Firmoset marrëveshja diplomatike Shqipëri-Kosovë

Shqipëria dhe Kosova kanë nënshkruar sot një marrëveshje ndërministrore, e cila në thelb do synojë bashkimin e përfaqësive diplomatike dhe konsullore në fushën e politikës së jashtme.

Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Kosovës u firmos nga dy ministrat e Jashtëm si Gent Cakaj dhe Behgjet Pacolli, të cilët sqaruan edhe pikat teknike të saj. Ministri në detyrë, Gent Cakaj tha se Shqipëria dhe Kosova do të veprojnë tani si një trup i vetëm dhe me qasje aktive në politikën e jashtme.

“Kemi vendosur ngritjen e grupit ndërministror për përfaqësim të përbashkët ndërkombëtar me qëllim të bashkërendimit të qëndrimeve politike në terrenin ndërkombëtar dhe marrjen e detyrimeve konkrete për përfaqësim të njëra-tjetrës sipas vlerësimeve të përbashkëta veçanërisht në organizata ndërkombëtare. Veçanërisht Republika e Shqipërisë nga sot e tutje merr përsipër jo thjesht afirmimin deklarativ por edhe përfaqësimin e drejtpërdrejtë, mbrojtjen konkrete dhe afirmimin pa kushte të qëndrimeve zyrtare të Republikës së Kosovës në të gjitha instancat ndërkombëtare ku përfaqësimi i Kosovës për shkaqe objektive është i pamundur.

Kemi vendosur edhe ngritjen e Këshillit të përbashkët për planifikim strategjik i cili ngarkohet me detyrën e përcaktimit të prioriteteve strategjike dhe propozimin e rregullt të politikave të rëndësisë kombëtare. Kosova dhe Shqipëria tani e tutje do të veprojnë si një trup i unifikuar, por edhe me një qasje aktive në botën e jashtme.Jemi dakordësuar  për fillimin e punës për ngritjen e fondit të përbashkët për menaxhimin, ngritjen dhe zhvillimin e ambasadave dhe konsullateve nëpër botë. Kosova dhe Shqipëria nga sot e tutje fillojnë punën për të pasur Ambasada dhe konsullata të përbashkëta anembanë botës. Për ti shërbyer trupës së integruar diplomatike, Kosova dhe Shqipëria menjëherë nga sot e tutje do të fillojnë krijimin e një platforme të përbashkët të trajnimeve midis akademive të tyre diplomatike.

Së treti shtylla profesionale. Kam parasysh rritjen e aftësive në shërbimin diplomatik dhe angazhimeve tona të përbashkëta për të shkëmbyer personelin. Po pres me padurim ardhjen e diplomatëve të parë kosovarë në shërbimin diplomatik të Shqipërisë. Po ashtu jam tepër i entuziazmuar për diplomatët e Shqipërisë që do të shkojnë të shërbejnë nëpër qendra diplomatike ku Kosova gëzon avatntazh të padiskutueshëm përfaqësimi. Kjo masë do të shoqërohet dhe me këmbime të stafit në Ministritë tona”-tha Cakaj.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Begjet Pacolli theksoi se ky bashkëpunim do t’i bëjë të dy shtetet më të unifikuara dhe më të forta.

“Ne do të punojmë në interesa të dy shteteve së bashku, por de facto dhe de juro do të punojmë dhe do shihni se rezultatet do jenë më të mëdha. Jetojmë në një kohë kur politika dhe interesat e shteteve të ndryshme kanë ndryshuar dhe ne duhet ti adaptohemi këtij realiteti. Adaptimi ynë fillon edhe nëpërmjet kësaj marrëveshje dhe do jetë më tepër në vendet ku nuk kemi qenë deri tani. Duhet të hapim diplomacitë. Ka një mori vendesh ku ne operojmë si dy entitete dhe unë mendoj se kjo është e tepërt.Ne duhet që këto energji t’i bashkojmë dhe të veprojmë sëbashku, që ne të kemi përfaqsi të përbashk2ta. Nëse ne jemi të aftë të bashkëpunojmë të me njeri-tjetrin do jemi të aftë të bashkëpunojmë edhe me të tjerët. Shtylla e diplomacisë kulturore. Shqipëria dhe Kosova sot kanë rënë dakord për zhvillimin e një kalendari të përbashkët të aktiviteteve kulturore me qëllim ruajtjen dhe promovimin e vlerave kombëtare”-tha mes tjerash Pacolli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet