Fermerët, si përfitohet pensioni i pleqërisë

Publikuar më 04. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Neritan Gjergo

Kushtet e reja për t’u futur në skemën e sigurimeve dhe dokumentet që çohen në ISSH. 38 400 dhe 29 400 lekë kontribute vjetore duhet të derdhin fermerët në zonat fushore dhe malore. Si rregullohen vitet e pasiguruara

Personat që nuk kanë asnjë vit të mbuluar nga sigurimet për shkak se s’kanë punuar ose gjatë kohës që kanë punuar kanë qenë të pasiguruar, kanë shanse për të marrë pension pleqërie. Ata mund të përfitojnë nga dy vendime qeverie, por nga ky moment ata futen gjithashtu në skemën e detyrueshme të pagesës se kontributeve. Qytetarët e interesuar mund të sigurohen si të vetëpunësuar në bujqësi, por duhet të plotësojnë dy kushte. E para, duhet të kenë tokë bujqësore dhe të banojnë në të njëjtin rreth ku ndodhet toka në pronësi ose në përdorim dhe të zhvillojnë veprimtari bujqësore e blegtorale. E dyta, personi duhet të banojë në fshat dhe të zhvillojë veprimtari bujqësore e blegtorale, edhe nëse ka tokë në pronësi ose në përdorim me vendndodhje në rrethin fqinj.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore, përmes një manuali të  botuar dje, bën të ditur se masa e kontributit vjetor për sigurimet shoqërore është 38400 lekë, nëse banorët janë në zonë fushore, dhe 29 400 lekë nëse banorët jetojnë në zonë malore (Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë). Për të plotësuar vitet e pasiguruara ato mund të plotësohen si i vetëpunësuar në bujqësi, duke paguar kontributet për këto periudha, sipas masës së mësipërme të kontributit vjetor për sigurimet shoqërore. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, llogariten rreth 185 mijë të vetëpunësuar dhe që mund të përfitojnë nga kjo skemë.

Kushtet për t’u siguruar

Sipas manualit të zbardhur nga ISSH, personi që futet në skemën e detyruar të sigurimit shoqëror për t’u siguruar si i vetëpunësuar në bujqësi, duhet të plotësojë këto kushte: Të ketë mbushur moshën 16 vjeç; të jetë i aftë për punë; çdo person mund të sigurohet deri në mbushjen e moshës për pension; nuk duhet të jetë i siguruar nga punësimi në sektorë të tjerë. Sipas ligjit, i vetëpunësuari në bujqësi duhet: Të banojë në të njëjtin nënqark ku ka tokën bujqësore në pronësi ose në përdorim, dhe të zhvillojë veprimtari bujqësore e blegtorale dhe të banojë në fshat, megjithëse tokën mund ta ketë në nënqarkun fqinj.

Dokumentet

I vetëpunësuari në bujqësi paraqet tek inspektori i sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi të sigurimeve shoqërore këto dokumente: Certifikatën familjare të lëshuar nga zyra e gjendjes civile; vërtetimin e pronësisë mbi tokën, lëshuar nga zyra e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme të komunës ose bashkisë ose akt noterial, që vërteton tjetërsimin e pronës (p.sh, qiramarrje). Sipas ligjit, në çdo rast, për sigurim të periudhave për vitin korrent si dhe për periudha të kaluara, do të paraqitet vërtetimi i lëshuar nga komuna, ku cilësohet se personi ushtron veprimtari bujqësore/blegtorale. Inspektori i të vetëpunësuarve në bujqësi, pasi gjykon për plotësimin e kushteve për sigurim si i/e vetëpunësuar në bujqësi, plotëson dokumentin tip “Urdhër veprim”.

Për të bërë pagesën paraqitet ky dokument në zyrën postare ose në zyrën bankare. Me kryerjen e pagesës, zyra postare lëshon dokumentin “Mandat arkëtimi”, ndërsa me kryerjen e pagesës në zyrën bankare lëshohet dokumenti “Veprim arke”, i cili konfirmon kryerjen e kësaj pagese. Me dokumentin “Mandat arkëtimi” ose “Veprim arke” personi paraqitet për regjistrim tek inspektori i sigurimit të të vetëpunësuarve në bujqësi, ku ka marrë “Urdhër veprimin”. Këto dokumente, në asnjë rast nuk duhet t’u dorëzohen punonjësve të sigurimeve shoqërore. Ato janë personale. Në fund të procedurës dhe pas pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore, bëhet pajisja e detyrueshme me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Përfitimet

Përfitimet që rrjedhin nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore për të vetëpunësuarit në bujqësi. 1. Kuotat e ulëta të pagesave të kontributeve për sigurimin shoqëror, si rrjedhojë e politikave favorizuese shtetërore. Për një vit vjetërsie në punë në shtet një i vetëpunësuar në qytet paguan 66 240 lekë, ndërsa: a) I vetëpunësuari në zonat fushore paguan 38 400 lekë në vit; b) I vetëpunësuari në zonat malore paguan vetëm 29 400 lekë në vit. 2. Përfitim të vjetërsisë në punë, ku njohja e periudhave për të cilat janë paguar kontribute njihet vjetërsi në marrëdhënie pune me shtetin. 3. I/e vetëpunësuari/a në bujqësi, pasi plotëson kushtet e përcaktuara në Ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, është përfitues/e, sipas rastit, i/e: Pensionit bazë të pleqërisë; Pensionit të pjesshëm të pleqërisë;  Pensionit të invaliditetit; Pensionit të pjesshëm të invaliditetit; Pensionit familjar; Shpërblimin për lindje fëmije.

Ligji për koncesionet

Ndërtimi dhe shfrytëzimit i burimeve të energjisë së rinovueshme me kapacitet të instaluar mbi 2MË,të cilat kanë vlerë investimi mbi 100 milionë euro do të përjashtohen nga procedurat aktuale të dhënies me koncesion apo partneritetit publik-privat. Gjithçka përcaktohet në një projektligj, i cili ka mbërritur në Kuvend e që i hap rrugën përshpejtimit të procedurave për dhënien e këtyre lejeve. Sipas relacionit shoqërues, në këtë kategori mund të shqyrtohen në mënyrë specifike ndërtimi i kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike nga hidrocentralet apo termocentralet, ndryshe nga legjislacioni aktual, i cili për HEC-et me kapacitet të instaluar mbi 2 MË, kërkonte zbatimin e procedurave së dhënies me koncesion.

Sipas relacionit, sektori energjetik shqiptar aktualisht ka nevojë për ndërtimin  e objekteve të reja gjeneruese, me qëllim rritjen e prodhimit të energjisë, por kuadri ligjor aktual parashikon procedura të zgjatura për miratimin e kontratës. Gjithashtu, në dokument thuhet se ky përjashtim do të mundësojë thithjen e investimeve strategjike të huaja dhe atyre vendase, pasi deri më tani, shumë investitorë që kanë pasur interes për të investuar në sektorin elektroenergjetik, janë tërhequr pas konstatimit se kuadri  ynë ligjor për koncesionet dhe PPP-të kërkon një kohë të gjatë