Fermerët e dëshpëruar: Jemi në borxhe, si të mbijetojmë pas përmbytjeve?

Publikuar më 06. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Xhensila Demollaj

Stavri dhe Natasha Kordha tregojnë prodhimin e dëmtuar. Shpenzimet dhe borxhet, ende të pashlyera

Ky udhëtim nuk është si të tjerët që kemi kryer më parë. Këtë herë nuk kemi kërkuar jetën, zakonet, traditat, kështjellat, histori të moçme. Këtë herë jemi nisur drejt Levanit për të marrë pjesë në një takim mes miqve të prekur nga përmbytja. Si të thuash është një kërkim për ta kuptuar psenë e kësaj ndodhie. “Përse na ndodh gjithmonë ne”?!. Këtë thonë njëzëri banorët e këtyre anëve, të cilët në përpjekje për t’i shpëtuar realitetit sorollaten ca në zonat e banuara për të shkëmbyer muhabete dhe për të larguar vëmendjen. Një zetor afrohet drejt qendrës. Gruaja dhe burri në të vijnë drejt nesh -ju jeni gazetarët?-Po i themi. “Na është shkatërruar prodhimi, një jetë e tërë në punë, i mori lumi”, thotë Natasha Kordha me lot në sy, teksa na kërkon të shkojmë t’i shoqërojmë për të parë ndodhinë e fatkeqësisë së këtyre fermerëve. “Ajo e di vetë se kur vjen dhe atëherë nuk ke se ç’bën: duhet të dorëzohesh. Si ishte shtëpia, si ishin këto toka”, tregon gruaja. Natasha dhe Stavri kanë 8 dynym tokë, të cilën e kanë shfrytëzuar për të mbjellë prodhime bujqësore. Ishin në kohën e punës më të madhe në bujqësi, por përmbytja ndodhi dhe çdo gjë u vu nën ujë. “Këto 8 dynymë këtu i kishim mbjellë të gjitha me domate. Janë mbjellë që në qershor, kanë filluar vjeljen në shtator dhe tani ishim në vazhdim të punës.

Vinim gati rregullisht përditë në parcela, por nuk arritëm ta përballonim këtë sipërfaqe, që u dëmtua kaq shumë”, thotë Stavri, duke na rrëfyer pak për ditën e vërshimit të lumit Vjosa. “Kishim edhe njerëzit në punë. Uji erdhi papritur. Ka ardhur që në mëngjes, rreth orës 7:30 dhe brenda 3 orësh, shkoi në 1.5 metër lartësi. Kjo që sheh tani ishte rrafsh me ujë deri buzë autostradës, ndërsa tani gradualisht është ulur sasia e ujit. Por, sërish toka jonë këtu doli jashtë përdorimit”.  Disa kokrra domate në ngjyrë jeshile ishin në anë të rrugës. Stavri dhe Natasha i mblidhnin si për të pastruar rrugën, megjithëse ishte e mbuluar e gjitha në baltë. “Kjo tokë na dhemb. Kemi shpenzuar shumë dhe humbëm shumë. “Janë gjendje rreth 150 kuintalë domate, e cila  tani do shkonte për konservim, për t’u shitur në këtë periudhë, por nuk arritëm dot. Ja shih, këtu janë brazdat e domateve. U shkatërruan. Sot, vjen Vjosa dhe mi çon kungujt dhe domatet me kilometra larg. Këtë vit nga vapa që ishte shumë e madhe, erdhi me minus prodhimi. Por, tani kisha kohën më të mirë të prodhimit”, thotë i dëshpëruar Stavri. Edhe në vitin 2015, Stavri dhe Natasha kanë mbajtur mbi supe koston e përmbytjeve. Thonë se nuk i ka ndihmuar askush. “Në vitin 2015 jemi përmbytur në 11 tetor dhe ishte nga mungesa e hidrovoreve.

Erdhi baza e bujqësisë, bëri proceverbalin, por deri tani absolutisht asgjë. Nuk e di, su morrëm më me atë punë. Ne dhe subvencione nuk kemi marrë kurrë. Kemi punuar me djersën tonë”. Të dy bashkëshortët bëjnë një xhiro rreth parcelës. “Kam ardhur 5 herë dita këtu. Më dhimbset kjo tokë”, thotë Natasha, teksa tregon për problemet e saj e revoltuar. “Jemi ende me borxhe. 750 mijë lekë fidanë janë ende pa paguar. Ne për këtë ditë e duam shtetin, jo që të na mbajë me bukë, se e mbajmë vetë veten. Jemi endur këtyre arave një jetë të tërë dhe kur vjen puna, unë dal në pension pasnesër dhe nuk kam vitet e pensionit. Kur kam qenë në klasën e tetë i kam hapur unë gropat e këtyre serrave, me miliona fitime ferma iu sillnin, që çonte domate në Gjermani. Paskemi qenë brezi më fatkeq që kemi ardhur në këtë jetë.

Gjithë jetën punë dhe asgjë. Shita shtëpinë kur ra serra, mbi 2 milionë lekë humbje. Nuk tha njeri, dale: a ke miell moj të hash bukë pa lëri të tjerat. Ja, për këtë e dua shtetin. Në 2007 u bllokua hidrovori. Unë sa kisha filluar prodhimin e domates. Më thanë hidhe KESH-in në gjyq. Jo, po do merrem unë me shtetin. Kisha 9 dynym domate. Të gjithë morën shpërblime, ndërsa neve as na u përmend emri. Nëse nuk bën edhe këtë radhë, u shëmbtë nga themelet dhe mos ngeltë më. Në 2015 kisha marrë kredi, dhe kisha ende pa shlyer këstin, kur ndodhi përmbytja. Erdhën nga Tirana, do ua falim, do ua falim, asgjë nuk bë. Kisha gjithë materialet, pompa, zorra uji, i mori Vjosa, i çoi përtej. Këtë radhë është dhe lodhja dhe mosha dhe stresi, mblidhen të gjitha. Nuk duroj dot më kështu. Të vije mbrëmë dhe të shihje kasollen ujë, të ikte truri i kokës. Shih domatet anës gardhit që kanë dalë nga parcela, kungulli, të gjitha”, thotë Natasha Kordha.

Vlerësimet 

Komiteti i Emergjencave Civile bën të ditur se po punohet për të ndihmuar dhe lehtësuar gjendjen e familjeve të përmbytura. Disa numra llogarish bankare janë vënë në dispozicion ku kushdo mund të kontribuojë për të lehtësuar financiarisht banorët që janë dëmtuar më shumë. Tashmë duket se rreziku ka kaluar, pas disa ditësh lufte me ujin.
Prurjet nga Vjosa kanë rënë nën nivelin kritik dhe lumi është kthyer në shtratin e tij. Si rrjedhojë e investimeve në kanalet kulluese dhe mirëfunksionimit të hidrovoreve, uji është tërhequr me shpejtësi nga zonat e përmbytura.
Strukturat shtetërore, sipas raportimit më të fundit të Komitetit të Kordinimit të Krizave dhe Emergjencave, janë angazhuar pa ndërprerje, me fokus kryesor largimin e ujërave dhe mbetjeve nga banesat.

Përmbytjet, Brahushi: Toka dhe bimët në rrezik

Teksa të gjithë flasin për përmbytjet dhe për vërshimin e lumenjve në banesa dhe toka bujqësore, fermerët përballen me vështirësitë që lë pas uji në parcela. Specialisti Ferdi Brahushi tregon se tanimë këto toka që janë prekur nga vërshimi i lumenjve lënë pas problematika të mëdha në bimë dhe në cilësinë fizike të tokës. “Nëse e marrim në aspektin fizik, tokës i shkakton një dëmtim, pasi prish cilësinë fizike. Gjatë përmbytjes kemi humbje të pjesës së atmosferës së tokës, kemi kthimin e kushteve anarobike. Nga ana fizike mungesa e oksigjenit dhe teprica e ujit, çon në asfiksim të sistemit rrënjor të bimëve dhe për pasojë bimët që janë në këto kushte, të lagështisë dhe mungesës së  oksigjenit çojnë drejt kalbjes dhe drejt tharjes së tyre.

Rrezikojnë të kthehen në moçale nëse janë në kushtet e përmbytjes për një kohë të gjatë. Moçali nënkupton që vërshimi i tokës ndryshon në kushte anarodike”, thotë specialisti. Por çfarë duhet të bëjnë fermerët në këto kushte. Brahushi sygjeron që të realizojnë me se të munden kullimin, duke sygjeruar bërjen e kanaleve ndërmjet ngastrave të tokës. “Gjëja e parë që duhet të bëjnë është me mundësitë e kullimit. Pra, bërjen e kanaleve të reja ndërmjet ngastrave që të shpejtohet procesi i kullimit. Kjo është gjëja e parë që duhet të bëhet në këto kushte nga fermerët. Përmbytja mund të evitohet vetëm në raaste që bëhet një investim i konsiderueshëm në argjinaturat e lumenjve për të krijuar breza mbrojtës, gjithashtu edhe masa për pastrimin e kanaleve kulluese, sidomos kanaleve të para dhe të dyta”, përfundon Ferdi Brahushi.

Masat e “forta” nga qeveria

Në fillim të këtij viti, qeveria shpërndau 61 ekskavatorë të rinj për bashkitë e vendit, të cilat sipas kryeministrit do garantonin ujitjen e tokave por dhe do të shmangin përmbytjet. “Ambicia jonë dhe objektivi ynë që do të realizohet brenda këtij viti është që të mos ketë asnjë parcelë ku uji të mos shkojë dhe kullimi të mos jetë i garantuar”, tha Kryeministri Edi Rama. Por kur nuk është mbushur asnjë vit nga mbërritja e flotës së ekskavatorëve siç e pati quajtur Kryeministri, Shqipëria u përmbyt sërish. Madje këtë herë dëmi është disa herë më i lartë.