Fleckenstein, negociata me kryeministrin dhe presidentin për Lleshin

Raportuesi i Shqipërisë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein, gjatë një deklarate për mediat theksoi se çështja e Ministrit të Brendshëm është shumë e rëndësishme dhe siguroi se ka biseduar me kryeministrin

Lindita Bushgjokaj

Ngërçi institucional midis Kryeministrisë dhe Presidencës, në lidhje me dekretimin e Sandër Lleshit, ka sjellë reagimet e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian të cilët po negociojnë për kapërcimin e krizës. Raportuesit për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein. I gjendur në Shqipëri për forumin e konektivitetit të Ballkanit Perëndimor, i pyetur nga mediat tha se kishte folur me kryeministrin Edi Rama për çështjen e Ministrit të Brendshëm të pa dekretuar nga Presidenti. Fleckenstein, përpara se të japë mendimin e tij për këtë çështje, do të presë të flasë dhe me presidentin Meta. Knut Fleckenstein theksoi se: “Pata mundësinë të flisja me Kryeministrin dhe shpresoj të kem mundësinë të flas edhe me të tjerët dhe pastaj mbase do të kem një mendim për këtë”. Fleckenstein u shpreh se Bashkimi Evropian po ndjek me vëmendje zbatimin e reformës në drejtësi, edhe pse do të kishin dashur të përparonte me shpejt. Ndërsa për të treguar se vendi është gati për negociatat, Fleckenstein tha se, duhet miratuar ligji elektoral. Fleckenstein theksoi se: “Shpresoj shumë që politikanët të gjejnë gjuhën e përbashkët për ligjin elektoral për t’i treguar Bashkimit Evropian që ky vend është i përgatitur, por do përqendrohemi së pari në reformën në drejtësi, sepse prioritetet e tjera mund të nisin paralelisht nëse ekziston një gjyqësor i pavarur”. Në forumin e konektivitetit, Fleckenstein kërkoi që liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor të bëhen bashkë për të rrëzuar barrierat në mënyrë që integrimi i plotë në Bashkimin Evropian i këtyre vendeve të përshpejtohet. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe përfaqësues të trupit diplomatik dhe gazetarëve ndërkombëtarë. Ndërlidhja midis vendeve të Ballkanit Perëndimor është një nga synimet kryesore të Bashkimit Evropian dhe të organit ekzekutiv të saj, Komisionit Evropian. Paraqitja dhe ecuria e reformave të ndërmarrë nga ana e institucioneve shqiptare, do të mund të përcaktojë edhe progres raportin e pranverës së vitit 2019. Pikëpamjet e Fleckenstein, për reformën elektorale dhe kodin zgjedhor, janë në përputhje me rekomandimet e OSCE/ODHIR. Të gjitha partitë jo parlamentare janë në sintoni me qëndrimet e tyre, për sa i përket kodit zgjedhor. Kjo është e vetmja mënyrë për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Edi Paloka: Lleshi është ushtar i Ramës, ja pse iku Xhafaj

Partia Demokratike ka vijuar edhe ditën e djeshme me akuzat dhe sulmet e saj në adresë të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Ka qenë nënkryetari i PD, Edi Paloka, i cili ka deklaruar se është rritur kriminaliteti në vend si pasojë e keqqeverisjes së Edi Rama. Ndërsa nga ana tjetër, Paloka ka zbardhur edhe arsyet e largimit të Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm. Sipas tij, Xhafaj iku sepse nisi të arrestonte njerëzit e Partisë Socialiste. “Jemi në një situatë ku krimi ka marrë të gjitha frenat në dorë. Se dimë se pse ka ikur Xhafaj. Ka shumë fjalë që e lidhin momentin e largimit të tij me kapjen e bandave të PS. Në këtë moment largohet Xhafaj dhe vjen një njeri që nuk është figurë publike dhe nuk mban asnjë përgjegjësi”, deklaroi ai. Mirëpo, gjatë fjalës së tij Paloka nuk kurseu edhe akuzat në adresë të zv/ministrit të ri, Sandër Lleshit. “Ministri i Brendshëm ka detyra të tjera. Posti i ministrit është politik. Vendosja e një njeriu të tillë, me profil fare të ulët politik, të bën të mendosh që ky do të marrë urdhër nga Rama dhe s’do të luftojë krimin. Kemi bindjen se Rama nuk i donte këto goditje që bëri Xhafaj (arrestimet). E fundit fare është ajo me Dakon, pasi ai është njeriu më i rëndësishëm për Ramën. Rama nuk donte që të bëhej kjo goditje për Dakon, ndaj erdhi kjo lëvizje. Unë i thash Lleshit dje që të tregojë rastin se nuk është ushtar i Ramës. Nëse ai do të ishte një njeri me profil politik dhe të zbatojë ligjin dhe mos të bëhet mbrojtje e krimit dhe politikës së lidhur me krimin, të gjitha gjasat ashtu do jetë”, u shpreh ai. Më tej, Paloka u ndal tek fakti se pse opozita nuk e mbështeti kandidaturën e Lleshit si ministër, Paloka tha se ai nuk është figurë e spikatur politike dhe se do të jetë ushtari i Ramës. “Arsyet se pse Meta nuk e ka dekretuar Lleshin, duhet t’i kërkohen atij. Se di nëse është detyrim që arsyet Meta t’i bëjë publike. Ne duhet të dimë pse ka ikur Xhafaj. Edhe Meta ka të drejtën e tij që të deklarohet apo jo për arsyet. Ai ka thënë se; “Jam gati që të vijë në Parlament dhe të japë sqarime, me dyer të mbyllura apo të hapura”. Jam shprehur në emër të PD dhe personalisht dhe arsyeja është një dhe shumë e thjesht. Lleshi vjen në postin më të rëndësishëm qeveritar në një kohë kur Shqipëria vuan nga krimi i organizuar. Në këtë kohë na vjen një figurë që do të jetë shërbëtor i Ramës”, nënvizoi deputeti i PD, Edi Paloka.

Kryemadhi takon Fleckenstein: Rama po bllokon integrimin

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka zhvilluar pasditen e djeshme një takim me raportuesin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Knut Flecenstein. Përmes një postimi në Facebook, Kryemadhi thotë se perspektiva Evropiane është prioritet i palëkundur për LSI, ndërsa sipas saj kryeministri Edi Rama dhe mazhoranca janë sot bllokuesit e vetëm të reformave kyçe dhe integrimit të vendit. Statusi i plotë i Kryemadhit: “Falënderoj raporterin Fleckenstein për rolin e tij mbështetës si raportues për Shqipërinë në Parlamentin Evropian. Perspektiva Evropiane është prioritet i palëkundur për LSI. Ne kemi qene mbështetësit më të fortë të reformës në drejtësi, duke votuar dhe hapur rrugë çdo hallke që bënte të mundur implementimin e saj. Rama dhe mazhoranca janë sot bllokuesit e vetëm të reformave kyçe dhe integrimit të vendit. Zgjidhja e vetme është kthimi i reformës në drejtësi në shtratin kushtetutës të 21-22 korrikut dhe marrja në shqyrtim e propozimeve konkrete të opozitës për zhbllokimin e krizës së shkaktuar nga kapja e shtetit nga mazhoranca”.

Fatmir Mediu: Prishja e Gjykatës Kushtetuese iu kthye bumerang Ramës

Disa deputetë të Kuvendit të Shqipërisë kanë monitoruar zgjedhjet për Kongresin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të dërguar nga OSBE me mision afat-shkurtër. Mes tyre ishte dhe Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane, njëkohësisht dhe anëtar i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore. I ftuar në studion e Zërit të Amerikës, ai tregoi se për çfarë duhet të marrë shembull Shqipëria nga procesi zgjedhor amerikan. “Ishte një proces i jashtëzakonshëm, qoftë nga pjesëmarrja qoftë nga standardet zgjedhore, si dhe rregullat. Tamam kur vendos një qytetar dhe jo një parti politike,” tha ai. Mediu foli edhe për situatën aktuale politike në Shqipëri.

A ka të drejtë Meta të mos dekretojë një ministër, rasti i Sandër Lleshit?

“Presidenti i Republikës e ka të drejtën Kushtetuese për të dhënë mospëlqimin. Por gjithmonë duhet të japë arsyet e mospëlqimit bazuar në kriteret Kushtetuese. Por ne kemi mungesë të Gjykatës Kushtetuese se Rama e ka shkatërruar. Është goditje bumerang që po i vjen Ramës. Presidenti merr kohën e nevojshme për të mbledhur informacionet në lidhje me propozimin. Ka pasur një diskutim rreth 90 minuta mes Ramës e Metës, dhe u duk sikur mes tyre kishte një dakordësi”

Qëndrimi bojkotues i opozitës, ndërkombëtarët nuk janë pro me këtë

“Kam një shqetësim real për Reformën Zgjedhore. Nuk është e plotë. Është thjeshtë një diskutim mes palësh, nuk janë diskutuar çështjen që kanë të bëjnë me Kushtetuetshmërinë. Duhet zgjidhur çështja e blerjes së votës. Do bëjmë ç’do bëjmë ne do shkojmë në zgjedhje, por duhet një reformë e qenësishme, që s’ka të bëjë vetëm me votimin elektronik”

Listat e hapura, mungesa e tyre ka sjellë parlament më të dobët

“Kemi një parlament jo vetëm të dobët, por dhe të inkrimuar. Kanë dalë hapur për herë të parë elementë kriminalë. Janë të lidhur me vetë kryeministrin dhe ky nuk quhet përfaqësim i popullit. Opozita nuk e ka forcën për të blerë vota”.

Ambasada e SHBA: Duhet Ministri e Brendshme funksionale

Në një reagim të sajën, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thekson se funksionimi i Ministrisë së Brendshme është thelbësore për të vijuar me rezultatet e deri tanishme. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të këtyre reformave. Ambasada Amerikane në Tiranë ka dhënë një mesazh të qartë për politikën shqiptare, duke nisur nga reforma në drejtësi dhe deri tek ‘fati’ i Ministrisë së Brendshme. Përmes një postimi në ‘Facebook’ ambasada ka përgëzuar vendin tonë për luftën e deritanishme kundër krimit të organizuar. Po ashtu ambasada e SHBA-ve thekson se: “Një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale është një element kyç për të siguruar vazhdimësinë e këtyre përpjekjeve dhe rezultateve të deritanishme”. Kujtojmë se pas dorëheqjes së Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm, Rama propozoi emrin e Sandër Lleshit. Por ky i fundit nuk u dekretua nga presidenti Meta. Ndërkohë, Rama nuk u tërhoq, duke propozuar Lleshin zv/ministër të Brendshëm, i cili u emërua zyrtarisht nga Kuvendi në këtë post, por me kompetencat e ministrit. Përgjatë muajve të fundit, jemi inkurajuar nga përparimi që kemi parë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri – rezultat i drejtpërdrejtë i punës së bërë nga autoritetet shqiptare, veçanërisht oficerëve të policisë dhe prokurorëve, të cilët luftojnë për drejtësi të vërtetë për të gjithë shqiptarët. Ka ende punë për të bërë dhe presim që këto përpjekje jo vetëm të vazhdojnë, por edhe të shtohen. Një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale është një element kyç për të siguruar vazhdimësinë e këtyre përpjekjeve dhe rezultateve të deritanishme. Qeveria e SHBA qëndron e gatshme për të punuar me partnerët tanë shqiptarë. Ne do të ofrojmë asistencë kudo që të jetë e mundur për të ndihmuar mposhtjen e krimit të organizuar e korrupsionit, për të vazhduar përparimin e reformës në drejtësi, dhe për të siguruar sundimin e ligjit për popullin shqiptar.”, thuhet në mesazhin e ambasadës.

Gjonaj takon Fleckenstein: Së shpejti ngrihet KLP dhe KLGJ

Ministria e Drejtësisë Etilda Gjonaj është takuar sot me Raportuesin për Shqipërinë në në Parlamentin Europian, eurodeputetin Knut Fleckenstein, i cili shoqërohej nga Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca. Duke u ndalur tek rezultatet e reformës në drejtësi, Gjonaj e njohu të dërguarin e PE me ecurinë e procesit për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, për të cilat tha se “pritet të përfundojnë shumë shpejt”. Nga ana e tij Raportuesi i PE, Knut Fleckenstein vlerësoi përpjekjet e mëdha që janë bërë jo vetëm në Reformën në Drejtësi por edhe në proceset e tjera si lufta kundër korrupsionit, reforma e tokës dhe sistemin penitenciar. Ai kërkoi të vazhdohej në rrugën e nisur duke përshpejtuar proceset dhe shprehu gadishmërinë e plotë për të mbështetur zbatimin e reformave shtetformuese. Përsa i përket masave në luftën kundër korrupsionit, ministrja Gjonaj ka theksuar se mekanizmi i ngritur nga qeveria po funksionon me efikasitet të plotë, duke evidentuar dhe ndëshkuar një numër të konsiderueshëm drejtuesish dhe nëpunësish të administrates. Task Forca Antikorrupsion në bashkëpunim edhe me institucionet e tjetra ligjzbatuese ka dërguar në prokurori për ndjekje penale 35 zyrtarë të lartë, ndërkohë që janë marrë rreth 400 masa të tjera disiplinore. Gjonaj e konsideroi një takim të frytshëm dhe të fokusuar tek reformat si ngritja e institucioneve të reja në drejtësi, KLP dhe KLGJ, lufta kundër korrupsionit, reforma në sistemin penitenciar, reforma e pronës dhe masat e reja për forcimin e sigurisë së brendshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Tradhtia e patriotizmit

Nga Koço Kokëdhima Në të njëjtën ditë që Rama përmbysi shqiponjën “korb” në hyrje të Tiranës, Macron në Paris fliste…

Abissnet