Fitoi Bashkimi me Shqipërinë

Jak Simoni

Më në fund fitoi Bashkimi me Shqipërinë. Vetëvendosja, partia  e drejtuar nga Albin Kurti, që ka në program Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë fitoi zgjedhjet e parakohshme në Kosovë; zgjedhje këto, të zhvilluara qetësisht dhe të pranuara lehtësisht nga “humbësit”. Besimi në idetë e tyre, durimi dhe sakrifica e vazhdueshme e anëtarëve dhe simpatizantëve të kësaj partie, me në fund,  u shpërblyen nga zgjedhësit kosovar. Kjo fitore do të ketë ndikim dhe në Shqipëri, sepse lideri dhe përfaqësues të tjerë të partisë Vetëvendosja kanë qenë vazhdimisht prezent në Shqipëri dhe mjaft të ndjeshëm ndaj problemeve të Shqipërisë, duke i konsideruar ato mjaft të ngjashme, për mos të thënë të përbashkëta, pikërisht siç janë mbartësit e tyre shqiptarët dhe kosovarët. Në të ardhmen bashkëpunimi i Kosovës me Shqipërinë do të jetë me i madh  dhe në horizont Bashkimi i tyre duket me i afërt. Jo se do të jetë e lehtë për tu realizuar, por as pavarësia e Kosovës s’ishte e lehtë, por u realizua, natyrisht me sakrifica të mëdha të tyre dhe me  ndihmën e NATO-s.   Për t’u arritur ky qëllim, duhet të  përballohen probleme të shumta, sidomos brenda për brenda për të vijuar me kompleksitetin e rajonit e  më gjerë. Kështu, vetëvendosjes do t’i duhet më shumë diplomaci se vendosmëri. Kur bëhet fjalë për çështje të mëdha, është i detyruar kalimi nga vetëvendosje në bashkëvendosje. Është mirë që çështja e Bashkimit të Shqipërisë  me Kosovën të çlirohet më në fund nga retorika nacionaliste, për t’u fokusuar tek ekonomia dhe tek mënyra për të kaluar keqfunksionimin e institucioneve të të dy vendeve të vuajtura; të parët nga vetvetja (së paku prej 75 vitesh) dhe të dytët, përjashto kohët e fundit, historikisht  nga pushtuesit. Në kohët e sotme në tryezat ndërkombëtare argumentimi në terma ekonomike bën më shumë vend se nacionalizmi i tepruar. Në planin ekonomik, kur ekonomitë e dy shteteve Bashkohen, pa dyshim se do të ketë prosperitet. Në planin politik Bashkimi në një  i institucioneve kryesore të Shqipërisë dhe Kosovës  do rriste besimin e munguar dhe shpresat për t’i bërë sa më  funksional. Kancelaritë evropiane (në rast se nuk e kanë kuptuar)   do të kuptojnë shumë shpejt se është më mirë dhe për ta të merren me sa më pak shqiptar e të dëgjojnë më pak të njëjtin theks shqiptar të anglishtes  në tryezat e tyre (faktikisht fjalë kemi shumë e vepra krejt pak).  Në fund të fundit ato do të përqendrojnë forcat në institucione të përbashkëta të një shteti federal të vetëm, kryesisht  të  drejtësisë, gjë të cilën aktualisht e bëjnë në mënyrë të dyfishtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Lapërdhosja e shtetit

Rezart Prifti Këto ditë të bukura Tetori në Shqipëri diskutohet si përherë për surealen, për të paprekshmen, për atë që…

Abissnet