Fuga:  Shteti jo si “fajdexhi” me teatrin, ndryshe nuk na “del hesapi”!

Nga Valeria Dedaj

Artistët kundërshtojnë projektin e Teatrit të ri Kombëtar. Genci Fuga mendon se ky projekt merr vlera të një godine “multifunksionale” më shumë sesa të një teatri me shumë salla. Shqetësim për të nuk janë baret dhe restorantet brenda godinës, por vizioni i ngushtë i atyre, që do të mbajnë çelësat  

Për teatër dëshiron godinat e Londrës dhe Parisit, por mendon se mes paradokseve migjeniane, trumcaku i vogël nuk ka shumë alternativa! Prandaj, edhe për projektin e Teatrit të ri Kombëtar ka dyshimet e veta, i trembet vizionit të ngushtë të atyre, që “do të mbajnë çelësat”. Ky është artisti Genci Fuga, i cili në këtë intervistë për gazetën “Shekulli” rrëfen mendimin e tij, për projektin e Teatrit të ri Kombëtar. Ai tregon se aq sa ka parë nga televizori i tij, projekti në vetvete, sallat e destinuara për teatër, nuk janë të menduara, se nuk kanë ambiente ndihmëse, për të plotësuar ekzigjencat e produksioneve në 100 vitet e ardhshëm. Prandaj, për të ky projekt  merr vlerat e një godine “multifunksionale” më shumë se një godine me disa skena në të.

Por, nuk mjaftohet me kaq! Fuga ka edhe një përgjigje për sugjerimet e kryeministrit Edi Rama, i cili mendon se artistët duhet të punojnë më shumë për rritjen artistike, teksa rrinë duke kundërshtuar shembjen e Teatrit Kombëtar.

Zoti Fuga, cili është mendimi juaj për projektin e Teatrit të ri Kombëtar, të sapo prezantuar?

Prezantimin e projektit të Teatrit të Ri e ndoqa, nëpërmjet medies, pasi nuk kisha ftesë as nga kryeministria as nga Ministria e Kulturës. Mungesa e ftesës më lë të kuptoj se protokollet e këtij takimi ishin shumë të fortë, dhe aspak të rastësishëm për personin tim! E them këtë se jam, publikisht 25 për qind e shansit për të drejtuar në të ardhmen këtë godinë të prezantuar.

Sa i përket projektit në vetvete, nga ekrani i televizorit tim, sallat e destinuara për teatër, nuk mendoj se janë të menduara, se nuk kanë ambiente ndihmëse, për të plotësuar ekzigjencat e produksioneve të ardhshme (dhe këtu po bëhet fjalë për egzigjenca të 100 viteve të ardhshëm). Më duket se po merr vlerat e një godine “multifunksionale” më shumë se një godine me disa skena në të. Thonë që puna për detajimin e projektit, dhe marrja e mendimit të komunitetit nuk ka marrë fund. Si pjesë e komunitetit skenik përfitues, jam në pritje. Si volume (si fasade) nuk tingëllonte keq… Thonë që është projekt “i kopjuar”, por unë nuk merrem me thashetheme.

Mendoni, se një Teatër Kombëtar, që mbart një histori 73-vjeçare, duhet të tjetërsohet në një godinë moderne, që për artistet e vjetër të ketë vetëm një kënd?

Nuk di ç’të them për këtë, se është një projekt i papërfunduar! Nuk më takon mua të përcaktoj, raportet e volumit të dedikuar “Historisë së krijimit e interpretimit skenik”. Me dëshirë do të kisha Godinat më të larta dhe Skenat e pajisura, më “të fundit” të teknikave skenike, që aplikohen sot në Londër, Paris, etj., por jetojmë në një vend të vogël ku nuk ke mundësi të shtrish enren e mundësitë e mia. Jemi në mes shumë paradokseve Migjeniane, e Trumcaku i Vogël nuk ka shumë alternativë.

Po përsa i përket bareve, restoranteve dhe dyqaneve të vogla. Mendoni se këto shtesa qëndrojnë mirë në hapësirën e një godine, që deri dje ka folur vetëm për teatrin?

Personalisht, kam drekuar në restorantin e Peshkut të Royal National Theater, së bashku me pedagogen time të Shakespearit. Unë i trembem, jo pasjes së shumë faciliteteve, por, siç ndodh rëndom në vendin tonë, prishet gjithçka nga një vizion i ngushtë i atyre, që do të “mbajnë çelësat”. Mund të ulesh në mes të Louvrit, për një sanduiç apo kafe, por kam hallin që më ka ikur në drejtim të paditur “Ekspozita Arkeologjike”. Rëndom themi me njëri-tjetrin, plazhin na e ka dhuruar Zoti, por ne as nuk e pastrojmë.

Kryeministri Rama i këshilloi artistët që të rriten artistikisht. Ju, si artist, çfarë mund të na thoni për këtë?

Rekomandimet e kryeministrit për rritjen artistike?! Do t’i marr të gjitha parasysh, sapo të kem realizuar një paritet… Sapo të jetë identifikuar Strategjia Kombëtare Afatmesme e Afatgjatë se ku do të shkojë Arti Skenik, Sapo të më lejojnë të ardhurat për t’u rritur artistikisht, sapo të kem të sigurt që zyrat e dikastereve të Shtetit të kenë një vizion të qartë se si do të jetë hapësira e zhvillimit “të talentit”, sapo të kemi institucione që nuk ndryshojnë “politikat” e tyre pas çdo mendjeshkrepje politike, sapo të shkulet nga “prime-time” televiziv politika dhe vendin e tyre ta zërë krijimtaria e interpretimi, sapo… Ju betohem, që lista është shumë e gjatë për detyrat e shtëpisë së shtetit shqiptar (jo Qeverisë). Në rast se nuk shikohen arritjet skenike, nuk është faji ynë. A jemi “shitur jashtë”? Po! Pikërisht në atë treg që ka ngritur “Shteti” (në rast se nuk ka ngritur, atëherë nuk është faji im). E megjithatë, kolegë të mi, janë kthyer me çmime të para nga Festivale Ndërkombëtare!

Sipas jush, cili është qëndrimi që duhet të mbajnë artistët, por edhe qytetarët ndaj këtij projekti? Mendoni se zëri, fjala e tyre përballë një projekti që u servilet për t’u realizuar nga privati, si fakt i kryer pa asnjë konkurs ndërkombëtar, mund të ketë rëndësi?

Në rast se vlen mendimi qytetar? Nuk shprehet gjëkundi në Kushtetutën e Shqipërisë (Kontrata e Qytetarëve me shtetin – jo qeveritë), një veprim i tillë. Jemi në fazën e një boshllëku kushtetues. Nuk e di se kur ka qenë hera e fundit që një person i thjeshtë (apo lobues) është dëgjuar në seanca Parlamentare, dhe deputetët e pranishëm të kenë reaguar (në kundërshtim me direktivat partiake) dhe të kenë ndërmarrë një iniciativë ligjore për këtë person (të paveshur me kostumin e deputetit). Mendimit qytetar i është lënë vetëm e drejta e fjalës 1 herë në 4 vjet, si për pushtet qendror ashtu edhe për bashkitë…

Dhe së fundmi, ju jeni një nga kandidatet për drejtor i TK-së. Vazhdoni ende që ta dëshironi këtë pozicion?

Në prezantimin e projektit të Teatrit të ri, kryeministri ishte shumë i kënaqur nga numri i shitjes së biletave të Teatrit Kombëtar… Dua të theksoj se Shteti nuk mund të veprojë, si “fajdexhi” me Teatrin në përgjithësi, të tipit: të dhashë kaq e do më kthesh aq! Ndryshe, nuk na “del hesapi” për shumë vepra të mira që nuk kanë imput financiar të menjëhershëm! Në rast se është kuptuar kështu, kandidatura ime paska trokitur “në derën e gabuar”! Një bankë e nivelit të tretë të bën të njëjtin hesap për “një kredi konsumatore”! Unë kandidoj për Institucionin e Teatrit Kombëtar! Përse nuk tërhiqem?! Se, që kur kam hyrë, kam llogaritur gjithçka, dhe kam deklaruar: “Me anë të kandidimit tim, dua të emetoj interesin e gjithë shoqërisë për të ngritur institucionin e Teatrit Kombëtar!”. Gjatë kohës së prezantimit po shihja një artikull të Ëikipedias, për mjeljen e lopës: aty rekomandohej që me lopën duhet të silleshim shumë mirë, ta puthnim e përkëdhelnim, t’i pastronim gjinjtë (që të marrim qumështin e vlefshëm, jo kulloshtrën – pavlerë). Në fund artikulli mbyllej me një thënie në Anglisht: “If you want My milk, you have to kiss my ass”. (ky ishte momenti kur po kërkoja në internet e po lexoja mbi institucionin e teatrove kombëtare në mbarë Botën tjetër, përveç Shqipërisë!

Plagjiaturë e arkitektit danez apo paljaçatë e pushtetit

Gjatë ditës së djeshme, ka qarkulluar në rrjetet sociale një projekt i studios ukrainase, që artistët e konsiderojnë të ngjashëm me atë të Teatrit të ri Kombëtar (studioja daneze). Regjisori Katriot Çipi shkruan se: “Plagjiaturë e arkitektit danez apo paljaçatë e pushtetit? Projekti i Ramës për TK është në fakt projekti i studios ukrainase “Forma”, fitues i çmimit të tretë (pra i skualifikuar) në konkursin për Operan e Busanit në Korenë e Jugut. Shikojini fotot dhe gjykoni vetë!”

Ndërsa, anëtarët e forumit të trashëgimisë kulturore shkruajnë: “Projekti i teatrit të ri kombëtar që u prezantua plot krenari në kryeministri, na doli se qenka një kopje e një studioje ukrainase për t’u zbatuar në Korenë e Jugut. Arkitekti danez, paska qenë aktor i keq ose nuk ia kanë shpjeguar që ka internet edhe në Shqipëri…”.

Të tjera

Abissnet