Fqinja kap mat hajdutët, ja çfarë bëri ajo pasi dëgjoi zhurma në apartament

Publikuar më 07. 12. 2017 nga Xhentila Gjoshi

Një vjedhje në Comeana të Italisë nga dy shqiptarë, ka dështuar falë inteligjencës së fqinjës së banesës që ra pre e grabitësve. Edhe pse hajdutët kanë mundur të largohen nga vendi i ngjarjes, ajo ka mundur të fiksojë targën e makinës me të cilën shqiptarët janë larguar nga apartamenti.
Mediat italiane shkruajnë se në pranga ka përfunduar një shtetas shqiptar, ndërsa bashkëpunëtori i tij ka mundur të largohet nga duart e policisë.
Ngjarja në fjalë mësohet se ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, në Comeana, Carmignano.
Gruaja, pasi dëgjoi disa zhurma të dyshimta, doli në dritare dhe pasi u përball me dy djemtë, i detyroi ata të largoheshin por arriti të shënonte targën e mjetit me të cilin ata ikën. Në pranga thuhet se ra një 28-vjeçar shqiptar, me precedentë penalë të mëparshëm dhe pa leje qëndrimi.
Megjithatë bashkëpunëtori i tij arriti të ikte. Sipas mediave italiane, shqiptari ka provuar me të gjitha mënyrat që t’i shpëtojë arrestimit duke bërë rezistencë e madje duke goditur një efektiv.
Në makinë u gjetën mjetet që ata përdornin për të hyrë nëpër banesa. Mbrëmjen e kaluar, ata kishin tentuar një seri vjedhjesh në zonën e Comeana derisa arritën në një apartament, pronarët e të cilëve ishin jashtë në atë kohë, por një fqinj ishte tepër i vëmendshëm. Edhe “Golfi” me të cilin u kapën rezulton i vjedhur.