Femrat që janë mërzitur nga meshkujt, tashmë kanë ishullin e tyre luksoz

Publikuar më 08. 02. 2018 nga Agim Popoci

Femrat të cilat gjatë pushimit të verës i shqetëson sasia e testosteronit në ambientin që kanë përreth, do të kenë mundësi të bëjnë pushime në një ishull ku meshkujt e kanë të ndaluar hyrjen.

Ishulli Super She do të hapet afër bregut të Finlandës, e ajo që i ofrohet turistëve do të orientohet tek shëndeti. Vizitoret do të kenë mundësi të merren me joga, meditim, përgatitjen e ushqimit të shëndetshëm dhe palestër.

Iniciatores së këtij projekti, ish-konsulles Kristina Roth, i ka lindur ideja e hapjes së një vendi të këtij lloji, pas shumë vitesh që kaloi pushimet në Ashram, në Calabasas të Kalifornisë, dhe pranë Ranch Malibu.

Roth thotë se ka kaluar shumë mirë në të dy këto vende, por shton se prania e meshkujve i ka penguar të relaksohet.

“Kur në afërsi ishte ndonjë djalë i pashëm, femrat do të vënin grim menjëherë. Kur të vini në Super She do të përqëndroheni tek vetja juaj, mos u mundoni që të rrisni nivelin e hormoneve tuaja,” tha kjo sipërmarrëse për “New York Post” e cila ka vendosur që këtë vend për pushime, ta hapë pranë Finlandës, pasi që është dashuruar në një finlandez.

“Prindërit e tij kanë një ishull në arkipelag, e ai vazhdimisht më thoshte se ishulli fqinj është në shitje. I thash se nuk jam e interesuar. Unë sapo kam blerë një truall në ishullin Turks dhe Caicos, vërtetë nuk jam e inetersuar,” rrëfen  Roth.

Mirëpo, kur e ka parë ishullin, u dashurua.

Edhe pse në pamje të parë duket sikur Roth dëshiron të përjashtoj meshkujt, ajo insiston se nuk i urren, madje ka lënë edhe një opsion të hapur, që një herë edhe ata të vijnë në Super She.

Në ishull për momentin kanë pushuar vetëm mikeshat e Kristinës, mirëpo kjo do të ndryshoj në korrikun e këtij viti, kur Super She do të filloj të pranoj pushueset e para të vërteta. Roth thotë se çdo vizitore do ta verifikoj në veçanti, ndërsa çmimi i qëndrimit në këtë ishull do të zbulohet së shpejti.

“Dëshiroja të verifikoj personin i cili do të pushoj këtu, në mënyrë që të jem e sigurt se afirmohen mirë dhe se do të përshtatemi, por jo të jem e kufizuar në një elitë,” sqaron Roth.