Fashizmi në art, “Informal” gjen forma lirie dhe një revoltë, si esencë për demokracinë (FOTO)

Foto 5 nga 5 Pas Para


Nga Valeria Dedaj

Skulptori Vladimir Llakaj prezanton ekspozitën personale në FAP. Artisti merr shkas nga periudha informale e artit pas Luftës së Dytë Botërore dhe e paralelizon me atë të 27 viteve demokraci në Shqipëri. Sipas tij, edhe pse sot dyert janë të hapura, mbyllja mendore edhe shpirtërore është po e njëjtë. Gabimet historike po përsëriten!

Kohët ndryshojnë, por reagimi i artistëve mbi kaosin ekzistencial dhe një lloj neverie të shkaktuar nga situata që i rrethon, mund të jetë i njëjtë edhe në periudha të largëta. Skulptori Vladimir Llakaj propozon “Informal”, kundrejt pesimizmit, që shkakton përsëritja e ngjarjeve të rënda, dramave të një sistemi që të çojnë në përfundimin se, njeriu politik nuk ndryshon. Por, a ka rrugë shpëtimi, dhe nëse po, cilat janë ato? Duket se skulptori e ka gjetur të tijën, forma dhe ngjyra që “tronditin” politikën, në mënyrën që ajo më së paku pëlqen, duke e injoruar dhe mos lejuar ndikimin e saj në veprat e tij, për të pasqyruar esencën e artit të vërtetë.

Në një kohë, që sipas Llakaj, artistët ndiejnë një lloj bllokimi, liria është e cunguar dhe mbizotërojnë ndjesitë e ndrydhjes, mosrespektimit e mosdëgjimit. Ai ndjen për detyrë, që nëpërmjet artit të hap një dritare të re, të gjejë një “formë lirie” në një përpjekje kolosale për të shpërfillur situata, që “shpërfytyrojnë” qenien e tij. Një situatë, që artisti e paralelizon me atë të 27 viteve demokraci në Shqipëri. Sipas tij, edhe pse dyert sot janë të hapura, mbyllja mendore edhe shpirtërore është po e njëjtë. Gabimet historike po përsëriten!

Dhe pas kësaj gjendje, qëndron njeriu politik i prirur të ndjekë interesin individual, duke u larguar nga bindja e përgjithshme e demokracisë. Në këtë pikë, arti “mbrohet” me kokëfortësi nga Llakaj, duke përdorur armën më të fortë të demokracisë revoltën e jashtëzakonshme, “Fenomen”. Një vepër që i lë reformës shumë pak hapësirë, e bën gati të padukshme, si një gënjeshtër apo fasadë, për një popull që me largimin e klasës intelektuale, zgjedh me lehtësi të gënjehet. Të gjitha këto vijnë në një ekspozitë jo të zakontë, me vepra ndjellëse, skulptura dhe piktura, që provokojnë këndvështrime të reja, si dhe të përfshijnë në një gjendje të paqtë meditative… Ekspozita qëndron hapur në galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura deri më datë 22 prill.

Zoti Llakaj, sillni për publikun ekspozitën e titullar “Informal”. Përse ky titull edhe çfarë ju ka ngacmuar për realizimin e saj?

Mbas Luftës së Dytë Botërore artistët mbetën të shokuar. Kjo ndodhi edhe pas Luftës së parë Botërore, por nuk pati shumë kohë për reagime. Ata që reaguan, nga fashizmi dhe nazisimi, u ekstraduan dhe u larguan. Ndërsa, pas Luftës së II-të Botërore mundësia, që artistët të reagonin ishte më e madhe. Në atë periudhë shumica ndjenin pështirosje nga ajo që kishte ndodhur. Duhet të reagonin shpirtërisht, por edhe me artin e tyre. Instinktivisht u lind ideja, se “Informalja” është lindja e një ndjenje mohuese në çdo gjë, që ishte bërë në një politikë, që duhet të mendonte për popullin. Këto pretendime u sheshuan! Artistët e vërtetë injoruan situatën politike dhe u morën me elementët bazikë të artit, formën dhe ngjyrën.

Çfarë të përbashkëte shihni ju në këtë kohë që ne po jetojmë, me atë që ka kaluar?

Unë kam qenë student i vitit 1991, i periudhës, që ndryshimi filloi realisht. Asokohe, dëshira edhe shpresa jonë ishte e madhe, sepse menduam se u zhduk një lloj diktature edhe për ne u hapën rrugët e lirisë. Por, realisht ndodh, që mbas rreth 25 vitesh demokraci, mbyllja mendore edhe shpirtërore është e njëjtë. Cungimi i lirisë, ndjesia e ndrydhjes, e mosrespektimit dhe mosdëgjimit janë të njëjta sikundër atëherë, kur dyert ishin të mbyllura. Sot dyert janë të hapura, por sërish eksiton mundësia, që këto gjëra të ndodhin.

Pra ekziston mundësia, që ngjarjet të përsëriten? 

Artistët e ndjejnë njëlloj bllokimin. Ky bllokim vjen, sepse njeriu politikë nuk mëson kurrë nga gabimet e veta. Por, ka injorancën e duhur për të mos kuptuar nga gabimet e historisë. Njeriu politik është gjithmonë i prirur, që të shkojë drejt interesit të vetë, të grupit që përfaqëson apo që e shtrëngon, duke u larguar nga bindja e përgjithshme e demokracisë.

Nuk ka ndryshuar asgjë nga këto, as tani që në krye të qeverisë kemi një artist?

Realisht nuk kam dëshirë që të flas për të. Por, për mua është kryekëput i gabuar! Në politikat, që ndjekë me artin është totalisht një fashist. Vepron njëlloj, sikundër ka ndodhur para Luftës së II-të Botërore. Njëlloj, sikundër kanë vepruar liderët e tjerë nga Duçja deri te Hitleri me përzgjedhjen apo mospërzgjedhjen e artistëve. Nuk mundet një kryeministër, që të përzgjedhë artistët dhe të vendosë, se cilët janë artistët më bashkëkohorë. Këtë e bën kritika. Një kryeministër nuk mundet të jetë kurrë, por kurrë një përcaktues i jetës artistike edhe shpirtërore të vendit. Nuk e ka për detyrë edhe nuk ja kërkon askush! Në momentin që e bën, bën gabim fatal, duke përsëritur gabimet e njerëzve më negativë në këtë fushë.

 “Fenomeni”, çfarë mund të na thoni për këtë vepër, të cilën e plotësoni dhe me fotografi, që kanë në qendër revoltën e popullit shqiptar?

Këtë vepër e kam titulluar “Fenomeni”. Bëhet fjalë për fenomenin, që ka prodhuar historia shqiptare gjatë gjithë kohës, që ka pasur shtet. Në Shqipëri fenomeni ka qenë njëlloj, si lufta e klasave, ku disa janë të mirë dhe disa negativë për vendin. Të mirët duhet, që të luftojnë kundër negativëve. Por, fenomeni është akoma më agresivë dhe në periudhën e demokracisë, që ne shpresonim shumë.

Ajo që mbizotëron në demokraci, por edhe që ka hyrë, si esencë në mendjen time është revolta. Nga njëra anë është populli i revoltuar, pa mundësi për mbijetesë dhe liri. Ndërsa, nga ana tjetër janë policët që përfaqësojnë shtetin, burokratët, që janë të detyruar të mbrojnë mbijetesën dhe vendin e tyre. E thënë kaq thjesht, nuk kemi bërë asgjë edhe nuk mundet, që të vazhdojmë, që të bëjmë asgjë, sepse thjesht kemi krijuar kontradikta të tjera. Të gjitha filozofit dhe diskutimet pseudopolitike, pseudoarsimore dhe pseudoartistike nuk të shpien askund. Janë të gjitha gënjeshtra, që të çojnë drejt një konflikti të madh, deri vëlla me vëlla. Në mes tyre ka hyrë përçarja, helmi i mbijetesës, i mosbindjes dhe i çdo gjëje të lig. Përderisa përçarja ka hyrë në familje, atëherë kjo demokraci ka dështuar, sikundër me këtë teori dështoi edhe komunizmi.

Ku jemi në këtë situatë?

Në Europë nuk jemi, sepse nuk kemi përqafuar idetë, luftën dhe as gjakderdhjen e tyre për demokraci, por kemi përqafuar thjesht fasadën. Ne kemi një kryeministër, që merret me fasadat. Mbulon plagët e Shqipërisë, me një fasadë dhe me një fustan me xixa. Ndërsa, Shqipërisë nuk i bën një revolucion të brendshëm shëndetësor apo arsimor, por i me bukëkuq i bën manikyr dhe pedikurë.

Profesor, në këtë vepër, ju reformës i keni dhënë një vend shumë të padukshëm… Sa besoni te reforma?

Reformat nuk bëhen në momentin, që veza të ka ardhur, reformat bëhen para se të vijë veza. Ndryshe veza nuk do të dalë cilësore. E gjitha bëhet në atë moment, kur çdo gjë ka kapitulluar. Prandaj, duke e mbajtur me fasadë, koncept ky i përdorur jo vetëm nga kreu i qeverisë së tanishme, bën që pjesa e popullit, që ka ngelur në Shqipëri të gënjehet. Intelektualët, truri i vendit, janë larguar edhe kjo është fatkeqësia më e madhe. Ky popull me këtë gënjeshtër kaq banale është i destinuar, që të shkojë sa nga e majta edhe sa nga e djathta. Ndonjëherë, kryeministrat edhe ministrat, mua më duken viktima në këtë vend. Prandaj, mendoj se më shumë mendojnë për të ardhmen e tyre, sesa të vendit.

Profesor, si e vlerësoni gjendjen aktuale, ku ndodhet sot arti dhe artistët shqiptarë? A ka përgjegjshmëri për vendimet që merren nga ministrja e Kulturës?

Ndonjëherë, duke e nuhatur nga larg kemi ndjesinë, që të kuptojmë, se personi që ka ardhur në krye të ministrisë, nuk ka aftësitë e duhura. Këtë nuk e mendoj vetëm unë, por të gjithë artistët në përgjithësi. Të gjithë kanë pritur, që kjo lloj ndjesie të jetë e gabuar, por që realisht nuk doli kurrë ndryshe. Fatkeqësia është se kjo qeveri, por dhe të tjerat në krye të institucioneve të kulturës vendosin njerëzit të alienuar, që nuk kanë lidhje me realitetin. Ministrja aktuale është vetëm një zbatuese e gjuhës shqipe, që njeh një gjuhë të huaj mirë, por kjo nuk mjafton. Në fushën e kulturës duhen njerëz, që kanë dhënë ide për zgjidhjen e çështjeve të kulturës në vendin tonë, për situatën që ne jetojmë.

Nuk e di se nga i marrin këta personazhe. Por, di se prej 15 vitesh, nga momenti që kam ardhur, këta personazhe mbysin dëshirën e artistit për të krijuar art. I referohen asaj, që ka ndodhur në Perëndim. Çfarë lidhje kanë këta me Perëndimin, kur janë 500 vjet pas saj?! Duam njerëz, që ndjekin problematikat këtu, që këto 500 vjet t’i kapim pak nga pak, duke pasur njerëz praktikë në krye. Duhet një personazh praktik, i dashur edhe i njohur, që do vendin dhe artistët e vet, që të menaxhojë artin. Por, këta i largojnë profesionistët. Çfarë është kjo armiqësi ndaj artistëve?! Më vjen keq, që artistët janë kaq të mefshtë edhe nuk ngrihen, që të kërkojnë llogari për vendet ku janë. Në Shqipëri u është futur frika në zemër edhe artistëve, jo vetëm popullit.

Nga frika se do të hakmerren ndaj tyre artistët shprehen, se nuk mund të ngrihen, se shteti mund t’i dëmtojë. Çfarë është kjo?! Kjo është kaluar çdo lloj diktature. Të paktën, në kohën e diktaturës, të Enver Hoxhës, të thoshin: Këtë bëje, por këtë mos e bëjë, se unë të pushkatoj. Ndërsa, sot ta bëjnë më keq! Nuk ka një mbështetje për artistët, sikundër bëhej asokohe, ku Enver Hoxha artistët më të mirë i mbështeste, duke u derdhur veprat. Sot jemi në kapitalizëm edhe jam dakord, që duhet të ketë një treg privat, por shteti ka strategji. Shteti ka disa vite, që nuk blen asnjë vepër arti.

“Kulti i individit është gjithmonë rreziku i diktaturave”

Kaosi urban është i pranishëm edhe në këto vepra…

Këto janë forma të informales, sepse këtu injorohet zallamahia arkitekturore, që është bërë. Gjenden zgjidhje arkitekturore për ta mundur këtë lloj kaosi urban, që kthehet ekzistencial. Kriza më e madhe e njerëzimit, është kriza arkitekturore, kaosi i urbanistikës. Nuk është as kriza kulturore edhe as ekonomike. Këto rregullohen! Këto mln euro, që janë hedhur, s’janë hedhur për mirë, por për t’ua nxirë jetën më shumë shqiptarëve. Këtë gjë e kam evidentuar qysh para 18 vitesh.

Dashur pa dashur merrem me politikë, se arti është i sulmuar nga politika. Kjo temë është vazhdim i një ekspozite më të hershme. Por, tani kam gjetur një lloj ngushëllimi, duke thënë se kjo është bota, që ringrihet, shkatërrohet dhe ngrihet sërish. Për shkak të gabimeve të përsëritura të njeriut.

Por, kemi edhe një vepër, që na tregon atë që ndodh kur arkitektura është e organizuar shumë mirë…

Këto ndërtime janë të organizuara mirë, duke bashkëvepruar ngushtë me njëra-tjetrën. Kjo ndodh në qytetet apo në lagjet e vjetra, ku jeta ka qenë shumë e mirëorganizuar nga pikëpamja arkitektonike. Atje respektohet natyra dhe drita e diellit, ndërsa sot çmenduritë janë të pafundme.

Këtë ekspozitë edhe pse e nisni me gjendjen e pas Luftës së II botërore përfundon kaq natyrshëm me realitetin shqiptar sot…

Jemi në një boshllëk të madh shpirtëror, shqiptarët ndodhen në të njëjtën situatë që janë ndodhur evropianët pas Luftës së II-të Botërore. Besuan tek demokracia, tek liderët që dolën dhe nga të gjithë u zhgënjyen. I zhgënjyen drejtuesit, por edhe pseudoteoritë e tyre. Në fund, esenca që ne artistët shohim është se, nuk kënaqemi lehtas me teori pa fund. Për mua një udhëheqës i mirë, nuk është ai që çdo ditë rri katër orë në televizion, duke më shpjeguar se si duhet të shikoj unë jetën time. Unë jetoj dhe çdo ditë dhe zgjohem me atë hall, ndërsa ai del në darkë dhe më thotë: Shih se e ke gabim!

Mua më mungojnë të ardhurat për t’i siguruar fëmijës ushqim dhe arsimim. Më mungon siguria dhe qetësia publike. Ndërsa, në darkë ai më del me kostumin e fundit në modë dhe më thotë: Shih se e mendon gabim ti, nuk është kështu. Kjo është lindja e një DIKTATORI. Më vjen keq ta them, sepse këtë gjë kur e thotë një artist e akuzojnë se është ose me partinë e majtë ose me të djathtën. Por, në një moment edhe unë kam besuar tek ai, por ka dalë shumë zhgënjyes! Mbase, sepse është i paaftë. Por, njeriu kur është i paaftë, jep dorëheqje, duke thënë: Shihni, unë desha që të bëja diçka, por nuk e arrita!

Kjo më kujton, revolucionarin e madh, Maximilien Robespierre-n (figura më ndikuese në Revolucionin Francez), i cili në fund e kuptoi se me dëshirën, që pati për të bërë gjërat më mirë ekzekutoi shumë njerëz, që mendonin ndryshe. Kur e kuptoi tha: Kjo është e pamundur! Në një analizë, që Zvajku ka bërë për Ropespierre, shkruan, se: “Bomba më e madhe sociale është një njeri, që është totalisht idealist i pastër. Gjen gabime tek të gjithë”! Një njeri kur vjen në krye të një shteti, duhet të vijë nga populli, ndryshe sa ulet në karrige i harron hallet e popullit. Ndërsa, kur e kuptojnë që bëhen diktatorë, kanë frikë dhe krijojnë ushtri për të mbrojtur veten. Teoritë e tyre shtyjnë popullin drejt luftës civile.

Edhe së fundmi, a ka një dritë jeshile në Shqipëri për artin, por jo vetëm, pa shkuar në luftë civile?

Lindja edhe Perëndimi kanë dy teori të ndryshme. Realiteti ka treguar se cila nga teoritë ka ecur më shumë. Lindja me “sulltanizmin e vet” shkon drejt unit. Kulti i individit është gjithmonë rreziku i diktaturave. Perëndimi, që në momentin që preu kokën e mbretit kuptoi, se teoria e unit është e gabuar. Për mua kjo është drita, që në Shqipëri, jo këta që drejtojnë, se këta nuk e bëjnë dot, sepse është si bumerang që t’i kthehen vetes, por populli dhe sidomos intelektualët që kanë ngelur edhe ata që janë jashtë duhet, të lidhin një aleancë shumë të fortë dhe të sulmojnë deri në vdekje teorinë e unit, të personazhit dhe idealizimit të atij, që duhet të drejtojë vendin.

Në demokraci funksionon teoria e shpërndarjes së pushtetit edhe e vendimmarrjes nga njerëzit e saj më të aftë edhe më funksional në të gjitha fushat e jetës. Në momentin, që të gjithë këta mbajnë përgjegjësinë e tyre para ligjit për zgjidhjet sociale, ekonomike, kulturore etj., atëherë fillon që mos të kenë frikë sulltanin, por të veprojnë sipas dijeve të tyre. Sulltani nuk mundet që të jetë njëkohësisht edhe inxhinier ndërtimi edhe menaxher turizmi. Ky është problem i Lindjes. Bashkimi i shumë fushave të ndritura në fushat e tyre, jep dritë dhe zgjidhje. Në momentin që këto kanalizime shkojnë drejt sulltanit, edhe sulltani mban pranë vetes personazhe të vobektë, që i servilosen nga mëngjesi deri në darkë për të mbajtur pozicionin e tyre, ata nuk po bëjnë asgjë tjetër, veçse profesionin e servilit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet