FMN sugjeron reformat që nxisin tregun e kapitaleve në Shqipëri

Publikuar më 29. 12. 2017 nga Xhentila Gjoshi

Fondi Monetar Ndërkombëtar referoi në rishikimin e fundit të marrëveshjes me Shqipërinë, se zhvillimi i tregut të kapitalit (bursës) duhet të udhëhiqet nga standardet e BE-së, por kjo kërkon kohë dhe do të jetë një proces kompleks.
Procesi dhe perspektiva e anëtarësimit në BE duket se kanë ndikuar në mënyre të konsiderueshme në zhvillimin e tregjeve të aksioneve në vendet kandidate.
FMN sugjeron se, Shqipëria si vend kandidat që të ketë një qasje me të mirë të zhvillimit të tregut të kapitaleve duhet të zbatojë standardet e BE-së për kuadrin ligjor dhe rregullator. Monitorimi i përbashkët me autoritetet mbikëqyrëse të BE mund të ndihmojë në një ecuri më të mirë të procesit.
Një tipar kyç për një bursë të suksesshme është krijimi i besimit të investitorëve dhe kompanive potenciale që do të listohen thotë FMN.
Bursat në vendet të Rajonit janë në sfida për mbijetesë, thotë raporti. Harmonizimi i rregullores me BE siguron stimuj për huamarrësit e mëdhenj që të emetojnë obligacione në tregjet e mëdha, duke shmangur në këtë mënyrë bursat vendore.
Në të njëjtën kohë, ekonomitë e shkallës së platformave tregtare inkurajojnë konsolidimin e bursave. Shpenzimet e larta që kërkon listimi në bursë i korporatave, të tilla si kostot e përmbushjes së kërkesave rregullative dhe kostot e emetimit të drejtpërdrejtë, kanë vepruar si pengesë për zhvillimin e tregut.
Adresimi i këtyre sfidave institucionale do të jetë çelësi për suksesin e bursës private të sapondërtuar në Shqipëri, referon FMN.
Përpjekjet e mëparshme për zhvillimin e tregjeve të kapitalit privat patën tërheqje të kufizuar pikërisht për shkak të këtyre dobësive.
Një bursë u krijua në 1996, së pari si pjesë e Bankës së Shqipërisë dhe pas vitit 2002, si një shoqëri aksionare, por asnjëherë nuk ka pasur tregtim të kapitalit privat. FMN thotë se, bursa në Shqipëri nuk fitoi kurrë besimin e investitorëve vendas ose të biznesit lokal dhe u mbyll përfundimisht në vitin 2014.
Mungesa e zhvillimit të bursës mund t’i atribuohet karakteristikave strukturore siç janë madhësia e vogël e ndërmarrjeve, sipërmarrësit që nuk dëshirojnë të bëjnë të njohura bilancet e tyre për publikun, informaliteti i madh etj.
Një bursë private është licensuar për të operuar ne mes të këtij viti. Albania Stock Exchange konsiderohet si një mundësi potenciale për të diversifikuar tregun financiar që aktualisht dominohet nga bankat./monitor/