Festa e 29 nëntorit, homazhe vetëm nga të majtët

Publikuar më 30. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Politika shqiptare e festoi sërish e ndarë ditën e çlirimit të vendit, Të majtët respektojnë 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë dhe 29 Nëntorin si Ditën e Çlirimit, ndërkohë që të djathtët i përkujtojnë të dy festat më 28 Nëntor

Politika shqiptare e festoi sërish e ndarë Ditën e Çlirimit të vendit, edhe pse 29 Nëntori është data zyrtare e kujtimit të kësaj dite. Të majtët respektojnë 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë dhe 29 Nëntorin si Ditën e Çlirimit, ndërkohë që të djathtët i përkujtojnë të dy festat më 28 Nëntor. Në 73-vjetorin e Çlirimit, Presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe përfaqësues të tjerë të maxhorancës e krerë të institucioneve kryen homazhe dhe vendosën kurora me lule tek Varrezat e Dëshmorëve, në respekt dhe mirënjohje të veprës të dëshmorëve. Më pas ata kanë takuar veteranë do të nderojnë sot dëshmorët e rënë për liri, duke bërë homazhe pranë Varrezave të Dëshmorëve. Partia Demokratike nderoi dje kujtimin e rënëve duke vendosur kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”.

Debati për Festën e Çlirimit mbetet ende i ndezur në politikën shqiptare, ku e djathta ndjek të njëjtin model si gjatë mandatit të saj të parë qeverisës, kur ndryshoi datën e Çlirimit, nga 29 Nëntori më 28 Nëntor, pasi sipas saj, kjo e fundit ishte zgjedhur nga regjimi komunist duke falsifikuar historinë. Por, 29 Nëntori e fitoi sërish statusin e Ditës së Çlirimit kur e majta erdhi në pushtet, në verën e vitit 1997, kur me një ligj të posaçëm u kthye në festë zyrtare.

Rama me ushtarakët

Në aktivitetin e ministrisë së Mbrojtjes me rastin e 73-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, kryeministri Edi Rama u shpreh se rruga e Shqipërisë është drejt Bashkimit Europian, ndërsa Forcat e Armatosura shqiptare, shtoi ai, do të luftojmë terrorizmin bashkë me partnerët tanë në NATO. “Rruga jonë e përbashkët e afrimit të përditshëm me familjen evropiane si një aspiratë e kahershme dhe një angazhim i palëvizshëm i të gjithë shoqërisë sonë dhe të gjithë forcave politike dhe padiskutim qeverisë sonë të re. Në këtë përvjetor kemi akoma më pak nga burrat dhe gratë që ishin autorët e drejtpërdrejt të asaj fitoreje të rëndësishme, që na bëri nderin e paçmuar të të qenit e një populli u rendit  në krah të fituesve të Luftës së Dytë Botërore.

FA shfaqen si pol orientues jo vetëm për ne në Shqipëri, por të gjithë botën e lirë dhe sa më shumë e jetojmë këtë botë sot dhe sa më shumë kuptojmë rreziqet se në SHBA ushtarakët dhe veteranët janë kaq shumë të nderuar dhe të respektuar. E ardhmja nuk vjen nëse ne nuk e kërkojmë. E ardhmja evropiane duhet të kthehet në një strehë për ne, prandaj duhet të punojmë ta arrijmë këtë. Do të luftojmë terrorizmin bashkë me partnerët tanë në NATO. Forcat ushtarake do të ndihmohen për trajnime dhe specializime në vendet aleate, duke u dhënë mundësinë të jenë ashtu siç do vend i NATO” deklaroi Rama.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, në fjalën e saj përshëndetëse evokoi shembujt frymëzues të disa ushtarakëve shqoptarë: “Shqiptarët kanë luftuar duke dhënë jetën e tyre për liri. Shqiptarët i shërbyen atdheut me vetëmohim, të pakursyer, falë tyre ne festojmë dhe jemi krenarë. Ky moment na gjen në krah të NATO-s. Unë sapo festova me ushtarakët tanë në Irak dhe Afganistan. Unë i pashë nga afër kushtet e tyre, qëndrova atje 24 orë. Autoritetin e ministres do ta ushtroj duke nderuar këta heronj, që do të japin kontribut të parët për t’i shërbyer atdheut.

Saimir Balla shpëtoi një fëmijë në Burrel në kushte të rrezikshme. Ai nuk u frikësua për të shpëtuar jetën e një foshnje teksa shtëpinë po e mbulonte uji. Forcat xhenio, djemtë e batalionit janë të pranishëm. Ai është Fatjon Lulja. Ai nuk është kursyer në dimër dhe verë, por ka shërbyer duke ndërtuar ura në çdo cep të vendit tonë. Ervini është një tjetër hero ka shpëtuar jetë njerëzish nga uji gjatë përmbytjeve. Ekuipazhi i Orikut, Esmeralda është vajza që ka shërbyer për një vit në detin Egje duke sakrifikuar dhe rrezikuar jetën e vet për të shpëtuar jetën e 1000 emigrantëve”- u shpreh Xhaçka.

Homazhet në vend

73-vjetori i çlirimit të vendit është përcjellë me aktivitete dhe homazhe pranë monumenteve në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Vlora, qyteti i pavarësisë, që dje priti figurat më të larta politike të Shqipërisë dhe Kosovës, sot ka qenë ndalesa e familjarëve të dëshmorëve, si dhe drejtuesve të lartë të policisë. Ata zhvilluan homazhe pranë Lapidarit të Dëshmorëve. Edhe qyteti i Elbasanit është veshur me ngjyrat kuq e zi për të kujtuar një ngjarje të rëndësishme si ajo çlirimit si dhe për të nderuar gjakun e derdhur për atdhe.

Edhe në qytetin e një mbi një dritareve, tradita e festimit të 29 nëntorit, vijon vetëm nga të majtët. Veteranë të luftës, pasardhës të familjeve të dëshmoreve dhe përfaqësues të Partisë Socialistë në Lezhë kanë përkujtur 73-vjetorin e çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashist. Në nderim të kësaj dite të rëndësishme ata bënë homazhe dhe vendosen kurora me lule pranë varrezave të dëshmorëve të qytetit.