Florenca Bellova: Pse e refuzova spotin me George Clooney (FOTO)

Foto 1 nga 3 Pas Para

Nga Valeria Dedaj

Modelja shqiptare rrëfen kujtimet e fëmijërisë në Tiranë, e më pas punën me agjencitë e njohura të modës, spotet televizive në Itali, deri te dëshira për t’u bërë diplomate.

Ende edhe sot i kujton lojërat e saj të fëmijërisë, e kështu kujton edhe gjallërinë që mbizotëronte në qytetin e saj të lindjes, një Tiranë të gëzueshme e plotë hapësira për të luajtur me moshatarët e saj. Derisa, së bashku me familjen, në moshën 6-vjeçare, duhet që ta niste gjithçka nga fillimi në Trieste të Italisë. Këto kujtime ruan sot modelja Florenca Bellova për fillimet e vështira edhe integrimin në Itali. Në një rrëfim të veçantë për revistën “Ejani” Florenca Bellova tregon për jetën, si modele dhe jo vetëm. Ajo është bashkëshortja e aktorit të njohur Artan Imami, të dy prej tre vitesh janë bërë prindër dhe kanë vajze tre vjeçe.

Florenca, si e kujtoni fëmijërisë tuaj?

Nga fëmijëria ime, unë ruaj vetëm kujtime të këndshme, të përjetuara deri në moshën 6-vjeçare në një Tiranë të gëzueshme, plot jetë, e mbi të gjitha, të shëndetshme për një fëmijë. Makinat thuajse nuk ekzistonin, ajri ishte i pastër, kishte pak banorë dhe fatmirësisht nuk kishte as internet, as televizorë e aq më pak selfie. Më pas, rreth viteve ’90-të ndryshoi gjithçka: na priste një tjetër lloj jete në Trieste, ku u transferuam përgjithmonë (diçka që nuk ka qenë aspak e thjeshtë në atë kohë), por me sakrifica të mëdha nga ana e prindërve të mi, që punonin pa pushim.

Jeni rritur në Trieste, çfarë raporti keni me këtë vend, ku frekuentuat liceun?

Po, kam pasur fatin të rritem në një qytet me shpirt fisnik, në të cilin është ende e mundur të bësh një jetë të qetë, që i përshtatet njeriut, duke shijuar kohën dhe njerëzit. Kam frekuentuar një lice klasik, që përqendrohej tek gjuhët e huaja prandaj, përpos latinishtes studioja tre gjuhë të tjera (anglishten, frëngjishten, spanjishten). Me librat m’u shfaq një botë e pabesueshme, e pasur që më falte sodisfaksion të pamasë. Nga universiteti në vazhdim, kalova thuajse të gjithë kohën në bibliotekë.

Për sa i përket Triestes, më duhet të them se është një Janus me fytyrë të dyfishtë: nga një anë, është i ashpër me karakteristikën e tij, erën karakteristikë të ftohtë dhe banorët, nga ana tjetër arrin të jetë jashtëzakonisht sharmant me një gji spektakolar.

Dëshira për t’u marrë me modelin, ishte e brendshme apo ndikim nga njerëzit përreth?

Nuk ka qenë tamam një dëshirë, apo qëllim në vetvete i nxitur nga kotësitë adoleshenciale, por një konsideratë e thjeshtë ekonomike. Me pak fjalë, mund të punoja në një sektor, që më lejonte të kisha më shumë kohë të lirë, për t’ia dedikuar studimeve të mua dhe që paguhej më shumë se sa puna, si kameriere apo shitëse.

Një miku im, një parukier shumë i njohur edhe në qytet, më sugjeroi asokohe të shkoj të takoj drejtoreshën e atëhershme të një agjencie milaneze mode me rëndësi, John Casablancas; dhe unë kështu bëra. U pëlqeva shumë, dhe falë tyre realizova fotot e para të albumit me një fotograf të shkëlqyer, Angelo Lanza.

Njëkohësisht, drejtoresha më prezantoi dhe me një agjenci aktorësh, e cila bëri të mundur lidhjen me spot-et dhe botën e spektaklit, pasi sipas tyre, unë kisha karakteristikat dhe mimikën e një aktoreje.

Më pas, ndër vite, kam pasur agjenci të ndryshme të rëndësishme, që më kanë përfaqësuar (Brave Models, Del Fuego Management, la Urban Management etj). Ndërsa sot, përsa i përket kinemasë, kam besim vetëm tek agjensia Isabella Gullo në Romë.

Në moshë të re keni filluar një formim afatgjatë për t’u përgatitur, si aktore dhe keni qenë pjesë e filmave me metrazh të shkurtër. Çfarë ju shtyu drejt kësaj rruge?

Po, rreth moshës 18/19 vjeçe. Më duhet ta pranoj se, ende para se të përgatitesha si aktore, kam filluar të punoj si e tillë. Me agjencinë e fundit aktoriale sipërpërmendur, fillova menjëherë të bashkëpunoj në distancë (isha ende me studime) dhe kjo funksiononte ndryshe nga agjencitë e ndryshme të modës, të cilat në fillim, të kërkojnë të jesh e pranishme fizikisht për Casting të pafundmë që realizohen. Që në provën e parë, më konfirmuan pjesëmarrjen për një spot me regji të Bosit në bashkëpunim me Sironin, që ende sot, renditen ndër regjisorët më të mirë në fushën publicitare. Pas kësaj periudhe, fillova ta dua set-in. Me kohën u bëra e ndërgjegjshme se publiciteti dhe mënyra se si grupi punonte ishte i krahasueshëm me një film në miniaturë. Një profesionalistet dhe një precizon maniakal.

Nga aty filluan spote të tjerë (për Sky me Francesco Fei), një spot tjetër në të cilën këndoja me Luca Lucini, një film të shkurtër me një regjisor, që njoha në sheshxhirim, një dokumentar për një rrjet të rëndësishëm francez etj).

Gjatë kësaj kohe keni lënë mbas dore edhe shumë projekte të rëndësishme…

Njëkohësisht po rrëzoheshin disa opsione shumë të rëndësishme që tani, do të kishin bërë të mundur të gjendesha shumë më përpara me punën time, për shembull, fushata për Ëind (ishin fushatat e para “të stampuara dhe spote publicitare”, që bëheshin për linjat telefonike në Itali, dhe kjo pati për vite një vizibilitet të konsiderueshëm), një film i munguar me Banderas dhe Liam Neeson, që po xhirohej në Milano asokohe (ndryshuan skenografinë).

Një tjetër film francez që më vonë nuk u realizua për probleme prodhimi, një spot me Giorgio Armani-n (me kujtohet se kishin bërë një casting treditor në një nga shtëpitë më të mëdha të prodhimit, Filmaster, dhe që më kishin seleksionuar së bashku me një vajzë tjetër, dhe që pas një muaj pritjeje, kishin përzgjedhur atë), një casting me kërkesë, në të cilin nuk shkova me Guy Ritchie për një spot Nespresso me George Clooney, prezantimi i një programi mode në Rai1 (kisha refuzuar nxitimthi një program tjetër të propozuar nga zv-drejtori i Rai-t që mesa duket nuk e kishte marrë dhe aq mirë). Dhe këto janë vetëm disa nga opsionet e rrëzuara që unë mbaj mend.

Cilat janë ambiciet tuaja lidhur me botën e kinematografisë dhe teatrit?

Rolet e vërteta ende nuk kanë ardhur! Teatri, për momentin, nuk më përshtatet, kinemaja po. Dalëngadalë, kam rifilluar të bëhem aktive dhe agjenti im në Romë më ka bërë disa propozime.

Keni qenë pjesë e një sërë eventesh lidhur me modën, si edhe në shumë spote publicitare të rëndësishme. Çfarë përgatitjesh bëni para ngjarjeve të tilla ?

Po ndër vite kam punuar me regjisorë dhe fotografë të rëndësishëm (Francesco Fei, Massimo Vitali,Ralph Geiling, Chris Head, Tino Vaça, Ruy Teixeira, Enea Pieraçini, Antoine Lassaigne dhe me Luca Lucini, që është shumë i njohur sot në Itali, si regjisor i filmave të suksesshëm dhe që më ka lënë mbresa si njeri. Janë edhe shumë të tjerë emrat e të cilëve nuk më vijnë për momentin). Nuk është se unë bëja ndonjë përgatitje specifike, përkundrazi, improvizoja, jam shumë spontane gjatë xhirimeve, nuk jam ndierë asnjëherë në siklet.

Nëse do t’ju ofrohej të ishit imazhi i një marke shqiptare a do të pranonit?

Të jem e sinqertë, nuk besoj, por në të ardhmen kush e di.

“Në botën akademike, bukuria s’më ka ndihmuar aspak”

A mund të na thoni diçka më tepër rreth asaj që ndodh në botën e modës, veçanërisht asaj italiane?

Bota e modës nuk më duket e ndryshme nga botët e tjera. Njerëzit janë njësoj ngado. Gjen njerëz sipërfaqësorë dhe mediokër në modë ashtu si në universitet dhe kudo. Duhet të kuptosh se çfarë kërkon dhe t’ia shprehësh atyre që ke përballë. Në botën e modës (dhe jo vetëm), sipas mendimit tim, vlen klasiku “Do ut des” në shumë raste të raporteve njerëzore (sipërfaqësore). Rrallë, gjen njerëz që sillen pa interes dhe me ndjenja të sinqerta miqësie.

Cilët janë disa personazhe të rëndësishëm që keni takuar?

Personazhe të rëndësishëm të modës kam takuar, por njohje të thjeshta gjatë darkave apo eventeve (dyshja e Dolce dhe Gabbana, Ottavio Missoni, Karim Rachid, vëllezërit di Dsquared). Një stilist, që në të kundërt e kam mik prej vitesh dhe që e stimoj shumë, madje edhe para se ta njihja personalisht, është Ennio Capasa i Costume National, një figurë artistikisht shumë karizmatike dhe një njeri i shkëlqyer.

Florenca, si pjesë e botës së spektaklit, televizionit, modës… Sipas këndvështrimit tuaj në këtë kontekst, a ka hapësirë për raporte të vërteta njerëzore?

Ka hapësirë për ata që kanë dëshirë të kenë, ose thënë ndryshe, nëse ke dëshirë që me kohën të kultivosh raporte të tilla. Në përgjithësi, lidhjet përfshijnë cikle me ulje dhe ngritje, të cilat duhet të dish t’i përballosh dhe këtu i rikthehem asaj që ceka më sipër se, njeriu është njësoj kudo. Është e vërtetë se edhe në sektorë të tillë raportet kanë tendencën të jenë një fasadë. Përpos kësaj, shtohet edhe një faktor tjetër aktual që është krijimi i botëve imagjinare dhe marrëdhënieve fiktive që njerëzit krijojnë nëpërmjet të kudogjendshmëve rrjeteve sociale, të cilat krijojnë edhe më shumë pengesa për marrëdhënie të sinqerta.

Çfarë është bukuria për ju?

Bukuria është një sienergji e shumë elementeve (në një harmoni perfekte dhe në një ekuilibër të brishtë), që një person ka/ apo arrin të ketë gjatë viteve dhe që është në gjendje ta përçojë me hijeshi dhe pa zhurmë shurdhuese.

Dhe a ju ka favorizuar në jetë të qenit e bukur?

Nëse i referohemi vetëm bukurisë fizike, më duhet të them, se në botën akademike, nuk më ka ndihmuar aspak, madje në të kundërt, do të duket banale, por duhet gjithmonë të tregosh se aspekti është thjesht paketimi i një përmbajtjeje gjithashtu të denjë për vëmendje. Në botën e modës dhe të spektaklit, natyrisht është një pasaportë e shkëlqyer, por që duhet ta përdorësh mirë dhe ta integrosh me aspekte të tjera më afatgjatë dhe më pak jetëshkurtër. Në rastin tim ka ndodhur kështu. Edhe pse, më ka munguar një faktor shumë i rëndësishëm për të mbijetuar në një xhungël jashtëzakonisht konkurruese: pafytyrësia dhe të qenit e poshtër.

Duke tentuar, t’ju njohim në aspekte më personale, si do ta përshkruanit veten si karakter?

Kjo është një nga ato pyetje që gjithmonë më ka vënë në siklet. Mendoj se të tjerët janë ata që duhet të japin një mendim. Por në vija të përgjithshme, mund të them shumë kurioze, e sinqertë, e duruar, sistematike dhe mbi të gjitha, e humbur në botën time.

Çfarë mendon se të ka marrë dhe të ka dhënë jeta deri më tani?

Më ka dhënë gjëra që kanë një vlerë të madhe, duke nisur nga vajza ime, prindërit e mi, dëshira për t’u zgjuar çdo mëngjes me entuziazëm dhe të bëj çdo gjë me pasion. Dhe të jem e sinqertë, nuk mendoj se më ka marrë diçka, deri më tani.

Çfarë e bën Florencën të lumtur?

Audrey Maelle, në radhë të parë. Dhe pastaj, të kalëroj në liri në një plazh apo në natyrë të hapur, apo loja polo (një lloj sporti me të cilin rashë në dashuri vite më parë), të bëj një lojë tenisi. Të gatuaj si dhe të ndaj atë që kam përgatitur me njerëzit që kam përzemër apo që më bëjnë të ndihem mirë.

Cili është momenti më i bukur në jetën e Florencës?

Kur më vendosën vajzën mbi bark, të sapolindur, gëzimi i papërshkueshëm kur e pashë për herë të parë që vazhdon të shtohet dhe të pasurohet me ndjenja ditë pas dite.

Ku e shikoni veten pas dhjetë vitesh?

Nuk arrij dot ta projektoj veten për një periudhë kaq të largët, edhe pse koha kalon shumë shpejt.

E ardhmja e modeles, si diplomate 

Florenca i ka kushtuar një hapësirë mëse të konsiderueshme formimit akademik. Paralelisht me përfshirjen tuaj nga bota e artit keni studiuar edhe për shkenca politika. Çfarë ju shtyu të bëni zgjedhje?

Mund të them se formimi akademik ka qenë përherë prioriteti im. E kam nisur me Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Trieste, jam diplomuar me një tezë të së Drejtës Kushtetuese të mbrojtur me rektorin e Fakultetit të atëhershëm, më pas, jam specializuar në Politikë Evropiane dhe Ndërkombëtare në Universitetin Katolok të Milanos me një tezë në Historinë e Marrëdhënieve ndërmjet Amerikës së Veriut dhe Europës (“Nato, Evropa, ShBA dhe çështja e sigurisë energjetike”) dhe, ndërkohë, kisha fituar një bursë për master në Shkenca Politike Paris në “Marrëdhënie Ndërkombëtare” dhe saktësisht në Sigurinë Ndërkombëtare (orët zhvilloheshin në frëngjisht dhe anglisht).

Një eksperiencë shumë e thellë dhe frymëzuese për mua. E zhytur në “Quartier latin” parisien, duke frekuentuar leksione të mbajtura nga personalitete të kalibrit ambasador Ëilliam Ramsay (në atë epokë drejtor ekzekutiv i IEA, International Energy Agency) apo të Jacques Rupnik (këshilltar politik i ish- presidentit Havel dhe që ka kontribuuar në nivel politiko-ligjor në rikonstruktimin e Ballkanit në periudhën e pas luturave jugosllave të viteve ’90). Pasi përfundova studimet, një profesor në Milano më ofroi mundësinë për të nisur karrierën, si studiuese në dy “Think Tank” prestigjiozë, në ISPI (Institutin për studime të politikës ndërkombëtare) të Milanos ose IAI (Institutin e Çështjeve Ndërkombëtare) të Romës. Por nuk e pranova ofertën, pasi isha shtatzënë me vajzën time. Në të njëjtën periudhë fillova një praktikë në sektorin politiko-ekonomik të delegacionit të Unionit Evropian në Shqipëri, kur ishte ende ambasador Ettore Sequi, por në muajin e tetë të shtatzënisë (kur isha fryrë si tullumbace), e braktisa.

Si ka ndikuar formimi akademik në rrugëtimin tuaj personal dhe atë profesional? A mendoni që në të ardhmen t’i kushtoni më shumë hapësirë? Pse jo t’ju shikojmë edhe në radhët e politikaneve femra?

Ka influencuar shumë! Pastaj, më ka ofruar siguri, çka bota e modës apo e spektaklit nuk mi jepnin, përpos kësaj kam qenë gjithmonë në shënjestër të paragjykimeve të njerëzve të ndryshëm; gjykime që, disa herë, mund të mos kenë qenë objektive, të bazuara apo të këndshme.

Kultura është një armë paqësore shumë e fuqishme. Në të ardhmen, mendoj se politika (nënkuptoj politikën në shkallë të lartë, domethënë diplomacinë, jo politikën tout court, të varur nga një parti) do të jetë profesioni im kryesor. Paralelisht, do të më interesonte edhe mësimdhënia universitare.

Sa e vështirë është për një femër shqiptare, të qëndrojë pjesë e botës së spektaklit edhe të modës, në vend të huaj, në rastin tuaj në Itali?

Në përgjithësi, për gratë është shumë më e vështirë të qëndrojnë në botën e punës, pavarësisht kombësisë. Në rastin tim konkret, më duhet të them që kjo e fundit nuk ka influencuar shumë. Në botën e modës, e mbi të gjitha në Milano, të jesh i huaj është diçka shumë normale, është një kontekst shumë kozmopolitan. Kur fillova të punoj si modele, ishin të huajat që dominonin ndaj italianeve. Më pas, ishte një ndarje e dukshme, të huajat ishin më profesionale dhe të adresuara drejt modës (vinin shpesh nga situata të paforizuara, prandaj u duhej të ishin më pragmatike), ndërsa italianet, zakonisht ishin më shumë të interesuara për botën e spektaklit (përtonin të ndiqnin ritmet e çmendura të modës dhe, pastaj, kalonin në situata më të privilegjuara). E megjithatë, për të kuptuar nëse të qenit shqiptare ka qenë një faktor diskriminues apo jo, duhet të pyetet ai që ofron punën dhe që më pas bën zgjedhjet se kush duhet ta bëjë një punë të caktuar. Këto ishin dhe janë perceptimet e mia që tregojnë se si funksiononin gjërat.

Rutina e bukurisë, si modele

Kush është ikona juaj e stilit?

Juliette Binoche, Monica Vitti, Isabelle Huppert.

A keni një stilist të preferuar?

Alcuni: Prada( mbi të gjitha linja Miu Miu), Costume National, Valentino.

Cila është rutina juaj e bukurisë?

Dush sapo zgjohem (të nxehtë dhe pastaj për disa minuta të ftohtë), krem mbrojtës spi 50 (verë dhe dimër), ujë dhe çaj të nxehtë edhe në verë, integratorë me vitamina dhe minerale, vajra esencialë. Nëse më duhet të dal, përdor vetëm maskara, pak korrektor (kur nuk komunikoj me gjumin), pak buzëkuq të kuq ose vishnjë të shpërndarë me gishta që të duket natyral dhe parfumi i pamungueshëm. Ngaherë, për shkak të kërkesave të punës (modelet nuk duhet të trukohen) si dhe për kënaqësinë time, bëj shumë pak makijazh. Për flokët fytyrën dhe trupin përdor produkte bio, pa substanca toksike. Në mbrëmje, kur kam pakëz kohë të lirë, bëj disa hedhje me litar dhe pak ushtrime bodywight (nuk e kaloj gjysmë ore) ose pastroj të gjithë shtëpinë (dhe kjo është një mënyrë e shkëlqyer për të mbajtur trupin në formë.

Sa kujdes i kushtoni ushqimit?

Dita ime rrotullohet rreth ushqimit. Kam një mama që gatuan shumë mirë dhe ushqime jashtëzakonisht të shëndetshme, si pasojë, edhe unë kam mësuar të ushqehem mirë që në fëmijëri. Gatuaj shumë! Me punën time, jam rafinuar, duke studiuar ushqime në mikroskop. Me lindjen e sime bije, më pas, jam bërë një maniake e të ushqyerit mirë, gjysmë-vegjetariane (vetëm peshk, edhe pse, ndonjëherë nuk heq dorë nga pula), astemike që prej shtatzënisë e deri më sot, duke qenë se ende e ushqej me qumësht (edhe pse më duhet ta pranoj se edhe më parë nuk kam qenë ndonjë konsumuese e madhe pijesh, më pëlqente të shoqëroja vaktet me një filxhan të mirë vere, asgjë më tepër). Mëngjesi ka qenë gjithmonë pjesa më e rëndësishme dhe më e konsiderueshme. Në përgjithësi, unë konsumoj çdo gjë, jam shumë llupëse dhe, duke qenë se lëviz shumë kjo nuk influencon në fizikun tim apo në humorin tim, përkundrazi i bën mirë. Konsumoj kuintalë me fruta dhe perime, kos, çerealë, fruta të thata, mjaltë (nuk përdor pothuajse kurrë sheqer përveç ndonjë ëmbëlsire me bajame dhe fistikë, të cilat i adhuroj). U kushtoj rëndësi cilësisë së ushqimeve, duke u treguar e kujdesshme në sasi.

Si e bëni përzgjedhjen e veshjeve?

Nuk e mendoj gjatë. Më pëlqen të vishem rehatshëm; ngaherë, xhins, bluzë me mëngë zhapose dhe këpucë gjimnastike kanë qenë norma për mua. E njëjta gjë kur punoj, me të vetmin ndryshim që, në vend të këpucëve të gjimnastikës, vesh takat, të cilat janë të domosdoshme kur paraqitesh në prova. Të dhuron atë sharmin femëror, të cilin e dashuroj.

Preferoni më tepër veshje sportive apo klasike?

E megjithatë do ta përkufizoja veten casual dhe classic në të njëjtën kohë. Sigurisht që nuk do të më shihni asnjëherë të dal nga shtëpia e tutat sportive dhe veshjen që përdor kur shkoj në palestër apo kur bëj sport. Më duket diçka shumë vulgare, e një edukate jo të mirë dhe mungesë klasi për një grua. As me shapka me gisht apo balerina në këmbë (të cilat sipas mendimit tim janë estetikisht të shëmtuara, jo-higjenike, dhe anti-femërore).

Cili është ai aksesor të cilin e keni të pandashëm kur dini nga shpija?

Nuk jam shumë e lidhur pas aksesorëve, ndoshta syzet kur ka diell.

 

Udhëtimet, muzika, librat dhe filmat e preferuar

Ju pëlqen të udhëtoni?

Më pëlqen shumë. Korsika e Veriut mbetet ndër të preferuarat e mia. Por, disa javë më parë kam zbuluar një perlë shqiptare që nuk e kisha parë ende, Dhërmiun. Njihja vetëm Himarën, por më duhet ta pranoj që më ka impresionuar shumë edhe e para.

Po muzika?

Më pëlqen muzika, nuk kam një lloj të preferuar, mjafton që të jetë muzikë “e mirë”. Më pëlqen shumë Chet Baker, Aznavour, Patrick Bruel, Janis Joplin, Barbara, Mendelssohn… Që kur ka lindur ime bijë, dëgjoj më tepër këngë të vjetra franceze (i adhuron dhe i di të gjitha përmendësh) dhe Amy Ëinehouse ( të cilën e ka pasur si ninullë qe ne ditët e para kur ka ardhur në jetë).

Libri i preferuar?

Nuk mund të citoj vetëm një titull, por disa: Konti i Montekrishtit (Dumas), Vëllezërit Karamazov (Dostoevskij), Mjeshtri dhe Margarita (Bulgakov), Lulet Blu (Queneau), “Il Satyricon”(Petronio).

Filmat…

Filmi blu i trilogjisë “Eklipsi” dhe “Nata”;“Closer” i Mike Nichols; “Les Liasons Dangereuses” i Stephen Frears. Dhe në fund, për të qenë më aktualë, filmat e Jean Perre Jeunet (psh. “Le fabuleux destin d’Amélie Poulain”).  Një tjetër kryevepër është “ In the mood for love” i Ëong Kar-Ëai.

Të tjera

Lavdi sportit!

Nga Enver Robelli Në çdo Kampionat Botëror të futbollit është mirë të lexohet libri “Lavdërimi i sportit” i profesorit Hans…

Abissnet