drejtimet, që vajtja në teatër të bëhet vërtet një zakon, apo siç e kam unë dëshirë ta quaj konsultimin e mendimit të audiencës, me mendimet e regjisorit edhe aktorit. Kjo është pse-ja, përse shkohet në teatër! Nuk bëhet fjalë vetëm për argëtim. Vetë, si person mendoj se ka pasur prodhueshmëri dhe audiencë, por veprat artistike duhet të kenë një hap më cilësor, kundrejt kërkesave të audiencës. Audienca është sa e mirëpritur, po aq edhe e rrezikshme! Mund të jetë shumë spontane, mund të jetë shumë besnike, por duhet të merret parasysh. Ndiej se në këtë pikëpamje disa institucione nuk është se kanë qenë të vëmendshëm kundrejt saj.

Si e vlerësoni faktin, që tashmë disa shfaqje mbështetën jo vetëm nga Teatri Kombëtar, por edhe nga MK? A është kjo një ndarje e punës së TK-s me MK-n? Dhe a duhet që këto shfaqje, që vijnë nga jashtë TK, të pranohen bazuar mbi kritere të forta?

Kemi një handikap shumë të madh, sepse kemi buxhete të teatrit që rriten në bazë të përqindjeve q[ rritet GDP-ja, por kemi dhe handikapin, që fasilitetet teatrore janë gjithnjë dhe më tepër të limituara. Kemi projekte; të mbështetura nga MK, TK, TKES, Metropol, iniciativa private etj., por fasilitetet skenike nuk përballojnë një rritje të tillë të kërkesës për teatër dhe të përtypjes së teatrit. Në këtë situatë, patjetër që ka keqmenaxhime. A kanë të drejtën e ekzistencës projektet e mbështetura nga ministria? Sigurisht, që e kanë!

A duhet që të jetë destinacioni i tyre gjithmonë Teatri Kombëtar?! Nuk e shikoj të domosdoshme. A mund të ishin në mbështetje të ministrisë dhe projektet shëtitëse në rrethe? Patjetër, që duhet të ishin të tilla, përderisa MK e ka marrë përsipër, që të mbështesë këtë për thithjen e audiencës, jo vetëm në Tiranë, por kudo, sepse MK nuk funksionon vetëm për Tiranën. Në këtë drejtim TKES me iniciativën e tij ose jo, ka udhëtuar me shfaqjet e veta, për t’i dhënë një trajtë mbase rajonale apo edhe kombëtare teatrit.

Këtë dyndje të projekteve të menduar, ose jo të vlerësuar nga ministria e shikoj më shumë, si një lloj mundësie që institucioni të luajë një lojë të rrezikshme me audiencën e vet besnike, edhe njëkohësisht të bëjë lojëra të mirëmenaxhimit ose jo të buxheteve. Në fund të ditës, projektet që dynden në skenën e TK-së nuk bëjnë gjë tjetër, veçse i lejojnë TK-së, që të shpenzojë pastaj lekët apo projektin buxhetor në projektet e tij më të mëdha. Këtu ka vend për debat! Duhet që gjithsecili të ketë në vëmendje dhe kujdes me sjelljen që bën ndaj audiencës. Është kërkesa e saj që na mban, jo vetëm si aktor dhe regjisor, por edhe si institucion.

Rol të rëndësishëm për këtë luajnë dhe bordet artistike…

Bordet?! Kam pikëpyetjet e mia për bordet.

Megjithatë, prej tyre vendoset nëse një vepër duhet të ngjitet në skenë apo jo…

Është e vërtetë që janë disa borde, të cilat miratojnë projekte. Njëri nga bordet këshillimore është i TK-s, tjetri pranë MK-së. Bordet në pikëpamjen time i shikoj që janë “institucione”, të cilat fshehin protagonizmin individual. Bordet nuk kanë arritur të japin llogari për projektet që miratojnë. Kjo është e pasqyruar në ligj dhe rregullore. Mirëpo, unë e shikoj të pamundur, që të bësh një punë dhe të mos japësh llogari për të. Këtë e them, sepse është përgjegjësia e bordeve, që kanë miratuar pjesë të debatueshme. Është përgjegjësia e bordeve, qoftë edhe për miratimin e shpërndarjen e financave. Është një “institucion”, që fsheh protagonizmin individual të ekzekutuesve përkatës, si në MK ashtu dhe në TK. Mirëpo, qoftë dhe për rekomandimet apo jo, duhet të mbash përgjegjësi për to. Sa është pjesë e këtyre bordeve komuniteti artistik? Nuk di që të kemi ndonjë individë në bord që është i lidhur me skenën, aq sa të zbërthejë atë që është shkruar. Ne këtë e trajnojmë në shkollë tek Universiteti i Arteve. Duhet që të jetë një kod i caktuar skenik, por nuk e di nëse anëtarët e bordit janë mësuar me terma të këtilla, që mund t’i marrë në shqyrtim për të panoramuar shfaqjen e ardhshme, para se të thotë: “Kalon apo jo kjo shfaqje”. Nuk mundet që të fshehim përgjegjësinë tonë, në momentin që themi: “Hë mo ç’i dhamë, pesë lekë i dhamë”. Mbështetja për çdo projekt, rreth 3, 4 apo 6 mln, nën “logon” e buxheteve të vogla, sikur ka gjetur rehat, aq sa thonë: “Epo mirë, kemi mbështetur dhe tituj, e mbase persona, që nuk duhet të ishin mbështetur. Por pak lekë kanë qenë”.

A duhet që të kenë filtra këto borde, apo siç i quajtët ju këto “institucione” kulturore?

Patjetër, duhet të fillojnë të kenë filtër të rëndësishëm, kualitetin. Tashti nuk kemi, sepse mungon arsyeja, përse të vësh filtër. Por, po sjell edhe njëherë në vëmendje se, audienca është gjithmonë aty ka qenë, por në rast se kemi pasur një qëllim apo një logo:“Eja në teatër”. Tashmë ne kemi ardhur në teatër. Çfarë na servir teatri? Me këtë duhet të bëjmë shumë kujdes, sepse njerëzit siç erdhën mund të ikin sërish.

Cila është ajo shfaqje që keni parë gjatë vitit që lamë pas dhe ju ka lënë mbresa, aq sa do dëshironit ta shihni sërish?

Një pjesë e mirë e shfaqjeve, që do t’u rikthehesha, sepse më kanë lënë mbresa i gjej jashtë programeve të mbështetura 100 për qind nga buxhetet e teatrove. Por, kjo nuk do të thotë, që borde të caktuar mbështetur nga MK kanë funksionuar, sepse përpara se të shikoj një shfaqje shoh dhe listën e sponsoreve. Përherë e më tepër kemi sponsorë jashtë institucioneve të kulturës. Kjo më gëzon! Vijnë ballafaqohen me publikun vepra shumë të mira, që gati-gati si kometa çorodisin gjithë opinionin dhe pastaj largohen, pa shkaktuar asgjë. Nuk qëndrojnë! Çfarë duhet bërë që spektatorët të mos thonë: “Mos, e humba përfundimisht një vepër të caktuar”. Nuk e di! Mbase një qasje tjetër ndaj politikave të institucioneve. Në një moment të caktuar apo jo, në rast se do të marrim mënyrën, se si veprohet me teatrot kombëtarë botërorë, patjetër që kemi shfaqje të origjinuara nga teatrot e tjerë që i serviren tashmë audiencës, si të tillë dhe marrin e huazojnë dhe audiencën e TK-s apo teatrove të tjerë të konsoliduar. Teatrot janë konsoliduar në bazë të audiencave. Kjo është e prerë. U takon menaxherëve të këtyre institucioneve, që të jenë më delikatë me audiencat e tyre. Në konceptin tim kemi një ambient teatror, (TK dhe Metropol) po flas si lokacion, aty ku kanë qene të përqendruara audiencat. Për shembull, përse kemi dy stadiume në Tiranë? Edhe nuk kemi vetëm një të madh. A ta bëjmë pallate stadiumin “Dinamo”. Po, jo, ndoshta. Por jo, se ka audiencë. A është nevoja për një stadium tjetër meqenëse jemi një milion banor? Në këtë logjik, ne jemi shumë mbrapa!

Na mungojnë edhe teatrot privatë…

Jo, jo! Jemi në një gjendje akoma më dramatike. Qeveritë që kanë drejtuar këto vite me statistika kanë bërë shumë për teatrin, por duhet bërë korrigjimi i vendimit, që është marrë në vitin 1938. E thënë ndryshe, godina e teatrit i përket vitit 1938. Më pas nuk kemi pasur asnjë lloj investimi qenësor në teatër. Edhe teatri i Metropolit, që më pas u bë teatër bashkiak nuk i plotëson parametrat evropianë. Këto godina janë për 40 mijë banorë, ndërsa ne duhet të kemi një sallë me më shumë se 1200 vende. Ne kemi afro një sallë me 500 vende për 1 mln banor. Ky është një gabim i trashëguar, që kërkon një qasje tjetër, një investim radikal. Nuk mundet të qëndrohet në një teatër kurrsesi, që pastaj të themi se ka audiencë, sepse ka edhe pjesë teatrore që qëllojnë jo të mira, por që nuk na bien në sy, sepse nuk jemi audienca e dedikuar e ndaj tyre. Megjithatë, në 1 mln banor duhet të gjenden 300 veta për ta shijuar atë pjesë.

Ndërkohë, si pedagog tek UA në degën e “Regjisë”, sa optimistë i shihni artistët e rinj rreth situatës së krijuar?

Do të them dy aspekte të UA-së: E para, jemi i vetmi institucion që funksionuam në vitin 1997, kur e gjithë Tirana ishte në kaos. E dua këtë shkollë, sepse është e vetmja shkollë, që mund të formojë qytetarë. Kemi prurje shumë të mira, por duan inkurajim. Mos të harrojmë se pedagogët e shkollës ecin me hapat e kohës. Përpos një tendence që mund të kenë disa teatro, me krenari them: Po, në UA jemi përshtatur me kërkesat e reja! Është një shkollë, që me dy dërrasa dhe një zemër të madhe bën teatër.

Çfarë mund të bëhet më tepër?

Shumë herë më tepër, si nga Ministria e Arsimit, por dhe nga MK. Jetojmë në kohë të rrezikshme, ku institucione apo persona të huazojnë, të marrin fjalën, tekstin tënd. Më vjen mirë, që Ministria e Arsimit ka futur lëndën e teatrit në disa shkolla të nivelit 9-vjeçar apo edhe në të mesmen. Por nuk përkrah faktin, që kjo lëndë të jetë me nota. Më kryesorja, të cilën unë nuk mundet ta pranoj është që lëndën e teatrit ta japë një mësuese letërsie, qoftë për të plotësuar orët e saj, qoftë në mbështetje me ligjin, fokusi duhet të jetë më tepër te studentët, që dalin nga UA.

A është bërë një përpjekje e tillë?

Sigurisht! Ne po ndryshojmë kurrikulat, që ata të jenë të aftë për të dhënë këtë lëndë në mbështetje të MA-së, por lënda e teatrit nuk do notë.

Çfarë pret që të sjellë 2018-a në teatër?

Së pari, pritet mbarimi i mandateve të drejtuesve kryesorë. Kjo është një pikë shumë e rëndësishme, sepse edhe MK do të ketë kohën e mjaftueshme për të reflektuar kundrejt nevojave të reja dhe menaxhimit teatror.

Pra, keni menduar të prezantoni një projekt tuajin, si drejtues?

Unë projekte kam pasur gjithë kohës (qesh). Por, e shikoj ndryshe. Sigurisht, që mendimet se si mund të menaxhohet hapësira skenike janë të ndryshme jo vetëm nga unë, por edhe nga artistët e tjerë. Por, varet se cilat do të jenë qëllimet e MK-së. Nëse MK ka një fokus të qartë, ne do t’i përgjigjemi kundrejt asaj që do të kërkojë. A kam ide? Patjetër që kam! A janë ambicioze? Patjetër që janë! Në këtë rast roli i individit është shumë i madh. Në jetën e përditshme themi: “Filani bëhet, ose nuk bëhet drejtor i një drejtorie? Apo ky e bën dhe ky nuk e bën dot”. Që në këtë moment ne kemi një institucion, që puqet me rolin e individit. Në këtë këndvështrim them se institucionet nuk janë ende të konsoliduara dhe kanë nevojë për pjesëmarrje të fortë të individit në bazë të shijeve, punës, mendimit etj. Ndër qëllimet kryesore është të rritet atraksioni i teatrit, duke përfituar buxhete më të larta financiare, por jo vetëm nga Ministria e Kulturës.