Flet arkitekti: Teatri mund të rindërtohet! Arsyet pse shembja e tij ishte e jashtëligjshme

Shembja e Tetarit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ka qenë tema më e nxehtë gjatë kësaj jave. Pavarësisht se dyshja Rama-Veliaj ja arritën qëllimit të vendosur prej vitesh, artistët dhe aktivistët vazhduan me protestat. Tani synimi kryesor është që Teatri Kombëtar të rindërtohet sërish në të njëjtën formë dhe në të njëjtin vend. Po sa e mundur është kjo gjë dhe a do të ketë Teatri i rindërtuar të njëjtat vlera me atë të mëparshmin? Arkitekti dhe specialisti i trashëgimisë kulturore, Kreshnik Merxhani, tregon në një intervistë për “Shekulli”-n se kjo është plotësisht e mundur dhe jep shembuj të shumtë nga bota që është arritur pikërisht e njëjta gjë me monumente të tjera.

Lorena Resulaj

Z.Merxhani, ju keni qenë një nga aktivistët dhe arkitektët që keni dalë hapur kundër shembjes së Teatrit. A ishit ju i pranishëm në 17 maj në Teatrin Kombëtar dhe nëse po si e keni përjetuar atë ngjarje?

Unë kam qenë në 5 të mëngjesit. Nuk kam qenë brenda në objekt kur erdhën forcat në orën 4:30. Ne jemi njoftuar dhe kemi shkuar menjëherë. Normalisht ka qenë një situatë jo e këndshme, sepse dhe rrugës shihnim policë që sa ishin zgjuar me një vrull për të mbështetur ato forcat e shumta që ishin aty. Gjithë kolegët tanë i gjetëm me lot, të pezmatuar. Sigurisht ishte një humbje për të gjithë, kush është shprehur hapur dhe kush nuk është shprehur duhet ta konsiderojë një humbje për trashëgiminë kulturore kombëtare dhe europiane.

Pas shembjes, por dhe para se të shembej teatri, kryebashkiaku Erion Veliaj dhe arkitektë e inxhinierë nga Instituti i Ndërtimit janë shprehur se godina ishte e rrezikshme. Më pas kur godina u shemb thanë se ishte e përbërë më së shumti nga tallashi. Nga ana tjetër ka pasur edhe nga ata që kanë thënë se tallashi është përdorur për akustikën në teatër. Ju si e komentoni këtë gjë?

Tallashi nuk është përdorur as për akustikën as për konstruksion në Teatër. Ata i referohen materialit që nuk ka lidhje me tallashin, i quajtur pupulitt, që është një material i fillimit të shekullit të XX i përdorur gjerësisht. Ky material prodhohet dhe sot, por ka emër tjetër. Linja është e njëjtë, me një gamë të gjerë, të paktën 5 teatro janë bërë gjatë këtij 2-vjeçari që ne kemi protestuar, që janë rinovuar në Itali, teatro që kanë përdorur edhe panelet e pupulitit në masat akustike. Kështu që kjo nuk qëndron. E njëjta gjë vlen edhe për relacionin e Institutit të Ndërtimit. Në akt konstatimin e parë nuk është thënë që Teatri duhet shembur. Thonë që ka shkallë degradimi të lartë, kushte të rënduara, por ne i dinim këto, sepse ka 30 vite pa investime në mirëmbajtje dhe rikuperimin e situatës atje. Nuk është faji i objektit kur ai lihet i degraduar.

Ju jeni shprehur në një postim të tuajin se në të vërtetë Teatri e ka pasur aktiv statusin si Monument Kulture. Mund të na i shpjegoni pak më tepër?

Në 2000 kur u shpall Qendra Historike dhe Akti Historik i Tiranës në VKM-në 180 shprehet se po shpallim Ansamblin Monument Kulture, pra ja ka dhënë statusin të gjithë Ansamblit. Nga ana tjetër në po këtë VKM, kërkohet që të angazhohen të gjitha palët me Ministrinë e Kulturës dhe atë të Infrastrukturës që të prishen të gjitha objektet pa leje brenda qendrës historike të Tiranës, gjë që nuk e dimë nëse ka ndodhur apo jo, por fakt është që në atë kohë Teatri ishte 61 vjeç, ishte legal, nuk ishte pjesë e nismës për të prishur objektet ilegale brenda qendrës. Më vonë në 2003, kur ndryshoi ligji i trashëgimisë kërkohej një vendim i veçantë për çdo objekt. Jo detyrimisht kur kërkohet një vendim i veçantë statusi që kanë aktiv monumentet bie, sepse nëse ne ndryshojmë ligjin i bie statusi automatikisht 5 mijë monumenteve në gjithë Shqipërinë, gjë që s’mund të ndodhë është absurditet. Atëherë statusi mbahet dhe shpallen të gjithë një e nga në një status të veçantë. Kjo i ka ndodhur Teatrit Kombëtar në 2004-ën dhe nuk ka një vendim që e heq, sepse ligji 90/48 thotë që autoriteti që e jep këtë status është dhe ai që e heq me vendim. Unë nuk kam parë deri më sot, ndonjë dokument të publikuar që i hiqet statusi Monument Kulture Teatrit Kombëtar.

Arkitektë përfshirë dhe ju janë shprehur se Teatri mund të ndërtohet ashtu siç ishte. Sa e mundur është kjo gjë dhe a mendoni se do të ketë sërish të njëjtat vlera pas rindërtimit?

Ne kemi dokumentacion të plotë arkivor, fotografik dhe rilevues. Jo më larg se 8 muaj më parë ne kemi realizuar një rilevim të detajuar që gjithë profesionistët e njohin si laser scaner 3D, janë instrumente të një teknologjie së lartë. Sigurisht që është krejtësisht e mundur ta risjellësh. Rindërtimet në fushën e restaurimeve njohin disa forma. Ka rindërtime që e sjellin objektin në të njëjtën formë, material dhe të njëjta raporte dhe krijojnë një kopje si të thuash. Ka raste kur dhuna që i ka prishur e justifikon rindërtimin si një kundërpërgjigje e njerëzve të qytetëruar ndaj një barbarie për të shuar memorien. Për shembull Varshava u bombardua krejtësisht gjatë Luftës së Dytë Botërore për t’i zhdukur trashëgiminë populli polak dhe u rindërtua e gjitha dhe është qendra e parë e mbrojtur nga UNESCO. Kemi edhe rindërtimin e kullës së sheshit të Shën Markut në Venecia apo në Bosnje që është rindërtuar Ura e Mostarit. Por ka dhe rindërtime në formë, në pjesë të caktuara, ku 80% është një objekt i ri, por rindërton pjesën e fasadës.

Është e rëndësishme që trualli i Teatrit Kombëtar, të mbetet për të dhe të mos kemi aty kulla apo zyra apo banalitete të tilla që dëgjojmë. Mënyra si mund të rindërtohet apo të ndërtohet aty duhet të jetë automatikisht pjesë e një konkursi ndërkombëtar, ku arkitektët të shpalosin talentin e tyre për ta risjellë këtë vepër si pjesë e qytetit.

Pavarësisht se nuk ka pasur një konkurs të mirëfilltë, Bashkia e Tiranës ka prezantuar një projekt për Teatrin nga Bjarke Ingels. Ju si e keni parë atë projekt?

Si një projekt i ardhur pa konkurs dhe si i tillë pa asnjë konsultim nuk ka ndryshuar asgjë nga forma e tij, nga prezantimi i parë deri më sot, edhe pse pretendohet se ka pasur 12 takime. Kur nuk ka dialog në të vërtetë, ju e kuptoni vetë që çfarë objekti mund të jetë ai. Vetëm demokratik nuk mund të jetë dhe nuk është. Në formë nuk është, ai injoron sheshin që ka pasur Teatri, del direkt në pedonale. Do ishte e kot të zgjatesha, mjafton të shikoni prononcimet e të ndjerit Maks Velo që e ka quajtur atë projekt një gafë, një teatër të denjë për një qytet të dorës së dytë në Shqipëri dhe kurrsesi për një Teatër Kombëtar, për një objekt në qendër të Tiranës.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet