Fituesi i “Krim mjedisor”- politikanëve: Artisti s’mund të lidhet me zinxhir!

Nga Valeria Dedaj

Veprat e konkursit “Krim mjedisor” ekspozohen në FAB. Silver Balla është fituesi i çmimit të parë, me “Ndërveprim i fraktuar”. Artisti u bën thirrje politikanëve, që të mbështesnin artin, duke mos u imponuar zgjedhje artistëve

Një betoniere, brenda së cilës ka lule në vend të materialeve ndërtimore, gjendet në hyrje të galerisë së Fakultetit të Arteve Pamore. Ndërsa, vet ideatorët e ekspozitës “Krim mjedisor” kanë zgjedhur, që çeljen e saj ta bëjnë me megafon në shenjë proteste ndaj çdo krimi, që bëhet ndaj mjedisit.

Dekani i Fakultetit të Arteve Pamore, Ardian Isufi, e konsideron këtë veprim të realizuar nëpërmjet formës artistike, një protestë sensibilizuese. “Kjo është një ekspozitë me nuanca politike, shoqërore edhe sociale. Është një kontribut shumë i vyer, që vjen nga artistët e rinj për të komunikuar me publikun”.

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, shprehet se: “Nuk është shumë e këndshme, të zgjohesh një mëngjes me betoniere në dritare”. Ndërsa, duket sikur në Shqipëri janë pajtuar të gjithë me këtë realitet, studentët me artin e tyre bëjnë thirrje për sensibilizim. Artistët r rinj me artin e tyre dëshirojnë që t’i flasin jo vetëm shoqërisë, por edhe vendimmarrësve, politikanëve. Një nga artistet e reja ka zgjedhur të tregojë se si rriten me pesticide pa asnjë kriter ushqimet që hanë shqiptarët. Janë pesticide, që përditë vrasin në heshtje.

Pjesë e ekspozitës janë edhe vepra të tjera, që të rinjtë kanë realizuar për konkursin e finalizuar në ekspozitën “Krim mjedisor”.

Egi Pipero vjen me instilacionin “Udhëtim në qendër të tokës”, Suela Qemali me “Pa titull”, e cila ka realizuar një vepër me lule shumëngjyrëshe, krah së cilës ka shënuar edhe thënien e Albert Ajnshtajnit, “Shikoni thellë në natyrë edhe atëherë do të kuptoni më mirë”. Kristina Dervishi sjell “Gjergjefin”, që vajzat shqiptare e përdorin për të qëndisur ëndrrat dhe dëshirat e tyre, ndërsa në këtë rast artistja e re e përdorë për të qëndisur natyrën.

Silver Balla, student i vitit të dytë në degën e skulpturë-qeramikës përzgjidhet fitues i konkursit të organizuar nga OSBE. Vepra e tij, “Ndërveprim i fraktuar”, prezanton atë çka ndodh pasi njeriu vendosë dorë në natyrë. Në një rrëfim për “Shekulli”-n, Silver tregon se si ka lindur kjo vepër, por dhe sesa premtues është mjedisi kulturor për të rinjtë në Shqipëri. Ndonëse, studimet në bachelor është duke i përfunduar, kur e pyet se si e mendon të ardhmen e tij, thotë: “E ardhmja ime është një enigmë”.

Silver, si ndihesh pas çmimit që fitove në konkursin “Krim mjedisor”?

Konkurrova për herë të parë edhe jam fitues i këtij konkursi. Ndihem mirë, sepse kjo është një nismë që të sensibilizojmë njerëzit përreth nesh, që të mbrojnë mjedisin edhe të jenë më të kujdesshëm ndaj veprimeve kundrejt tij. Ndryshimet në mjedis vijnë pikërisht nga veprimet tona.

Vepra jote është një skulpturë-instalacion “Ndërveprim i fraktuar” në dru dhe metal. Çfarë mund të na thuash më tepër për realizimin e saj?

Fillimisht angazhimi im lidhur me temën e mjedisit ka nisur në një organizatë, në të cilën kam bërë trajnime në shkollën 9-vjeçare deri në të mesmen.

Ndërsa, kjo punë vjen si rezultat i një mundi të thellë, e kam mbajtur në duar rreth 5 muaj para se ta ekspozoja. Ka të bëjë më shumë me ndotjen e ujërave, mbetjet toksike, helmet dhe pesticidet ndikojnë, që kafshët të lindin me anomali. Ky është një shkatërrim që i ndodh natyrës, për shkak se ne jemi të pandjeshëm ndaj asaj, që ndodh realisht.

I je referuar një situate konkrete në Shqipëri?

Ky është një produkt i fantazisë, por edhe i ngjarjeve, që ne kemi hasur në mjedis. Në Shqipëri nuk është se janë bërë kërkime për këto situata, por edhe ekzistojnë. Prandaj, është një temë që nuk prek vetëm Shqipërinë, por edhe vendet e tjera.

A ke një mesazh, që ke dëshirë të përcjellësh nëpërmjet saj?

Mesazhi që do të përcillja është që të tregohemi më të kujdesshëm ndaj gjërave që na rrethojnë, sepse në fund të fundit një ditë pasojat do të bien mbi ne. Në rrethin tim shoqëror mundohem, që t’i sensibilizojë miqtë edhe për mbeturinat e vogla, që hedhin në tokë.

Mendon se institucionet duhet të luajnë më shumë rol në sensibilizimin e shoqërisë për mjedisin?

Ka shumë forma, se si mundet që të sensibilizohet shoqëria jonë, mjafton vetëm që të ketë vullnet për t’i vënë në zbatim ato.

Nëse rikthehesh mbrapa, si ka lindur dëshira jote për t’u marrë me art?

Jam në vit të dytë për skulpturë-qeramikë. Dëshira për skulpturën tek unë ka lindur që herët dhe me mbështetën e prindërve nisa liceun artistik. Sot jam në akademi dhe shumë i kënaqur, pavarësisht se ende nuk e di ende se çfarë do të bëj nesër. Por, ky çmim më motivon mua dhe studentët që janë në akademi. Është shpërblimi i një punë që është bërë për një kohë të gjatë.

Meqenëse jemi tek sensibilizimi. A e keni ndjekur protestën e aktorëve kundër shembjes së Teatrit Kombëtar. Sa jeni sensibilizuar me kauzën e tyre?

Në fakt kam dëgjuar, por nuk jam futur thellë në këtë problem. Në gjykimin tim, mendoj se arti ka nevojë për hapësirë. Nëse arti vendoset nëpër cepa nuk ka mundësi që të zhvillohet. Kërkon hapësirën e vet që të rritet. Kërkon më shumë përkushtim edhe vëmendje, jo vetëm nga ne artistët, por edhe nga politikanët edhe njerëzit e thjeshtë. Arti është një mënyrë sensibilizimi për të gjithë shoqërinë.

Ndikimin e politikës në art si e vlerëson?

Nuk është një gjë e pëlqyeshme, por do të doja shumë, që elita e Shqipërisë apo politikanët të jepnin më shumë, sa i përket sistemit arsor. Duhet që të ndihmohen brezat që vijnë, që të kenë arsim sa më të mirë. Duke pasur një arsim më të mirë, do të kemi dhe një nivel më të mirë intelektual.

Shpreson për sistem arsimor më të mirë, kur politikanët kanë në duar edhe fatin e artistëve më të mirë në vend…

Normale, prandaj po i përfshij edhe ata, pasi mendoj se janë një hallkë e rëndësishme, në kontributin që duhet të japin, duke nisur që nga arsimimi i fëmijëve. Nëse nis gjithçka këtej, çdo gjë do të përmirësohet për mirë.

Mendon se është gjë e mirë që jeta e një artisti të varet nga politika?

Jo! Këtu edhe përfshij edhe veten time, pasi nëse mua do të më imponohen ato që do të bëj, në veprat e mia do të shprehja mërzitje, zemërim, agresion kundrejt tyre. Kjo mbase nuk do të jetë një formë të drejtpërdrejtë, por në mënyrë indirekte nëpërmjet veprës. Një artist nuk mundet që të jetë asnjëherë i lidhur me zinxhir.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Enklava apo komuna?

Emilie Fort Pothuajse një vit më parë, kur shkëmbeva disa email-e, me një profesoreshë në Beograd, unë theksova përdorimin e…

Abissnet