I ftohti, si të kujdesemi për veshët, hundët dhe fytin

Nga Bledi Nini, mjek otorinolaringolog pranë shërbimit të ORL në QSUT

Si të parandalojmë sëmundjet që prekin veshin, hundën dhe fytin gjatë ditëve të ftohta të stinës së dimrit. “Sapo ftohet moti, njerëzit përjetojnë dhimbje apo diskomfort në veshë, hundë apo fyt. Shpesh herë këto simptoma të shkaktuara nga moti i ftohtë ngatërrohen me sëmundje apo infeksione. Për të bërë dallimin është e rëndësishme të dimë se si ndikon moti i ftohtë në aparatin respirator e më gjerë, – thotë Dr.Nini.

A mund të shkaktojë i ftohti infeksione të veshit?

Jo, i ftohti nuk shkakton infeksione të veshit. Infeksioni i veshit shkaktohet nga bakterie në sistemin e sipërm respirator, të cilët nëpërmjet tubit të Eustakut shkojnë në veshin e mesëm. Por edhe pse i ftohti nuk shkakton infeksione të veshit, ai i bën simptomat më të ndjeshme e më të forta.Si mund ta parandalojmë të ftohtin për të mos ndikuar në dhimbjet e veshit?Infeksionet e veshit nuk mund të parandalohen dhe për aq kohë sa nuk i parandalojmë dot, mund të ndikojmë në zbutjen e dhimbjes së tij, e cila rritet si rezultat i uljes së qarkullimit të gjakut në mot të ftohtë. Ndaj sigurohuni që të mbani veshët mbuluar me kapuç apo shall në ambiente të ftohta.

Pse kemi rrjedhje hundësh gjatë stinës së dimrit?

Termi për rrjedhjen e hundëve është rhinorea. Një ndër funksionet e hundës është të përgatisë ajrin për në mushkëri duke e ngrohur dhe lagështuar. Duke qenë se ajri i ftohtë është i thatë, hunda prodhon likuid në mënyrë që të rregullojë me lagështirën e duhur ajrin që do të futet brenda dhe teprica e likuidit të prodhuar nxirret jashtë. E njëjta gjë ndodh edhe kur kryhet frymënxjerrje, avulli në ajrin që do të nxjerrim kondesohet në pjesën e jashtme të hundës dhe kthehet në likuid, duke shkaktuar rhinorea.

A mund të parandalohet rhinorea?

Për aq kohë sa është një proces kompesator nuk është se ka shumë për të bërë, por sapo futeni në vende të ngrohta situata normalizohet. Ndaj duhen evituar daljet në ambiente të hapura kur temperaturat janë të ulëta.

Si mund të parandalojmë dëmtimet e fytit nga i ftohti?

Dhimbjet e fytit nuk janë tregues se gjithmonë jemi të sëmurë. Ajri i ftohtë than indet e fytit duke shkaktuar irritim. Simptomat përkeqësohen në momentin që frymëmarrja kryhet me gojë dhe jo me hundë, duke u nisur nga kjo, është e zakonshme të kemi dhimbje fyti nëse ushtrohemi në të ftohtë. Nëse vrapojmë, ecim apo kryejmë aktivitete të tjera në të ftohtë, duhet të marrim frymë me hundë në mënyrë që ajri të lagështohet, e theksoj këtë që duhet të marrim frymë me hundë dhe jo me gojë. Nëse simptomat e mësipërme persistojnë më shume se 1 apo 2 ditë, atëherë shkaku mund të mos jetë vetëm i ftohti dhe duhet te drejtohemi pranë mjekut të familjes për të gjetur shkakun.

Përgatiti: Bleona Metushi

Të tjera

Emri i kompromisit

Nga Veton Surroi Në fillim të pluralizmit në ish-Jugosllavi, në Prishtinë mblidheshin partitë politike shqiptare gjithandej Jugosllavisë. Sa herë që…

Abissnet