Florian Doska: Do t’ju surprizoj në kampionatin europian

Publikuar më 29. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Klevis Deda

Kikbokseri shqiptar kërkon ndihëm e tifozëve shqiptarë për të arritur më lehtë suksese dhe shpreson të fitojë titullin evropian vitin e ardhshëm

Kikbokseri shqiptar, Florian Doska u shpreh për “Shekulli” se objektivi i tij është të luajë në kategorinë e vështirë të UFC. Floriani është mjaft premtues në këtë sport të rëndë pasi pak kohë më parë u nderua me medaljen e bronzit në kampionatin botërorë që u mbajt në Bahrejn. Kikbokseri shqiptar thekson se për të arritur rezultate të larta i duhet mbështetja e publikut. Ai ndihet krenar që ngrin lartë flamurin shqiptar në çdo garë kur merr pjesë.

Në cilën moshë e keni nisur karrierën tuaj?

 Kam filluar në moshën 23 vjeç këtë sport, pak vonë por më mirë vonë se sa kurrë.

Sa e vështirë është të merresh me kickbox?

 Është një disiplinë shumë e rëndë në krahasim me të tjerat ku futen të gjithë llojet e disiplinave mundje e lirë, greko romane, grapling, jujitsu, karate, boxe etj.

Sa krenar ndihesh që përfaqëson Shqipërinë nëpër botë?

 Është një ëndërr që po ngrejë flamurin e Shqipërisë dhe ndihem shumë krenar dhe do ta bëj sa herë që të hyjë në atë kafaz. Flamuri shqiptarë më motivon kur futem në kafaz.

Jeni penduar që nuk zgjodhët të luanit për Italinë duke menduar se kushtet e stërvitjes do të ishin më të mira dhe do të ndihmonin së tepërmi në karrierën tuaj?

Aktualisht stërvitem jashtë në Itali në palestrën më të fortë këtu e cila e ka emrin “MMA FRIULI FIGHT TEMA” . Ndërsa në Shqipëri kamë bashkëpunim me palestrën e presidentit të Federatës Shqiptare Arjan Rizaj i cili është një person fantastik dhe sportiv dhe e falënderoj nga zemra për çdo gjë që ka bërë deri tani për mua. Jam krenar që garoj për kombin tim dhe nuk jam penduar asnjëherë për zgjedhjen që kam bërë.

Titujt më të rëndësishëm që keni fituar në karrierë?

Kam fituar disa tituj të ndryshëm në kampionatin italian si në mundje edhe në MMA dhe më kanë ndihmuar shumë pasi kam fituar eksperiencë të madhe.

A të ka munguar ndonjëherë përkrahja e tifozëve shqiptarë gjatë ndeshjeve që ke zhvilluar?

 Po më kanë munguar tifozët por nuk kam qenë i njohur dhe nuk mund të ndihem keq për këtë. Në vazhdim besoj se interesi i tifozëve do të rritet duke parë edhe rezultatet e arritura nga unë.

Sa premtues është ky sport në Shqipëri? A ka talente shqiptarë që kanë një të ardhme të sigurt?

Mund të ketë shumë premtime ky sport dhe djemtë shqiptarë janë të fortë, mjafton të kenë vullnet dhe jam shumë i sigurt që mund të dalin vërtetë kampion në çdo kategori që bëjnë pjesë.

Stërviteni në kushtet e duhura për të synuar titujt më të mëdhenj ndërkombëtarë?

Nuk kemi të gjitha kushtet por kam shumë vullnet e nuk e dalloj ndryshimin. Edhe pse punon 9-10 orë çdo ditë dhe pastaj shkoj në stërvitje dhe me sakrifica kam arritur këto rezultate falënderoj nga zemra skuadrën time MMAFFT dhe mësuesin tim Renato Subotiç që më ka qëndruar afër në çdo anë të botës. Vullneti më bën të jem ky që jam sot.

Objektivat për të ardhmen?

Objektivi për të ardhmen është të arrijë në nivele të larta siç është UFC dhe kam besim se do ta arrij së shpejti.

Ndeshja juaj e radhës?

Ndeshja e radhës është në kampionatin europian të vitit 2018 ku shpresoj të bëj një paraqitje sa më dinjitoze, pse jo të mos shpallem kampion.