Fitojmë apo humbasim nga aeroporti i Vlorës?

Nga Zef Preçi

Në ligjin nr. 55/2016 datë 19.5.2016 “Për ratifikimin e ndryshimit të marrëveshjes së koncesionit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë koncesionare “Tirana Airport Partners” sh.p.k., për ndërtimin, vënien në punë, operimin dhe mirëmbajtjen e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Tiranë, ratifikuar me ligjin nr. 9312, datë 11.11.2004”, nëe pikeën 4.2 (Afati) eështeë parashikuar sa vijon: “Palët bien dakord se fjalia e parë e klauzolës 2.2 (Afati), paragrafi “a”, e marrëveshjes fillestare të koncesionit do të fshihet dhe zëvendësohet me për sa më poshtë: “a) Koncesioni jepet për një afat kohor prej 22 (njëzet e dy) vitesh, duke filluar nga data e fillimit (Afati i koncesionit). Në rast se ndonjë aeroport apo aeroporte, përveç Aeroportit të Kukësit, fillon operimin (për fluturime tregtare (që për këtë qëllim do të thotë data në të cilën kryhet fluturimi i parë tregtar) në Republikën e Shqipërisë përpara datës 23 prill 2025 (operimi i një aeroporti të ri tregtar), afati i koncesionit do të zgjatet si më poshtë (zgjatja e afatit të koncesionit nuk do të tejkalojë limitin maksimal prej 4.5 (katër pikë pesë) vite në total)”. Zgjatja e afatit të koncesionit sipas ketij ligji do të aplikohet për rastin e parë të operimit të një aeroporti të ri tregtar pavarësisht numrit të aeroporteve të tjera, të cilat mund të fillojnë operimet brenda afatit kohor 2016-205 duke filluar me 4,5 vjet ne vitin 2016 dhe duke u ulur me 6 muaj çdo vit deri ne 2025.. Në atë kohë, zgjatja nga 20 në 22 vjet, dmth deri në 2027 e kontratës koncesionare për aeroportin e Rinasit u justifikua zyrtarisht me ndërtimin e Aeroportit të Kukësit, pa ndonjë rol ekonomik, ndoshta edhe në të ardhmen, por që në fakt mundësoi ruajtjen e fitimit monopol të koncesionarit të Rinasit.

Ndërsa në lidhje me ndërtimin e aeroportit të Vlores, një zyrtar i lartë i qeverisë deklaroi vetëm dy ditë më parë se “Puna për ndërtimin e aeroportit të Vlorës do të nisë këtë vit. Kështu bëri të ditur ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri pas mbledhjes së qeverisë. Ai tha se është miratuar pr/ligji për nisjen e negociatave me kompanitë private turke. “Do të jetë aeroporti më i madh e modern në vend. Më i madhi se Rinasi. Investitorët do të hedhin 100 milionë euro dhe do të jetë tërësisht privat”, tha Gjiknuri. Po kështu, burime të tjera të besueshme të shtypit bëjnë me dije se kompania e re që zotëron aeroportin e vetëm ndërkombëtar të vendit – Rinasin, është ndër bizneset me fitimprurëse në vend. Të dhënat për vitin 2016 (sepse të dhënat e 2017-tës nuk janë publikuar ende) e tregojnë qartësisht këtë rezultat të “mahnitshëm” financiar, që në thelb dëshmon rregullimin korruptiv të tregjeve dhe mungesën e konkurrencës në to, paaftësinë e organeve shtetërore që përmes ligjit të cituar më sipër i zgjatën afatin e koncesionit me dy vjet kundrejt kontratës fillestare, gjë që përkthehet në të pakten 35 milionë euro fitim monpol i kësaj kompanie duke varfëruar më tej qytetarët shqiptarë, sidomos bashkëatdhetarët tanë që punojnë dhe jetojnë në vendet e BE-së. Kështu, në qershorin e kaluar MONITOR shkruante: “TIA, e cila vitin e kaluar u shit te kompania offshore REAL FORTRESS PRIVATE LIMITED, me seli në Singapor dhe që arriti të zgjaste dhe me dy vjet afatin e koncesionit me qeverinë shqiptare, rezulton të ketë arritur një fitim rekord në 2016-n. Sipas të dhënave të publikuara në bilanc, fitimi bruto (para taksave) i Tirana International Airport në vitin 2016 arriti në 2.3 miliardë lekë, ose rreth 17 milionë euro, me një rritje prej gati 16% në raport me vitin e mëparshëm. Ky është niveli më i lartë i fitimit që TIA ka arritur në vitin 2004, kur ka filluar aktivitetin në Shqipëri”. E njëjta revistë e rendit këtë kompani si një ndër kompanitë më fitimprurëse në Shqipëri, përveç kompanive që punojnë me tendera dhe të tjerave me koncesione.

Projektligji: “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës, ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërive “Cengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction”, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e aeroportit të qytetit të Vlorës”, i ndërmarrë nga qeveria me 24.01.2017, u shqyrtua dhe u miratua nga Kuvendi me procedurë të përshpejtuar një ditë më pas dhe pritet që brenda 45 ditëve të negocohet kontrata përkatëse. Në të njëjtën ditë, shtypi pranë qeverisë njoftonte se “…në projektligjin që po përgatitet për Vlorën mendohet se do të përfshihet një klauzolë e rëndësishme, sipas së cilës riskun e biznesit nuk do ta kenë kompanitë private, por buxheti i shtetit” . “Pra, shteti shqiptar do t’i garantojë konsorciumit privat një nivel dysheme të ardhurash vjetore, sipas një formule koncesioni…” Sipas shtypit, studimi i fizibilitetit për aeroportin e Vlorës është kryer gjatë dy muajve të fundit të vitit 2017 nga Sëd Consulting, një kompani arkitekturore vendase. Në këto kushte, nisur nga përvojat e kohëzgjatjes së ndërtimeve të ngjashme, brenda vitit 2019 ky aeroport do të jetë formalisht i përfunduar. Si rezultat, koncesionari do të gëzojë edhe të paktën 2,5 vjet zgjatje të koncesionit që vetëm me nivelin e fitimit vjetor të 2016-ës, është ekuivalente me më shumë se 50 milionë euro fitim monopol në favor të koncesionarit të Rinasit. Kjo e çon shfrytëzimin e zgjatjes së kontratës koncesionare të Rinasit në 4.5 vjet, d.m.th. në maksimumin e mundshëm të parashikuar më 2016.

Nisur nga sa më sipër, mendoj se investimi turk në aeroportin e Vlorës, për shkak edhe të implikimeve gjeo-stategjike dhe ndërthurjes me raportet delikate midis Turqisë dhe Greqisë, por para së gjithash në planin thjesht financiar, siç u analizua më sipër, është vështirë të gjejë justifikim dhe të sjellë dobinë e pretenduar në interesat e ekonomisë shqiptare. E nëse flitet për një investim me procedurë “një kërkesë të pakërkuar” është paradoksale se si kjo procedurë sjell detyrimisht në garantimin buxhetor të fitimit të parashikuar të kompanisë. madhësinë e të cilit në miliona euro asnjëri nuk e di akoma, d.m.th. garantimin e një “fitimi të domosdoshëm” në një “tender” publik, metoda më e sukesshme e përdorur në shumicën e kontratave koncesionare të shtetit shqiptar gjatë 20 viteve të fundit… Gjithsesi mendoj se studimi i fizibilitetit rreth këtij investimi duhet të jetë i hapur për publikun dhe palet të tjera të interesuara, për të patur më shumë transparencë ndaj taksa-paguesve në përgjigje të pyetjes: fitojmë apo humbasim më shumë nga ndërtimi s’afërmi i aeroportit të Vlorës?

Të tjera

Enklava apo komuna?

Emilie Fort Pothuajse një vit më parë, kur shkëmbeva disa email-e, me një profesoreshë në Beograd, unë theksova përdorimin e…

Abissnet