Flasin mjekët e Urgjencës pas dorëheqjes: Jemi të gjithë…

Publikuar më 05. 12. 2017 nga Xhentila Gjoshi

Kushtet e vështira në punë, bënë që tetë mjekë të Urgjencës në QSUT të jepnin dorëheqjen nëpërmjet një letre drejtuar kryeministrit Rama, Presidentit Ilir Meta dhe ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
Nuk dimë nëse ata kanë ndryshuar mendje pas negociatave me zv/ministren e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, por shefi i shërbimit të Urgjencës, prof. Edmond Zaimi në një prononcim për mediat thotë se bëhet fjalë për një problem të brendshëm, ndërsa mjekët që kanë firmosur peticionin vijojnë punën në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga drejtoria.
“Siç e shihni edhe vetë situata është e ngarkuar me shumë të sëmurë, jo vetëm të Tiranës por nga e gjithë Shqipëria, i kalon kapacitetet e shërbimit tonë, shtohet një ngarkesë e madhe për personelin çka bën që edhe gabimet të shtohen. Në këto kushte i gjithë stafi i Urgjencës ka shkruar një tip peticioni për drejtorin e Urgjencës por që akoma nuk është dorëzuar, me kërkesat tona për të rregulluar gjendjen. Janë problem që duam ti zgjidhim me forcat tona të brendshme. Ne nuk kemi dhënë dorëheqje në ‘97, kjo është një kërkesë drejtuar drejtorisë. Ne të gjithë jemi në punë por ngarkesa është shumë e madhe”, thotë ai.