Fuqia e këngëve dhe “protesta” fine e Krastës: Fjalët s’na i kanë hequr

Foto 1 nga 4 Pas Para

Valeria Dedaj

Për natën e dytë të Festivalit 56 të Këngës e ftuara, që prezantoi konkurrenten e parë ishte Zhaklina Dhimojani Blattler, protagonistja e “Mimoza llastica”, tanimë një zonjë e bukur dhe elegante. E ashtuquajtura “Angelina” shqiptare ftoi në skenë Orgesa Zaimin. “Ngrije zërin”, jeto i lirë, pa frikë dhe limite është ky mesazhi i Olti Currit që me muzikën e Briz Musaraj sollën nëpërmjet një interpretimi të denjë një nga këngët më interesante në konkurrim. Me simpatinë dhe humorin e Enkel Demit është prezantuar kënga e dytë në konkurrim. Denisa Gjezo mbrëmjen e së premtes erdhi, si “lady in black”, me një këngë dashurie shumë të ndjeshme.

Kishin premtuar se Gjakova sot “do të pushtonte” Tiranën, me një “Tjetër jetë”. Një pushtim i ëmbël i grupit “NA” dhe Festina Mejzinit që publiku i vlerësoi, duke i rikthyer në skenë. Dukej gati hyjnore Klea Huta veshur në lejla, ndërsa prezantoi konkurrenten e radhës Lorela Sejdinin. Këngëtarja e re i këndon dashurisë “Pritëm dhe pak”, me një tekst të mrekullueshëm nga Ylli Limani. E ftuara tjetër speciale ishte këngëtarja e mirënjohur Aurela Gaçe. Më në formë se kurrë këngëtarja pushtoi menjëherë skenën, fillimisht “E pafajshme” dhe më pas, duke kënduar plot energji “Me jetën dashuruar” , këngë me të cilat pati fituar çmim e tretë në Festivalin e 37-të dhe të 35-të të Këngës.

Më pas në Festival fuqia e protestës rebelohet me fjalë dhe art. Adi Krasta, vazhdon komunikimin e drejtpërdrejtë me publikun, atmosfera bëhet edhe më intriguese, ndërsa ai përpiqet me finesë “të rizgjojë” në ta dëshirën për të ngritur zërin për të drejtat e tyre pasi sipas showman-it “nuk është luks të protestosh  për një kauzë, por përgjegjësi”. “Fjalët nuk na i kanë hequr kurrë” vijon më tej prezentatori, duke nënvizuar se është neglizhenca ajo që i bën njerëzit të përulur. Baleti modern i bashkohet shpirtit të rebeluar, duke kompletuar panoramën. Fjalë, muzikë dhe balet në protestë, pasi kjo është fuqia e artit!

Christian Panuçi: Skuadra shqiptare do të jetë protagoniste në kampionatet evropianë që do vijojnë

Nuk munguan protagonistët nga bota e sportit. Trajneri i Kombëtares, Christian Panuçi rrëfeu se po krijon një skuadër të bukur dhe me kurajo, madje ai premtoi se skuadra shqiptare do të jetë protagoniste në kampionatet evropianë që do vijojnë. Trajneri theksoi se me rëndësi për të është që të ketë “një skuadër të lirë që duan të luajnë futboll”. Ndërkaq Krasta plotësoi dyshen e trajnerëve italianë të kombëtares, duke bërë pjesë të spektaklit edhe “dashurinë e vjetër” që bëri shqiptarët të ëndërrojnë, Giani De Biasi-n.

Inis Gjoni dhe Gazmend Gjoka kanë prezantuar mbrëmjen e djeshme këngëtaren e re Artemisa Mithi. Pas “Gjeniut të vogël” dhe “The voice” këngëtarja shpalosi talentin e saj dhe zërin e kulluar me “E dua botën”. Kastriot Çaushi pas batutave të këndshme me Adi Krastën prezantoi këngën ritmike të Ergi Bregut “Bum bum”, tekstin e së cilës e ka krijuar po vetë. Elegante si ngaherë Ema Andrea, në skenën e Pallatit të Kongreseve prezantoi këngën “Divorci”, për të cilin ajo thekson “se është një fund por ndryshe nga vdekja edhe një rifillim i ri”. Poezi e ndjerë dhe e kënduar mjeshtërisht nga Akullthyesit dhe Armand Dubali. Siç e kishte premtuar gjatë natës së parë Krasta këndoi mbrëmjen e kaluar “Canzone” të Don Bacy-t një dedikim për Shaqir Krastën dhe Mentar Darovën.

Adelina Ismaili: Të mos këndoj këtu do të ishte si një vetëvrasje artistike

Vitet kanë ndalur në vend për Adelina Ismailin, e cila zbukuroi skenën me elegancën dhe sinqeritetin e saj. Ndërkohë që në këtë ngjarje të madhe muzikore ajo sqaroi se distancimin me performancat e ka pasur përsa i përket club-eve etj, ndërsa shton se “Të mos këndoj këtu do të ishte si një vetëvrasje artistike”, duke vlerësuar magjinë e kësaj skene. Këngëtarja performoi edhe pak nga kënga që pati një performancë “revolucionare” në 97-ës, “Zemrën nuk ta fal”, e cila u mirëprit nga publiku.

Brilante në skenë ne një duet të mrekullueshëm, Flaka Krelani dhe Kejsi Tola sollën “Ëhen you Belive” të Whitney Houston. Një performancë emocionuese ajo e Xhesika Polos, e cila solli kësaj here një bashkëpunim me vëllain e saj Markon, i cili ka krijuar muzikën për një dashuri që zgjat “Përjetë”.

Edhe pse ajo shoqëron çdo ditë pasditet e shqiptarëve me programin e saj, duhet të pranojmë se na kishte munguar ta shikonim në një skenë me përmasa të mëdha. Ishte e mrekullueshme, Rudina Magjistari mbrëmë dhe tepër e hijshme teksa prezantoi një nga këngët më të bukura të këtij edicioni. Zëri zhevahir I  Inis Nezirit, u mirëprit mbrëmë me “Piedestal”.  Konkurrimi vijoi me një këngë tepër të ndjeshme, të prezantuar nga Rezana Çeliku. Djaloshi i talentuar Tiri Gjoci sjell një projekt që ka muzikalitet e jetë, tekstin e së cilës e ka krijuar po ai. “Orë e ndalur”, është një këngë që vjen si një pikturë tingujsh e fjalësh, duke të lënë gjurmë në kujtesë. Konkurrimi mbyllet me “Lynx”, të cilët sollën këngën “Vonë” me një performancë, që krijoi nja atmosferë energjike dhe që u prit ngrohtë nga spektatorët.

Finalistët e Festivalit

1. “E dua botën”, Artemisa Mithi
2. “Sytë e Shpirtit”, Bojken Lako
3. “Zemër ku je”, Denisa Gjezo
4. “Fjalët”, Elton Deda
5. “Mall”, Eugent Bushpepa
6. “Piedestal”, Inis Neziri
7. “Unë”, Mariza Ikonomi
8. “I njëjti qiell”, Manjola Nallbani
9. “Tjetër jetë””, grupi Na dhe Festina Mejzini
10. “Ngrije zërin”, Orgesa Zaimi
11. “Ekziston”, Redon Makashi
12. “Ra një yll”, Rezarta Smaja dhe Luiz Ejlli
13. “Orë e ndalur”, Tiri
14. “E pamundur”, Voltan Prodani

Cocciante, krijoi një minispektakël të vërtetë “Sanremo”-je, në Festivalin e Këngës

Festivali i këngës startoi natën e së enjtes mbrëma. Ndryshe nga prezantimet klishe të spektakleve e programacioneve televizive, ku përgjithësisht fokusi bie në aspektin vizual, duke u distancuar nga realiteti apo ngjarjet aktuale Adi Krasta zgjodhi të çelë këtë edicion, duke komunikuar drejtpërsëdrejti me publikun. Në monologun e tij hyrës, ku ai u përpoq të përfshinte spektatorët në këtë ngjarje të rëndësishme muzikore, por edhe për artin në tërsi, Krasta me elegancën që e karakterizon ceki disa nga problematikat kryesore të vendit tonë, natyrisht pa lënë jashtë vështirësitë e hasura për të krijuar Festivalin e 56 të Këngës, që mund të thuhet pa mëdyshje se është një “rilindje” përsa i përket këngëve pjesëmarrëse në radhë të parë, por edhe organizimit në tërësi.

Vështirësitë për artistët kanë qenë më së shumti teknike, duke përmendur këtu sistemin e ngrohjes, siç thekson edhe Krasta me nota humori “Pallati më në fund ka hapur ngrohjen pasi dje kemi prerë gozhdë të distancave të ndryshme”. Edhe pse në fakt pas kuintave gjendja ishte e njëjtë. Një nga problematikat më kryesore, ishte pozicionimi i Orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar. Aq sa një vendosje e tillë u krijonte vështirësi dirigjentëve të komunikojë paralelisht me këngëtarin dhe orkestrën, çka pati edhe pasojat e veta, që në një situatë të tillë bëhen gati të pashmangshme. Gjatë interpretimit të këngës së fundit në garë Redon Makashi detyrohet të ndërpresë me të drejtë këngën, për ta rinisur nga e para. Gjë për të cilën u shpreh natën e dytë se kurrsesi nuk ka qenë faji i Orkestrës për këtë incident. Adi Krasta nuk kursehet për të përshkruar situatën fizike të Pallatit të Kongreseve: “Është në një gjendje skandaloze, të shkatërruar, të marrë fund. Nuk është as teatër koncertesh e as teatër kongresesh, nuk ka një zonë enkas të përshtatshme për orkestrën ashtu si në të gjithë teatrot e mëdhenj”, ka theksuar ai.

Ndërkaq, në prezantimin e tij nuk mund të mungonte natyrisht as humori i hollë, duke mos lënë jashtë situatën alarmante të krijuar nga shirat: “Për të mos u kapur nga përmbytja skena është ngritur më lart”, ironizon showman-i, duke ditur të ngacmojë e të mbajë zgjuar vëmendjen e publikut. Përsa i përket jurisë që do të gjykojë këngët pjesëmarrëse në garë, u prezantua natën e parë kryetari i saj Limoz Dizdari, një nga kompozitorët më të njohur të vendit tonë. Nata e parë e Festivalit vijoi me të ftuarin special të mbrëmjes, kantautorin e mirënjohur, Riccardo Cocciante-n. Me një efekt special ndriçimi që krijoi një atmosferë të ngrohtë, për të cilin Cocciante vetë gjatë provave tregoi një kujdes të veçantë, ai këndoi për publikun shqiptar një nga perlat e repertorit të tij “Margherita”. Disa çaste publiku u bë pjesëmarrës në këndim, duke e shoqëruar në refren dhe më pas këngëtari vijoi me “Se stiamo insieme”. Një minispektakël i vërtetë “Sanremo”-je brenda spektaklit të Festivalit të Këngës. Pas kuintave kantautorin e shoqëronte bashkëshortja e tij Catherine Boutet.

Një miniduet i Adit dhe Cocciante-s me “Belle” erdhi këndshëm, ndërkohë që s’mund të mungonte e përzgjedhura shqiptare e Cocciante-s në “The Voice Italy”, Elhaida Dani. E prezantuar nga ish-mentori i saj performanca “Vivere per amare” nga musical-i Notre Dame de Paris, kompozitori i së cilës është vetë Cocciante, ishte një shpërthim emocionesh që përfshiu edhe spektatorët. Gara e këngëve pjesëmarrëse nisi me një mesazh poetik universal, dedikuar veçanërisht brezit të ri që rëndom lë në hije komunikimin e drejtpërdrejtë, prekjen, ndjesitë, vetë diellin duke u harruar në rrjete. “Fjalët”, e Orges Toçes me zërin dhe muzikën e Elton Dedës janë gërshetuar në një këngë që “shuan” nostalgjinë e këngëve të mira dhe që me siguri do t’i mbijetojnë kohës. Në prezantimin e Këngëtarëve, Krasta u shoqërua nga të ftuar të përzgjedhur nga fushave të ndryshme ku kryesonte media, si Alma Cupi, Elsa Demo, Eni Vasili, Ervin Goci, Suela Bala etj. Ndër zërat femërorë në natën e parë ishin Mariza Ikonomi, e cila solli në këngë poezinë “Unë” të Florian Zykës, një dedikim i ndjerë për jetën, guximin dhe forcën për ta jetuar atë.

Publiku riktheu në skenë Manjola Nallbanin, e cila interpretoi “I njëjti qiell”, ndërkohë që në duetin “Ra një yll” me Luiz Ejllin muzika e Edmond Zhulalit dhe poezia e Agim Doçit kanë vënë në dukje mjeshtërisht një nga zërat më të mirë shqiptarë, edhe pse pak të evidentuar. Rezarta Smaja ka shkëlqyer gjatë natës së parë, ashtu si dhe gjatë provave. Publiku ka rikthyer në skenë gjithashtu edhe Eugent Bushpepën dhe Redon Makashin. Performancë emocionuese që u mirëprit nga spektatorët  ka qenë ajo e Bojken Lakos, një dedikim me “Sytë e shpirtit” për të ndjerin aktorin e mirënjohur, Bujar Lako. Duetet vëllazërorë kanë dhënë edhe më shumë ngjyra skenës. Të ngrohtë zërat e vëllezërve Tukiçi, duke emocionuar akoma më shumë nostalgjikët, Endri dhe Stefi sollën një “Mesazh” të drejtpërdrejtë për të rinjtë, drogën dhe prindërit me poezi. Dashuria “E pamundur”, nga Voltan Prodani ishte një tjetër zgjedhje e mirë që kompletoi panoramën e këngëve garuese për natë e parë.

 

Të tjera

Abissnet