FMN kundër qeverisë për taksat dhe koncesionet

Publikuar më 08. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Përfaqësuesi i Përhershëm, Jens Reinke, kundër idesë së qeverisë për të reduktuar transparencën e ligjeve të taksave, uljen e pragut të TVSH-së, ndërsa vendi ka probleme me infrastrukturën dhe të drejtën e pronësisë

Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka shprehur hapur pakënaqësitë që ka në lidhje me Paketën Fiskale që ka miratuar Këshilli i Ministrave dhe që pritet të diskutohet në kuvend. Ulja e kufirit të TVSH-së, lehtësitë për hotelet me 4 dhe 5 yje dhe, sidomos fakti që Paketa Fiskale i jep fuqi të madhe për të vepruar lirisht Këshillit të Ministrave, janë disa nga shqetësimet që ngre Përfaqësuesi i Përhershëm i FMN-së, në Shqipëri, Jens Reinke, në një intervistë për “Monitor”. Përfaqësuesi i FMN-së ka përsëritur thirrjen për të pasur kujdes me projektet e Partneritetit Publik Privat, që ato të zgjidhen sipas një analize të qartë kosto-përfitime dhe të raportohen sipas standardeve ndërkombëtare, në mënyrë që të shmanget borxhi i fshehur.

FMN, në raportin e fundit për Pasqyrën Ekonomike të tetorit, uli parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë në 2018-n me 0.4 pikë përqindjeje, në 3.7%. Cilat janë arsyet e kësaj uljeje?

Ne presim që rimëkëmbja ekonomike do të vazhdojë dhe që rritja vjetore e PBB-së do të arrijë në 4% në afatin e mesëm. Vitet e fundit, rritja është nxitur nga Investimet e Huaja të mëdha Direkte. Cikli i tyre i investimeve do të fillojë të ngadalësohet në 2018-n. Por, rimëkëmbja e kredisë private, zgjerimi në investimet publike dhe një rritje e besimit pritet që të mbështesin rimëkëmbjen e vazhdueshme.

Qeveria shqiptare sapo ka publikuar projektbuxhetin për vitin 2018 dhe Paketën Fiskale. Në një vështrim të përgjithshëm, si i vlerësoni këto dy dokumente?

Ne e mirëpresim faktin që qeveria mbetet e angazhuar për konsolidimin fiskal dhe ka vazhduar me reformën e taksës së pasurisë, por theksojmë se disa ndryshime specifike në politikën e taksave janë faktor për rrezik. Në veçanti, ndryshimet në kufirin e TVSH-së dhe trajtimi preferencial për sektorin e hoteleve duket se e minojnë barazinë e sistemit të taksave. Ne jemi dakord që ka një nevojë për të rritur investimet publike, por duhet të marrim në konsideratë se problemet me zbatimin dhe jo financim kanë kufizuar shpenzimet për investime gjatë viteve të fundit. Si rrjedhojë, qeveria duhet të investojë në kapacitetin e saj për të përzgjedhur, për të planifikuar dhe për të zbatuar investimet, ndërkohë që siguron që të gjitha projektet e investimeve, përfshirë PPP-të, janë subjekt i të njëjtave standarde.

Ministria e Financave ka ndërmarrë nismën për uljen e kufirit të regjistrimit të TVSH-së në 2 milionë lekë, nga 5 që është sot, si një mjet për të luftuar evazionin, teksa detajet do të vendosen nga Këshilli i Ministrave. Si e vlerësoni këtë lëvizje?

Pas vlerësimeve të shumta nga ekspertët tanë të taksave, ne e kemi këshilluar qeverinë fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së nga niveli aktual. Ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e të gjithë bizneseve, por sjellin vetëm 2% të transaksioneve të taksueshme. Zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të jetë një barrë shumë e rëndë për burimet e departamentit të taksave. Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe eficensa e administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë. Sipërmarrjet e vogla do të mund të përballen gjithashtu me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime. Ne e kemi këshilluar gjithashtu qeverinë që të thjeshtojë sistemin e taksave, përfshirë heqjen e përjashtimeve dhe unifikimin e kufirit (p.sh., ai i zbatuar për TVSH-në, tatimin e korporatave dhe tatimin mbi të ardhurat personale).

Sipas jush, cili do të ishte kufiri më optimal për TVSH-në, që do të mundësonte një kontroll më të mirë të zinxhirit të faturimeve dhe do të ofronte nxitës për bizneset që të vetëformalizohej?

Ne nuk shohim asnjë problem me kufirin aktual të TVSH-së. Ndryshimet e vazhdueshme të politikës së taksave duhet të shmangen, pasi ato komplikojnë administrimin e taksave dhe mund të bëjnë konfuz taksapaguesit. Si rrjedhojë, ne rekomandojmë që të mbahet kufiri i TVSH-së në nivelet aktuale, ndërkohë që administrata i përqendron përpjekjet te taksapaguesit e mëdhenj.

Si e vlerësoni propozimin në Paketën Fiskale për përjashtimin e hoteleve me 4 dhe 5 yje nga tatimfitimi për 5 vjet dhe lehtësi të tjera që ofrohen për kategoritë e hoteleve që do të klasifikohen me status special?

Për ne, nuk është e qartë se si përfitimet nga taksat për hotelet do të kthehen në përfitime për Shqipërinë. Turizmi është një sektor me potencial domethënës të mëtejshëm, rritja e të cilit duket se aktualisht kufizohet nga problemet në infrastrukturë dhe dobësia në të drejtat e pronësisë. Nuk është e qartë se si përjashtimet nga taksat do të ndihmojnë për t’i lehtësuar këto kufizime. Paketa Fiskale i jep fuqi të madhe për të vepruar lirisht Këshillit të Ministrave, duke reduktuar në këtë mënyrë transparencën e ligjeve të taksave. Ne e shikojmë si veçanërisht problematik faktin që përjashtimet mund të përfshijnë shërbime të tjera përveç akomodimit të ofruar nga hotelet dhe barazinë e tyre (p.sh., “status special”) nuk rregullohen në mënyrë të qartë. Përjashtimet e propozuara mund të jenë shkak që të rriten më tej mundësitë për evazion fiskal.

Nisur nga projektet konkrete të projektbuxhetit 2018, sa vlerësoni se janë marrë parasysh rekomandimet tuaja dhe çfarë shikoni konkretisht si rreziqe në afatin e shkurtër?

Ne e pranojmë nevojën për të përshpejtuar investimet publike dhe vazhdojmë t’u përmbahemi rekomandimeve tona të mëparshme: të gjitha projektet e investimeve duhet të jenë subjekt i prioriteteve transparente dhe procesit të përzgjedhjes si dhe t’i nënshtrohen një analize kosto-përfitime. Kjo duhet të përfshijë jo vetëm projektet e financuara nga buxheti, por të gjitha PPP-të, përfshirë propozimet e pakërkuara. Gjithashtu, detyrimet që i takojnë shtetit nga PPP-të duhet të regjistrohen sipas praktikave më të mira ndërkombëtare, çka do të thotë që PPP-të kontribuojnë në borxhin publik. Praktikat aktuale në planifikimin dhe ekzekutimin e investimeve nuk i plotësojnë këto standarde, duke rritur rrezikun që të përzgjidhen projekte të varfra dhe që rreziqet fiskale të nënvlerësohen.