Forumi Ekonomik Botëror: Pabarazia dhe varfëria në Shqipëri janë rritur

Publikuar më 22. 01. 2018 nga Eno Shkëmbi
Pabarazia dhe varfëria janë rritur në Shqipëri gjatë vitit 2017 sipas raportit të Forumit Ekonomik Botëror “Rritja gjithëpërfshirëse dhe raporti i zhvillimit” për 2018.
 
Pabarazia neto e të ardhurave i cilësuar ndryshe si treguesi GINI ka pësuar rritje me 7.7 për qind, në pesë vitet e fundit sipas raportit.
 
Koeficienti Gini në Shqipëri ka arritur në 38.4. Ky indeks tregon masën në të cilën shpërndarja neto e të ardhurave (pas taksave dhe pas transfertave) midis individëve dhe familjarëve në një ekonomi devijon nga një shpërndarje e barabartë e përkryer. Një indeks Gini prej 0 nënkupton një barazi të përkryer dhe një indeks prej 100 implikon një pabarazi të përkryer. Kjo do të thotë që rritja me 7.7% e këtij treguesi në Shqipëri përgjatë pesë viteve të fundit është indikator i rritjes së pabarazisë në vend.
 
Forumi raporton gjithashtu se varfëria ka ardhur në rritje. Sipas raportit, shqiptarët që jetojnë në varfëri u rriten me 0.7 për qind dhe norma e varfërisë ka arritur në 6.8%. Për vendet në zhvillim, ky tregues llogaritet si përqindja e popullsisë që jeton më pak se 3.1 dollarë në ditë.
 
Në rënie është edhe treguesi i të ardhurave mesatare ditore për frymë me 0.1%. Në përmirësim është vetëm treguesi i pabarazisë së pasurisë, që është zvogëluar me 1.8%.
 
Thellimi i pabarazisë në vend është konfirmuar më herët edhe nga statistikat kombëtare.
 
Sipas të dhënave nga Anketa e Buxhetit të Familjes për vitin 2016, publikuar nga Instituti i Statistikave verifikohet tendenca ku të pasurit janë pasuruar edhe më shumë, kurse të varfrit kanë vijuar në ekstremin tjetër.
 
Sipas kësaj ankete rreth 90% e familjeve shpenzojnë 78.3% të vlerës së konsumit gjithsej, me një mesatare të shpenzimeve për konsum prej 63.609 Lekë në muaj. Nga ana tjetër 10 % e familjeve shpenzon 21,7 % të konsumit gjithsej, me një shpenzim mesatar prej 158.946 Lekë në muaj.
 
Kjo do të thotë se shpenzimet mesatare për konsum të 10 % të NJEF me shpenzime më të larta janë 2,5 herë më shumë se ato të 90 % tjetër më të varfër.
 
Konsumi për frymë, i 90 % të familjeve me shpenzimet më të ulëta është mesatarisht 18.119 Lekë në muaj, ndërsa 10 % i familjeve me shpenzimet më të larta, është mesatarisht 62.562 Lekë në muaj për frymë.
 
Në raportin e Forumit Botëror në renditjen e vendeve në zhvillim, në treguesin e përgjithshëm Shqipëria është në në vend të 28 nga 74 shtete, duke qenë pas Maqedonisë (25), por duke ia kaluar Serbisë. Shqipëria ka marrë 4.08 pike, ku 1 është vlerësimi më i dobët dhe 7 më i larti. Më mirë nga vendet në zhvillim është Lituania dhe në fund është Mozambiku.
 
Shtyllat ku Shqipëria ka rezultatin më të keq janë ndërmjetësimi financiar me 2.89 pikë, si rrjedhojë e ndërmjetësimit të ulët të bizneseve. Shtylla e dytë, ku Shqipëria ka performancë të dobët është transferta fiskale, me të dy nëntreguesit, kodi i taksave dhe mbrojtja sociale. I treti është korrupsioni dhe pagesat, me 3.27 pikë, ku nëntreguesi më negativ është ai i përqendrimit të pagesave, raporton “Monitor”.