Fëmijë të ekspozuar në internet, gjoba për mësuesit që heshtin

Udhëzimi/ Masa ndëshkimore për arsimtarët të cilët nuk do të raportojnë fëmijët që shikojnë faqe interneti të cilat i dëmtojnë ata. Udhëzimi i përbashkët nga Ministria e Arsimit dhe Shëndetësisë ngarkon me përgjegjësi ligjore arsimtarët

Enida Vërça

“Gjobë për mësuesit të cilët nuk do të raportojnë fëmijët që shikojnë faqe interneti të cilat i dëmtojnë ata”, ky është udhëzimi i përbashkët nga Ministria e Arsimit, Besa Shahini dhe Ministria Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. Nëpërmjet këtij udhëzimi, është vendosur të ngarkohen me përgjegjësi ligjore mësuesit e institucioneve arsimore parauniversitare publike dhe private, që të raportojnë të gjitha rastet kur vërejnë se fëmijët lundrojnë në internet në faqe me përmbajtje të paligjshme, ose të dëmshme për moshën e tyre. Neglizhimi, apo refuzimi për të denoncuar këtë fenomen në mjediset shkollore, sipas këtij udhëzimi përbën kundravajtje administrative, që mund t’i kushtojë mësuesit përgjegjës nga 60 mijë deri në 80 mijë lekë gjobë. Po ashtu, gjoba parashikohet edhe për institucionet arsimore, që variojnë nga 60 mijë deri në 100 mijë lekë.

Por çfarë nënkupton me “përmbajtje e paligjshme” ky udhëzim?

Referuar udhëzimit, thuhet se çdo pamje, imazh dhe material tjetër, që qarkullon në internet me grup audience madhore, siç janë faqet pornografike, apo materialet e tjera të dhunshme që qarkullojnë edhe nëpër rrjetet sociale. Sipas udhëzimit, e gjithë kjo i vjen në ndihmë femijeve, duke mos rrezikuar të jenë të prekur nga materiale të cilat do t’i dëmtojnë ata. ” Përmbajtje e dëmshme për fëmijën”, sipas përkufizimit të bërë në legjislacionin në fuqi për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës; – “Ofruesi i shërbimeve mediatike”, çdo ofrues, sipas përkufizimit të bërë në legjislacionin në fuqi për mediat audiovizive”, thuhet mes të tjerash. Udhëzimi i përbashkët i cili mban firmën e të dyja ministreve,  përcakton se çdo mësues, mësues ndihmës dhe çdo punonjës tjetër i institucionit arsimor, si psikologu, punonjësi social, oficeri i sigurisë dhe sekretari, në rast se në mjediset e institucionit arsimor parauniversitar publik, ose privat vërejnë një nxënës që është duke aksesuar në internet përmbajtje të paligjshme dhe të dëmshme për moshën e tij, ka detyrimin të raportojë pranë drejtorisë së institucionit arsimor, institucionit arsimor vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar, organeve të Policisë së Shtetit dhe strukturave vendore të mbrojtjes së fëmijës.

Raportimi

Rruga përmes të cilës kryhet raportimi është çdo mjeti komunikimi, që nga telefoni, posta tradicionale dhe elektronike, ose në formë shkresore tek eprorët, apo tek policia. Udhëzimi përcakton se brenda 24 orëve nga raportimi, drejtori i institucionit arsimor duhet të raportojë rastin tek strukturat e mbrojtjes së fëmijëve. “Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, në rastet e përcaktuara në pikën 7, të këtij vendimi, merr masa për referimin e rastit pranë strukturave vendore për mbrojtjen e fëmijës, sipas legjislacionit në fuqi. Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës vendos në dispozicion linja aksesi për fëmijët dhe publikun, vetë ose në bashkëpunim edhe me organizata të shoqërisë civile, të cilat kanë në fokus mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, me qëllim raportimin e materialeve të dëmshme ose të paligjshme për fëmijët në internet apo rasteve të tjera të abuzimit me fëmijët, nëpërmjet: a) mjeteve të komunikimit telefonik; b) raportimeve on-line në faqen e ueb -it të dedikuar. Ministri përgjegjës për fushën e arsimit dhe ministri që bashkërendon punën për çështjet e të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijës, brenda 6 muajve, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, përcaktojnë me udhëzim të përbashkët listën e veprimeve që ndërmarrin strukturat arsimore, në bashkëpunim me strukturat e mbrojtjes së fëmijës, në rastet kur në mjediset e institucionit arsimor parauniversitar, publik ose privat, konstatohet se një fëmijë është duke aksesuar përmbajtje të paligjshme dhe/ose të dëmshme për moshën e tij”, thuhet mes të tjerash në këtë udhëzim.

Sipërmarrësit

Në këtë udhëzim thuhet se sipërmarrësit janë të detyruar të bllokojnë menjëherë çdo faqe/material me përmbajtje të paligjshme dhe/ose të dëmshme për fëmijët në internet, që publikohet në portalin e bllokimit të faqeve të paligjshme të administruara nga Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike. “Sipërmarrësit kanë detyrimin që të ofrojnë mundësitë teknike për prindërit dhe institucionet arsimore të lartpërmendura, në mënyrë që ata të kenë mundësinë e kontrollit të aksesit për fëmijët. Në subjektet tregtare, që ofrojnë shërbimin e internetit për të tretë ose lojëra on-line  ndalohet hyrja e fëmijëve nën moshën 14 vjeç, të pashoqëruar nga, të paktën, njëri prej prindërve të tyre, kujdestari apo i afërm madhor, me lidhje të afërt familjare me fëmijën. Ky detyrim afishohet në mënyrë të dukshme në hyrje të subjektit tregtar që ofron shërbimin e internetit për të tretë ose lojëra on-line”, saktëson udhëzimi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Stadiumi “Rama Ik!”

Arben Rrozhani Ditari (a)politik Mijëra shqiptarë ishin mbrëmë në stadiumin “Air Albania”. Por protesta e tyre me baner e pagëzoi…

Abissnet