Festivalet teatrore, fizionomia e tyre, mundësia e organizimit dhe ndikimi në publik

FESTIVALOMANIA/ Kumtesë e mbajtur në Sesionin Shkencor të Teatrit, organizuar në Manastirin e Pojanit (Apolloni), në kuadrin e një programi të përbashkët midis Shqipërisë, Italisë dhe Malit të Zi

Miho Gjini, publicist, kritik arti

Në 20 vitet e fundit më është dhëne rasti, si kritik e studiues i teatrit, të ndjek nga afër disa festivale teatrore që janë zhvilluar në hapësirat shqiptare (në Tiranë, Korçë, Elbasan, Fier , Vlorë, Gjirokastër e Sarandë, po edhe në Gjilan, Pejë e Podujevë të Kosovës, si edhe në Dibër të Madhe të Maqedonisë Veriore e në Preshevë në Serbi). Duket gjithandej si një prurje e begatë performancash. Njëherësh ravijëzohet ecuria e teatrit shqiptar, po edhe shkalla e kulturës dhe e vetëdijes së popullit tonë. Një shoqëri e përparuar e rrëfen emancipimin e vet, jo vetëm nga niveli i lartë i performancës skenike, por edhe nga reagimi ndaj së bukurës, të së shëmtuarës, të rëndomtës dhe të madhërishmes, si kategori estetike. Festivalet teatrore vijnë si rezultat i një jete të pasur artistike nga rritja e nivelit të artistëve të skenës (njëherësh edhe të publikut), pas prurjeve të shumta burimore. Sa më e begatë është natyra me përrenjtë e rrëkezat që zbresin nga malet e thepisura, aq e thellë dhe e këndshme është edhe performanca e krijuar nga arti i aktrimit, i regjisurës dhe i skenografisë, të cilat sot krijojnë “magjinë” e teatrit.

Të bësh një festival, kur të “korrat” janë të mbara dhe “burimet të kthjellta”, ia vlen barra qiranë të dalësh para publikut dhe kësisoj, teatri do të jetë patjetër pasqyrë e shijeve në rritje, e dukurive të reja dhe e ndërgjegjes së mirëfilltë të kombit. Por, kur festivalet “mbijnë si kërpudhat”, për të mbuluar shterpësinë e lëndinave e të krojeve, atëherë shfaqet te dera festivalomania. Dhe festivalomania shënon vdekjen e teatrit. Si rezultat i kësaj shterpësie e i një varfërie të skajshme prurjesh të reja cilësore, sajohen festivale apriori, që i ndajnë zakonisht në tri kategori:Kombëtare, ballkanike dhe ndërkombëtare. Që këtu nis loja e vet teatrit. Bëhet “teatër” me publikun, përmes teatrit!

Në qoftë se “jorgani” është i shkurtër, i vihet emërtimi i kombëtares, nëse shtohet në repertorin e festivalit një shfaqje, bie fjala nga Rumania, e quajmë “ballkanike” dhe, kur ndodh që të ftojnë  edhe një tjetër, le të themi, nga Ukraina a nga Kazakistani, i vëmë etiketën “ndërkombëtare”! Kështu, në “thasët e të korrave” ka më tepër kashtë e bukë dhe fare pak grurë, në një kohë kur reklama bëhet e madhe e gjithëpërfshirëse. Dhe, për ta bërë sa më “botërore” një festival të monodramës, u thirr (nëpërmjet njohjesh të rastit) një grup amator i nivelit më të ulët nga Korinthi I Greqisë, kur ky vend ka shumë teatro të fuqishme dhe shfaqje shumë të mira, profesionale. E pra,-thonë ata, kaq qe buxheti e aq u bë edhe jorgani, mjafton që spektatori të ketë mese të “përtypet””(!) dhe, ato “pesë lekë” që jepen, pse mos të mbeten në “xhepin” e festivalbërësit….

Nuk mund të bëhet një festival teatror nga hiçmosgjëja, kur “sofra” është bosh e rropatemi ta sajojmë “bukën me krunde”. Festivali është një event përgjithësues e cilësor i Artit Skenik dhe mund t’i hapë “dyert e veta” kur ka spektakle me dinjitet e dukuri të reja, evenimente, eksperimentime….Edhe “bredhja” nëpër festivale e së njëjtës shfaqje me dhjetëra herë, sado e mirë që të jetë ajo, shënohet si varfëri repertori, skamje, boshllëk krize, duke e shtyrë me të deri në njëzetë vite a më tepër, duke e thinjur artistin me të njëjtën shfaqje! Pjesëmarrja në këto festivale, nëse i’a vlen të bëhen, natyrisht kur “mbjellje-korrjet “ janë të mbara, duhet të arrihet sipas kritereve rigoroze prej një bordi specialistësh të teatrit. Dhe të askujt tjetër. Lashë mendjen kur mësova se, me tri festivale në qytete të ndryshme tonat, spektaklet i zgjidhte e i menaxhonte me fare pak persona interpretues, një person që dikur merrej me financat, duke shkuar bile (për këtë punë!) edhe jashtë shtetit, me paratë e taksapaguesve që i “binin nëpër duar”!! M’u kujtuan kështu personazhet e Gogolit Rus: Çiçikovi që mblidhte “firmat” e të vdekurve dhe Hlestakovi që “livadhiste” edhe me shtetin, edhe me familjen e zyrtarit të lartë të një province, duke u hequr si person i rëndësishëm!!

E njëjta gjë ka ndodhur kur me festivalin e një qyteti merrej gjithmonë i njëjti person delirant, i cili e ka shtyrë jetën e vet skenike pa role të rëndësishme e pa lënë asnjë gjurmë, apo të themi më saktë:shkel e shko, pa asnjë dukuri serioze dhe bëhet befas “Drejtor Festivali”! Kështu edhe vetëshpallet! Tipa të tillë mund të arrijnë vërtetë që të bëjnë një a dy festivale, ndofta edhe më tepër, duke përfituar nga injoranca e ndonjë drejtuesi partiak në Bashkinë e Qytetit a në Ministri, ku edhe aty, partiakë vihen në krye e asnjëherë personalitete jashtë politikës e brenda vlerave të kulturës, shkencës, letërsisë e arteve! Atëherë vijmë në “Mjerimin e Madh” që zgjatë aq shumë….sa “thyejnë qafën” edhe teatralistët që e duan artin, edhe festivalbërësit që “ngrihen si kërpudhat”!!! Tipa të tillë nuk krijojnë enkas borde profesionistësh, po tarafe, si në përzgjedhjen e specialistëve, ashtu edhe në zhvillimin real të një festivali, ku marin pjesë gati të njëjtit persona, të cilët vetëm shohin dhe ikin, veteranë të skenës që thirren vetëm si sfond nderi e ndonjëherë edhe llafollog që shquhen për inkopetencën e tyre.

Gjykimin kritik nuk mund ta bëj kushdo. Flasim për gjykimin e specializuar në fushën e teatrit, njohës të mirë të artit të aktrimit e të artit regjisorial. “Pa kritikë nuk ka teatër, -me tha një ditë regjisori Mihal Luarasi, ndjesë pastë-, e duke mos patur kritikë, teatri ynë do të jetë gjithmon një gjendje amullie!”. Kisha filluar t’a ndjeja diçka të tillë, derisa vlerësimet e premierave të teatrove e shfaqjet e festivaleve të ndryshme, po i bënin disa çupa që punojnë nëpër gazeta, të cilat nuk e njohin aspak specifikën e teatrit, duke mos i kursyer kështu edhe superlativat “e hedhura në ajër”, si një baraznivelim vlerash. “Gazetari(ja)” vjen në teatër apo në ditët e një festivali, pyet njerin e tjetrin, aktorin, regjisorin a drejtuesin e festivalit dhe na dalin kështu të gjitha shfaqjet “të bukura” e, si gjithmon festivali na dilka “një hap përpara!”, kur realisht ka qënë dhjetë hapa mbrapa!

Po përse ndodh kjo? Sepse nuk e do njeri as kritikën e as kritikun. Organizatorët e festivaleve e drejtuesit  e teatrove, që shpesh i zgjedh e i vë aty partia në pushtet, pranojnë më mirë “heshtjen” sesa të sjellin aty kritikët. Edhe Juritë i sajojnë që , mundësisht të mos kenë kritikun (lexo: Grerëzen), brenda tyre. Më mire një “ndrikull” a një “manekinë vitrine”! Po , nga ana tjetër, duke qenë se ata pak specialistë, studiues e kritikë të teatrit që kanë mbetur (Sepse nuk ka asnjë shkolle për përgatitjen e tyre dhe asnjë “për be” nuk dërgohet të mësojë jashtë shtetit!), as paguhen kur shkruajnë nëpër gazetat e revistat tona, as ftohen nëpër premiera e festivale, vetëm e vetëm që kritiku, të qëndrojë sa më larg. Se dihet, kritika është një profesion i rrezikshëm. “A nuk e provuam dikur edhe ne të dy,- i’u përgjigja Luarasit atëherë, kur na përplasën nëpër internime e burgje, pas Festivalit të parë Kombëtar të Teatrove, duke e paguar aq shtrenjtë për guximin tone?!” E, ja ku vijë përsëri në Fier, të dashur miq e flasë në këtë Manastir të Shenjtë,pas 40 e kusur vitesh, kur erdha këtu për të pare shfaqjen e teatrit tuaj “Historia e një vajze” dhe që më quajtën “revizionist” pse shkrova për të në gazetën “DRITA” e pastaj hoqa picirin deri në nxirjen e jetës time të mëpastajmë?! Dhe mbeta për ju një “i mallkuar i pandreqshëm? Derisa për asnjë nga 13 festivalet që keni zhvilluar këtu, gjatë këtij tranzicioni të gjatë, nuk më keni dërguar asnjë ftesë për të marë pjesë si kritikë, edhe pse ndodhemi në nje tjetër kohë?!

Ka mandej, festivalbëres, që nuk synojnë vlerat e artit po reklamimin e vetvetes, të cilët bëjnë ç’është e mundur të thonë se “kanë bërë hatanë!”. Bile, njeri prej tyre (Të na falni që nuk po përmendim emra!), si na vendosi në jurin e festivalit të tij, na porositi se do të merrte edhe vet pjesë aty dhe se, -kuptohej, e donte ai çmimin e parë! Të vë tjetri për prift e pastaj kërkon të të rruajë edhe mjekrën – sikundër thonë të urtët! E pastaj, bëri si bëri, e përçau jurinë, e zaptoi çmimin e parë, dhe kritikun që nuk bëri kompromis me të, nuk e ftoi më në asnjë nga 10 festivalet e tjera që bëri më mbrapa, pa asnjë kritikë brenda, po vetëm me “mysafirë special”, sikundër quante ai tarafin e tij!

Pra, ja që qenka “më mirë e më rehat, pa grerëza e priftërinj”! Se kritikët i ‘trazojnë ujërat!”’ E, ç’na duhet ta futim “Shejtanin brenda shtëpisë”,-thonë ata. E kështu bëjnë përherë që të mos ketë as debate  e as kritikë! Jepen shfaqje gjatë një jave dhe aktoret, regjisorët e skenografët, ashtu sikundër vijnë dhe ikin! As që marrin vesh fare se ç’kanë bërë e ç’kanë aritur”! Nuk mundem të harroj njërin prej aktorëve tuaj humorist, Vasilin, i cili asistoi në njërin prej debateve që zhvilloheshin në Dibrën e Madhe dhe u shpreh me entuziazëm për ballafaqimin e artistëve me një panel kritikësh profesionist, ku u evidentuan edhe vlerat  e tyre, edhe te metat e secilit artist, edhe problemet e teatrit tonë në tërësi.

Mirëpo sot ka një etje të çuditshme për të bërë sa më shumë festival. Festivalistët, -le t’i quajmë kështu, për fat të keq, ashtu si vijnë edhe ikin, duke i’a bërë me sy vetes edhe kolegëve. Liria për të bërë festival çdo njeri (e për të të mos thënë askush asnjë gjysmë fjale!), është një absurditet që i rëndon artit, shtetit dhe publikut. Organizimin e një festivali duhet ta marrë përsipër një personalitet me përvojë i artit skenik e jo kushdo që ka dështuar në veprimtarinë e tij bazë dhe s’ka ç’të bëjë tjetër e me se të merret. Festivali Teatror Profesionist duhet të ngrihet patjetër mbi amatorizmin e të shprehë vlera, eksperimentime suksesi , në përmbajtje e në formë, në stile e rivënie të ndryshme skenike. Doemos, është gjë e mirë që kemi festivale, se jeta jonë kulturore gjallërohet, por është gjë shumë e keqe paradë-fasada, amatorizmi që “shitet” si art, formalizmi e butaforia false që nuk i shërben kurrkujt, as artit të vërtetë, as publikut e as shtetit.

Mandej lindin edhe pyetje të tilla: Përse, për njëfarë kohe e periudhë vitesh ne tranzicion, u synua vetëm monodrama? Kuptohej qartë: jo vetëm për lehtësi manovrimi, po edhe për mungesë fondesh….Qe një kohë kur u mbyllën 15 Estrada e pastaj edhe teatri i Komedisë! Përse u mënjanua për vite të tëra edhe Festivali i Komedisë, aq i mirëpritur për spektatorët? Ndërkohë shtohet pyetja tjetër binjake: Përse u injorua e u eliminua krejtësisht Festivali i Estradës, që preferohej aq shumë, kur arti i humorit e i satirës përsëri ekziston “i konservuar!” për t’u shfaqur me “pikatore”vetëm çdo fundviti në TVSH?! A mund të kemi Festivale Alternative, si sprova eksperimentale të regjisorëve të rinj e të vjetër? Po Festivale të vetëm një Vepre Skenike që te rivihet nga 7 deri 10 regjisorë të ndryshim? Po, të paktën, një festival teatri, të mbështetur vetëm në dramën kombëtare, ( ku mund të përfshihen edhe dramatizimet e inskenimet nga letërsia jonë)? A nuk mundemi ne të gjallërojmë veprat kombëtare, si kundërpeshë edhe  me “vërshimin” në skenat tona të spektakleve të huaja, që jo pakë herë serviren si plagjiatura nëpër skena e festivale teatrosh?! Dhe, më në fund, a nuk duhen profilizuar teatrot tona, që të mos kemi vetëm festivale të “kallëpizuara”, të njëtrajtshme e të një “ngjyrosjeje”? Doemos. E ka të gjetur profilizimin e vet Festivali Teatror Ndërkombëtar i Butrintit, që lidhë bukur antikitetin tonë me kohën e sotme, si një gjetje artistiko-turistike nga më tërheqëset. Por ai duhet drejtuar nga një bord profesionistësh te teatrit, të institucionalizohet patjetër, me në krye direkte Ministrin e Kulturës, për vet shkallën e lartë të EVENTIT, si performancë botërore, duke patur kështu edhe përkujdesjen totale të Qeverisë, po edhe buxhetin e siguruar vjetor.?!

Me pak fjalë, koha ka ardhur që të mos kemi më stereotipet që ofron spontaniteti, rastësia, mediokriteti e amatorizmi, po festivale teatrore të menduara e të organizuara mirë. Të profilizuara e profesionale. Jo çdo shfaqje, qofte kjo edhe e huaj, mundet të paraqitet në një festival, me një tringëllim zileje të telefonit apo me një “ulje koke” miratuese të një personi. Ata që merren me festivalet duhet të ndjejnë edhe përgjegjësinë qytetare për barrën e rëndë që marrin përsipër.  E vërteta është  se ka një shpërthim talentesh në fushën e teatrit, ndërkohë edhe një “lidhje këmbësh” me litarë, për t’i mos i mbështetur artistët e teatrit e festivalet e tyre, jo vetëm nga zyrat e shtetit, po edhe nga individë kaq shumë të pasuruar në dekadat e fundit, apo nga biznesmenë e fondacione të bëra publike e të mbetura në “shurdhrin “ e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet