Gara në Tiranë/Një  grua fituese e Konkursit Ndërkombëtar të Dirigjentëve

Deliana Lazarova dirigjentja fituese e NRTA Conducting Competition.

Pas drejtimit të tre konkurrentëve  juria e përbërë nga personalitete ndërkombëtare të botës nderoi mbrëmë në Tiranë me çmimin e parë dirigjenten Delyana Lazarova.

Delyana, është një dirigjente e re në moshë, por me një eksperiencë në drejtim me orkestra të rëndësishme si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Europë e Azi. Ajo është përzgjedhur si dirigjente edhe në Festivalin Aspen Music që do të zhvillohet gjatë këtij viti.

E  emocionuar Delyana  falenderoi të gjithë muzikantët e Orkestrës së RTSH-së duke shpresuar që të rikthehej sa më shpejt që të drejtojë një koncert të vërtetë me këta artistë të jashtëzakonshëm. Gjithashtu , Lazarova vlerësoi edhe kolegët e saj dirigjentë.

Kryetari I jurisë, Mjeshtri I Madh Zhani Ciko u shpreh se për jurinë ishte shumë e vështirë të merrte vendim kur ke të bësh me talente të tilla ,ndaj çmimin e dytë juria  e ndau midis Andrew Joon Choi dhe Ji Yujue.

Nga data 2 deri më datë 4 Mars 75 dirigjentë nga 35 shtete të ndryshme të botës drejtuan Orkestrën Sinfonike të RTSH-së , e cila ka marrë vlerësimet maksimale nga të gjithë personalitetet e muzikës që kanë bashkëpunuar me të. Po ashtu me nota maksimale kanë vlerësuar muzikantët e kësaj orkestre edhe juria e cila kishte në përbërjen e saj emra të muzikës botërore.

RTSH dhe Orkestra  Sinfonike  përmbyllën me sukses të premten e 8 Marsit një ngjarje të madhe artistike. Një konkurs unik për Shqipërinë , por jo për arenën ndërkombëtare muzikore. Tashmë NRTA Conducting Competition është listuar në konkurset ndërkombëtare , fakt ky që e bën Shqipërinë një faktor të rëndësishëm në zhvillimin e muzikës serioze.

Pas përballjes së 10 gjysmëfinalistëve në skenën e Universitetit të Arteve , për në natën finale u përzgjodhën 3 finalistë : Andrew Joon Choi- Korea e Jugut, Ji Yujue- Kinë dhe Delyana Lazarova –Bullgari.

Juria e konkursit:

Zhani Ciko – Mjeshtër I Madh

Vittorio Parisi – Dirigjent, Docent në Konservatorin G.Verdi ,Milano.

Bernt Bauge- Menaxher I Filarmonisë së Bergen, Norvegji

Gyorgy Igric –Drejtor Artistik I Orkestrës Sinfonike të Radios, Hungari

Maurizio Cocciolito –Drejtor Artistik I Solisti Aquilani

Kujtesa ndaj kompozitorit tonë të shquar Nikolla Zoraqi e bëri edhe më domethënës këtë konkurs nderkombetar, ku një nga veprat e tij emblemë e cila ka korrur sukses jo vetëm brenda vendit kur është interpretuar, por edhe jashtë saj, duke sjellë  kështu shpirtin kombit tonë nëpërmjet harmonisë dhe melodisë. Uvertura festive është luajtur 3 herë nga dirigjentë të kombësive të ndryshme, në 3 forma të ndryshme dhe nga një orkestër e vetme.

Përveç, Uverturës Festive të Zoraqit,  3 finalistët drejtuan dhe nga një kohë nga sinfonitë e kompozitorëve të mëdhenj si Dvozhak, Brams dhe Shuman duke spikatur kështu në stilin dhe karakterin e gjithësecilit .

Finalja e madhe e këtij konkursi u transmetua direkt nga RTSH MUZIKË, kanal I dedikuar muzikor në tërësi, por që tregon një kujdes të veçantë ndaj muzikës serioze si një vlerë e jashtëzakonshme në ushqimin shpirtëror .

RTSH ndërmori këtë nismë kurajoze për të realizuar një ngjarje të përmasave kaq te mëdha, ne bashkëpunim edhe me Classics Management , duke dëshmuar se i përgjigjet kërkesave te publikut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet