FMN ul me këmbë në tokë qeverinë, bie niveli i rritjes ekonomike për vitet 2018-2019

Publikuar më 14. 11. 2017 nga Eno Shkëmbi

Pretendimet e qeverisë shqiptare për rritje të lartë ekonomike janë zbehur ndjeshëm nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Në raportin e fundit të prespektivës globale, FMN uli me 0.4 pikë përqindje parashikimet për rritjen ekonomike të Shqipërisë, jo vetëm për vitin 2018, por edhe për 2019-ën.

Në raportin e publikuar të hënën, normat e rritjes parashikohen në nivelin 3.7 dhe 3.8 për qind. Ndërkohë që kujtojmë, që në prill të 2017-s, FMN parashikonte një rritje me 4.2 për qind të ekonomisë shqiptare për 2019-n.

Në argumentet e dhëna nga FMN, si arsye të uljes së pritshmërive përmendet rënia e investimeve të huaja.

Dy projektet kyç, gazsjellësi Transadriatik dhe Kaskada e Devollit po shkojnë drejt përfundimit të tyre, ndërkohë që qeveria nuk ka arritur të kontraktojë asnjë investim të ri madhor në horizont.

Qeveria është zotuar se në dy vitet e ardhshme rritja ekonomike do të përshpejtohet në 5.5 deri në 6 për qind. Por parashikimi më i fundit i FMN ka ulur me këmbë në tokë qeverinë, e cila po dështon të thithë investime të huaja në ekonomi.

Edhe Banka e Shqipërisë është në të njëjtën linjë me FMN-në, pasi në raportin e Politikës Monetare për tremujorin e IV-t të vitit, autoriteti më i lartë monetar në vend deklaroi se edhe sikur të operonte në kapacitet të plotë, ekonomia shqiptare nuk mund të rritet më shumë se 3.5 për qind në vit.

“Vlerësimet tona të përditësuara në rishikimin e radhës së prodhimit potencial të ekonomisë, sugjerojnë se ritmi vjetor i rritjes potenciale të ekonomisë është përshpejtuar nga 3.2% në 3.5%,” shkruhet në raport.