FMN: E kemi rekomanduar fort qeverinë të mos ulë kufirin e TVSH-së, ja pasojat

Publikuar më 31. 10. 2017 nga Eno Shkëmbi

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) është shprehur hapur kundër uljes së pragut të TVSH-së tek bizneset e vogla. Në një prononcim zyrtar për “Monitor”, Përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së në Shqipëri, Jens Reinke, është shprehur se “Pas vlerësimeve të shumta nga ekspertët tanë të taksave, ne e kemi këshilluar qeverinë fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së nga niveli aktual”.

 

“Ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e të gjithë bizneseve, por sjellin kanë vetëm 2% të transaksioneve të taksueshme. Zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të jetë një barrë shumë e rëndë për burimet e departamentit të taksave. Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe eficienca e administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë. Sipërmarrjet e vogla do të mund të përballen gjithashtu me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime”, tha shefi i FMN-së.

 

Qeveria shqiptare në shtator bëri të ditur planin e saj për të shtrirë TVSH-në te biznesi i vogël. Në fillim u deklarua se kufiri do të bëhej zero nga 5 milionë lekë që është sot, ndërsa Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka deklaruar se kufiri për TVSH-së do të ulet në 2 milionë lekë, teksa në paketën fiskale, që pritet të diskutohet së shpejti në Komisionin e Ekonomisë, përcaktohet se do të jetë autorizimi i Këshillit të Ministrave për të vendosur kufirin e regjistrimit në TVSH.

Ahmetaj tha se nga kjo lëvizje do të prekeshin vetëm 9 mijë subjekte dhe përjashtoheshin rreth 60 mijë të tjerë. Vendimi ka ngjallur debat të lartë tek ekspertët lidhur me efektin që do të ketë kjo shtrirje te bizneset e vogla dhe nëse kjo është mënyra më e mirë për të luftuar informalitetin.

Reinke thotë se ata i kanë këshilluar qeverisë që të thjeshtojë sistemin e taksave, përfshirë heqjen e përjashtimeve dhe unifikimin e kufirit (psh., ai i zbatuar për TVSH-në, tatimin e korporatave dhe tatimin mbi të ardhurat personale).

“Ne nuk shohim asnjë problem me kufirin aktual të TVSH-së. Ndryshimet e vazhdueshme të politikës së taksave duhet të shmangen pasi ato komplikojnë administrimin e taksave dhe mund të bëjnë konfuz taksapaguesit. Si rrjedhojë, ne rekomandojmë që të mbahet kufiri i TVSH-së në nivelet aktuale, ndërkohë që administrata i përqendron përpjekjet tek taksapaguesit e mëdhenj”, thotë Reinke. /Monitor/