Fraksionet palestineze nënshkruajnë marrëveshje pajtimi

Publikuar më 12. 10. 2017 nga Dionis Xhafa

Hamasi dhe Fatahu kanë nënshkruar marrëveshjen e pajtimit në Kajro, duke i dhënë fund ndarjes dhjetëvjeçare midis dy fraksioneve palestineze. Marrëveshja është ndërmjetësuar nga Egjipti, shkruan Rel.

Palestinezët në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor janë qeverisur veçmas, që nga përleshjet vdekjeprurëse midis dy grupeve, në vitin 2007. Fatahu, dikur gurthemel i kauzës kombëtare palestineze, ka humbur pushtetin në vitin 2006, kur Hamasi i ka fituar zgjedhjet në territoret e pushtuara. Tensionet midis dy rivalëve kanë shkaktuar përleshje të shumta të dhunshme në Rripin e Gazës. Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, e mirëpriti marrëveshjen e pajtimit dhe tha se ajo u jep fund ndarjeve.