Fatura e dëmeve të tërmetit më e lartë nga sa mendohej, del shifra zyrtare

Kostot e dëmit të shkaktuara nga tërmeti shkatërrimtar të 26 nëntorit duket se do të jenë më të larta nga sa mendohej.

Ministri Bledi Çuçi ka treguar sot shifrën zyrtare të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti që shkon në 985 milionë euro.

“Nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit u prekën 202291 persona nga 11 bashki të vendit. Një kontribut i madh erdhi nga miqtë ndërkombëtarë. Vetëm një javë pas tërmetit qeveria kërkoi mbështetjen e BE-së, OKB-së dhe BB për një proces për të identifikuar dëmet dhe nevojat. 60 ekspertë të huaj dhe vendas dhe zyrtarë shqiptarë e përfunduan raportin në 30 janar. Është punuar me ritëm të lartë. 50 mijë ndërtesa verifkuan dhe u verifikuan 100% ndërtesat me rrezikshmëri të lartë. U zhvilluan edhe katër anketa për nevojat socio-ekonomike. Dëmet janë 98.574.906”, thuhet në deklaratë.

Më herët kryeministri Edi Rama kishte deklaruar nga Italia se raporti i dëmeve përllogaritet të jetë 1 miliard euro. Në vlerësimet paraprake të dëmeve të tërmetit bëhej me dije se “fatura” nuk do t’i kalonte 600 milionë eurot, por duket se shifra është rritur me kalimin e kohës.

985 milionë euro është një barrë jo e vogël për një vend si Shqipëria, pasi kjo shifër përbën gati 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Në fund të vitit të kaluar, me kërkesën e Qeverisë së Shqipërisë, Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore u angazhuan të kryejnë së bashku një vlerësim gjithëpërfshirës të pasojave, ndikimeve dhe nevojave që vijnë nga tërmeti i 26 nëntorit. Si pasojë e tërmetit mbetën 51 viktima dhe 14 000 banorë pa shtëpi.

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet