Festivali në RTSH, Manjola Nallbani: S’di në çfarë vendi jam renditur, fituesi u shpall 20 ditë përpara

Publikuar më 26. 12. 2017 nga Dionis Xhafa

Këngëtarja Manjola Nallbani ka shkruar një status në profilin e saj në “Facebook”, ku shprehet se nuk e di se në çfarë vendi është renditur dhe shtojnë se fituesi në festival u shpall përpara 20 ditëve.

Statusi i Manjola Nallbanit:

Arsyeja kryesore pse po shkruaj pas festivalit është të falenderoj me gjithë shpirt publikun, që me dha aq dashuri dhe mbështetje, duke qenë e vetmja këngë që u kthye në të 2 netët e konkurrimit. Një kënaqësi bashkëpunimi me talentin Elgit Doda që krijoi muzikën dhe Rozana Radin për ato vargje aq të bukura që i këndova e i ndjeva në çdo gërmë! Talent si gjithmonë Enada At’Nikolla në realizimin e veshjes. Falënderoj me shpirt secilin nga ju miqtë e mi për vlerësimin, mbështetjen dhe urimet që më keni bërë kudo dhe pse pjesa më e madhe e mbështetësve të mi, nuk janë moshë dhe kategori që të kalojnë ditën duke bërë like e komente në rrjete sociale! Fundja ky është qëllimi i gjithë karrierës sime, që t’ju jap emocione të bukura përmes zërit dhe shpirtit tim. Nuk kam asgjë me fituesin, sepse Eugenti është këngëtar shumë i mirë e kënga ishte e bukur po një gjë nuk kuptova: po kaq këngëtare e këngë shumë të mira ishin dhe te Elton Deda, Mariza Ikonomi, Redon Makashi e ndonjë tjetër dhe sigurisht kënga ime “I njëjti qiell” po për asnjë nga këto nuk kisha dëgjuar që do ishin fitues që para 20 ditësh si për fituesin aktual, megjithëse këngë fituese apo jo, kuptohet vetëm në momentin kur këngëtari këndon live në skenë. Këtë shqetësim e kam ndarë me këdo që kam folur e takuar shumë ditë para festivalit! Ndoshta rikthimi im ishte i nxituar derisa as këtë vit, nuk pata asnjë surprizë kur u tha çmimi i parë, siç ndodhte dikur. Megjithatë reagimi dhe dashuria juaj janë arsyeja e vetme që më bënë të mos pendohem deri në fund që iu riktheva festivalit! Sa për jurinë, unë akoma sot nuk di e sata u rendita në këtë festival! Kaq e kisha detyrim për veten time ta shkruaja! Ju uroj festat e qofshi të lumtur bashkë me njerëzit tuaj të dashur🙏🏻😍

/D.Xh/