
Pedagogia e gjuhësisë në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Elsa Skënderi Rakipllari thotë për “Shekulli”-n se rritja e mesatares për të garuar në universitet shoqërohet me disa problematika. Sipas saj, nxit fiktivitetin, rrezikon mbylljen e degëve në rrethe dhe orienton të rinjtë në studimet profesionale
Enida Vërça
Një Vendim i Këshillit të Ministrave, ka vendosur të rrisë mesataren për të vazhduar studimet e larta, në vitin e ardhshëm akademik. Për t’u pranuar në universitete, si në ciklin Bachelor dhe Master, mesatarja shkon nga 6,5 në 7. Ndërsa për të vazhduar mësuesi, studentëve u duhet ta kenë mesataren 8 e lartë. Pedagogia e gjuhësisë në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Elsa Skënderi Rakipllari, komenton për “Shekulli”-n këtë ndryshim, i cili sjellë disa problematika. Pedagogia shprehet se rritja e mesatares do të ndikojë në rritjen e fiktivitetit. “Ky vendim, shpesh shoqërohet me rritje të fiktivitetit në vlerësimet gjatë shkollës së mesme. Shpesh, me idenë për të mos i penalizuar më vonë për në universitet, ndodh që mësuesit të tregohen më tolerantë në vlerësimet e tyre për nxënësit. Për pasojë mesatarja e lartë shoqërohet me një dozë të shtuar të fiktivitetit”, bën me dije pedagogia.
Degët
Në fjalën e saj Rakipllari ndalet edhe te ndikimi në mënyrë të drejtpërdrejt i degëve të mësuesisë, të cilat preken më së shumti nga këto ndryshme. “Një student me notë mesatare mbi 8, gjasat janë që të mos dojë të studiojë për mësues Matematike, Gjuhë-Letërsie apo Biologjie. Në vend të mësuesisë ai mund të zgjedhë respektivisht inxhinieritë, Drejtësinë apo Mjekësinë, profesione këto që priren të jenë më të mirëpaguara. Është i njohur fakti që sistemi ynë parauniversitar ka nevojë për mësues shumë të mirë, por qasja në këtë drejtim është e gabuar”, sqaron pedagogia. Sipas saj, kërkesa për një mesatare të tillë mund të çojë edhe në mbylljen e disa degëve kryesisht në universitetet e rretheve dhe vë në diskutim ekzistencën e shumë degëve dhe madje edhe të universiteteve të rretheve. “Vendosja e notës mesatare mbi 8 si kriter për t’u pranuar në mësuesi në fakt i godet drejtpërdrejt fakultetet e degët e mësuesisë duke i çuar drejt mbylljes dhe nuk është zgjidhja që do të na japë mësues më të mirë”, deklaron ajo. Për këtë arsye, ajo thotë se do të ishte më e udhës që vetë universitetet të vendosnin për formën dhe kriteret e pranimit të studentëve të ardhshëm.
Cilësia
Një aspekt pozitiv sipas Rakipllarit në rritjen e mesatares, është rritja e cilësisë së kontingjentit hyrës në fakultete. “Teorikisht supozohet se nxënësit më të mirë do të kenë mundësi të ulen në aulat universitare”, thotë ajo, teksa shton se një pjesë e nxënësve mbeten të përjashtuar, duke u orientuar në studimet profesionale. “Së pari, nëse një student nuk bëhet pjesë e universitetit, jo detyrimisht do të ndjekë studimet profesionale. Ç’ka do të thotë se ekziston mundësia që individi me notë mesatare më të ulët se ajo e përcaktuar nga qeveria, të mos ndjekë më studime të tjera, përtej shkollës së mesme. Nëse kemi parasysh statistikat, Shqipëria është pas vendeve të zhvilluara për numrin e individëve që kanë arsim të lartë. Ndaj nuk është se nuk kemi më nevojë si shoqëri për njerëz me shkollë të lartë”.
Sugjerime
Në këtë analizë, pedagogia sugjeron se disa rrugë që mund ta bënin tërheqëse degën e mësuesisë dhe një alternativë zgjedhjeje nga të rinjtë është rritja e pagës. “Rritja e pagave të mësuesve, (në mënyrë të tillë që duke qenë arsimtar të mund të kesh një jetë dinjitoze falë pagës që merr), subvencionimi i tarifës së studimit (plotësisht ose pjesërisht) nga qeveria për të shtuar kërkesat për degët e mësuesisë, lehtësi të tjera falë statusit si mësues etj”, këshillon ajo. Edhe implementim i modeleve të huaja, do e rriste kërkesën për një degë të tillë. “Do të ishte e udhës të merreshin modelet e vendeve me sisteme arsimore si Finlanda dhe të shihej si veprohet atje për degët e mësuesisë. Një gjë është e qartë, çelësi i suksesit nuk qëndron vetëm në rritjen e notës mesatare, por në përzgjedhjen e një qasjeje sa më serioze dhe përfshirëse për ta reformuar sistemin arsimor në vend, pa zhbërë traditën arsimore ekzistuese”, përfundoi Rakipllari.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply