Gati aplikimet për rivlerësimin e pronave, amnisti edhe për banesat në proces legalizimi

Projekti i qeverisë parashikon rivlerësim për 50 mijë apartamente deri në 30 gusht 2020. Si do të ndikojë shembja dhe dëmtimi i 10 mijë njësive të banimit nga tërmeti i 26 nëntorit. Dy mënyra për aplikimin dhe lehtësitë fiskale

Neritan Gjergo

Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme, një nismë e cila do të ndërmerret sërish nga qeveria gjatë muajve në vijim tashmë është konkretizuar si projekt dhe pret vetëm votat në parlament. Projektligji dhe dokumenti që e shoqëron atë ka kaluar në Kuvend. Skema parashikon një përftim të ndërsjellë, si për qytetarët, ashtu edhe për buxhetin e shtetit. I propozuar nga deputeti Arben Ahmetaj, pas kalkulimeve të bëra, projekti vlerësohet, të ketë 6 miliardë lekë efekte financiare bruto në të ardhurat e buxhetit të shtetit për vitin buxhetor 2020. Duhet theksuar se ky projekt, edhe pse është publikuar pas tërmeti të 26 nëntorit, në parashikim fillestar ka përshkruar se  procesit të rivlerësimit mund t’i nënshtrohen rreth 50 mijë banesa. “Llogaritja e efektit është bërë bazuar në numrin e banesave dhe pagesën mesatare të bërë nga individët në rivlerësimin e periudhës 2011-2013 dhe 2016-2017”, thuhet në relacionin që shoqëron projektligjin. Por, ky parashikim mund të zbresë në shifra, për shkak se janë afro 10 mijë njësi banimi (pallate dhe shtëpi), një pjesë e të cilave janë shembur dhe pjesa tjetër ka pësuar dëmtime serioze.

Risitë e projektit të ri

E drejta për të bërë rivlerësimin e pasurisë, i jepet çdo individi apo familjeje që ka një apartament të hipotekuar, ndërsa me propozimin e ri, të drejtën për të bërë rivlerësim e kanë edhe individët që kanë banesa në proces legalizimi, si dhe ata që disponojnë kontratë sipërmarrjeje ose porosie dhe që janë në proces legalizimi dhe regjistrimi të pasurisë sipas legjislacionit në fuqi. Aplikimi për të përfituar nga amnistia do të nisë në momentin që ligji do të hyjë në fuqi dhe do të zgjatë në kohë deri më 30 gusht 2020. Ka dy forma për të vlerësuar banesën në vlerën e tregut. Së pari, rivlerësimi mund të bëhet nga një ekspert i licencuar për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme nga institucionet përkatëse ose nga zyrat vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Dy mënyrat

Në rast se individi zgjedh që të bëjë rivlerësimin me një ekspert të licencuar, atëherë aplikimit të tij për rivlerësim të pasurisë se paluajtshme i bashkëlidh edhe aktin e vlerësimit të ekspertit. Sipas këtij varianti, zyrat vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës përllogarisin: a. bazën e tatueshme, e cila llogaritet si diferenca ndërmjet vlerës së pasqyruar në akt-ekspertimi, e cila nuk mund të jetë më e vogël se çmimet minimale fiskale, dhe vlerës së pasurisë të aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar për të cilën është paguar tatimi; b. tatimin që duhet të paguajë individi për ta regjistruar këtë rivlerësim. Me zgjedhjen dytë, pra me rivlerësimin pranë  ASHK-së, me çmimet minimale fiskale në fuqi, fakti do të shprehet në formularin që i bashkëlidhet aplikimit. Sipas këtij varianti, zyrat vendore të ASHK-së, përllogarisin: a. bazën e tatueshme, e cila llogaritet si diferenca ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi me çmimet minimale fiskale në fuqi dhe vlerës së pasurisë te aktit te regjistruar ose vlerës së rivlerësuar, për të cilën është paguar tatimi; b. tatimin që duhet të paguajë individi për ta regjistruar këtë rivlerësim. Në rastet kur pasuria e paluajtshme rezulton e regjistruar pa një kontratë shitjeje, atëherë, si vlerë regjistrimi, në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, konsiderohet vlera e çmimeve minimale fiskale në rastin e regjistrimit të aktit të fitimit të pronësisë. Tatimi që paguhet për regjistrimin e këtij rivlerësimi është 3% e bazës së tatueshme.

Shembuj përftimi

Nëse unë sot kam një shtëpi të regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive së Paluajtshme me vlerën kur ajo është ndërtuar, le të marrim si shembull 1 milion lekë. Në rast se unë do ta shes sot këtë shtëpi dhe vlera e tregut e kësaj shtëpie është 10 milionë lekë, atëherë unë duhet të paguaj tatimin për fitimin tim kapital, që është 10 milionë – 1 milion = 9 milionë lekë. Në vlerën që është sot tatimi 15 për qind për këtë fitim, qytetari i paguan shtetit detyrim 1 milion e 350 mijë lekë. Në rast se unë shfrytëzoj ligjin për rivlerësimin e pasurive, për atë pasuri që është e regjistruar me 1 milion lekë. Sipas shembullit, godina do të vlerësohet e regjistruar me vlerë 10 milionë lekë, nga ku do të paguhet 2 për qind tatimfitim nga diferenca e vlerësimit të çmimit. Pra, një qytetar sot do të paguajë tatimfitimin për diferencën e rivlerësimit, 10 milionë-1 milionë = 9 milionë x 2% baras me 180 mijë lekë. Fitimi i qytetarëve është 1 milion e 170 mijë lekë. Nëse këtë godinë unë do ta shes pas 1 muaji 10 milionë lekë e 500 mijë lekë – 10 milionë lekë që është vlera e regjistruar e saj, fitimi kapital në këtë rast del zero, apo shumë minimale. Kjo është ajo për të cilën kanë interes qytetarët. Të njëjtën formulë kemi zbatuar për biznesin, por pagesa që do të bëhet për rivlerësimin e banesave do të jetë 3 për qind.

Statistika në vite

Procesi i rivlerësimit të pasurisë dhe taksimi i tij me 1 % gjatë viteve 2011-2013 u bë për 95 mijë pasuri dhe gjeneroi në buxhet 4 miliardë lekë, ndërsa procesi i rivlerësimit të pasurisë dhe taksimi i tij me 2% gjatë viteve 2016-2017 u bë për 63 mije pasuri dhe gjeneroi 5,1 miliardë lekë në buxhet. Ndërkohë, si rezultat i procesit të rivlerësimit, do të reduktohen të ardhurat nga tatimi mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për periudhën e rivlerësimit dhe me tej. Ky efekt ne uljen e të ardhurave nga ky tatim do të ishte -2 miliardë lekë. Pra, efekti neto në të ardhurat e buxhetit të shtetit do të ishte 6-2= 4 miliardë lekë.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet