“Fajin për përmbytjen e ka qeveria, unë jam ‘krimineli’ që ‘pjell’ ky shtet”

Publikuar më 05. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Lindita Bushgjokaj

Intervista me pronarin e pikës së shitjes së makinave, pranë zonës së përmbytur në Kashar. Vjet iu shkatërruan 26 makinë, sivjet edhe më shumë dhe ai nuk më lekë për të paguar. Akuza e ashpër për qeverinë dhe thirrja për të mos paguar asnjë taksë

Në autostradën Tiranë-Durrës përmbytja erdhi në mënyrë të pashpjegueshme, me presion dhe dëme të mëdha materiale. Në këtë aks rrugor më të prekurat ishin bizneset që kanë humbur investime të jashtëzakonshme, pasi nuk e prisnin një ndodhi të tillë dhe nuk kishin marrë masa paraprake. Sot ata ndihen të zhgënjyer, sepse fenomeni që solli këto shkatërrime nuk ishte fatkeqësi natyrore, por njerëzore. Ndërkohë që rreth 600 makina janë dëmtuar nga përmbytja dhe njerëzit janë larguar të tmerruar nga vendngjarja, duke lënë mjetet për të shpëtuar veten e tyre.

Pronarët e bizneseve pohojnë gjithashtu se është hera e dytë që ndodh kjo fatkeqësi, por qeveria nuk merr masa për ta parandaluar. Elvini, rreth 28 vjeç sot është i revoltuar ndaj shtetit, sepse ai i është përgjigjur me biznesin e tij me të gjitha taksat dhe detyrimet ligjore, por qeveria e ka injoruar ekzistencën e tij. Kompania e sigurimeve nuk i përgjigjet, sepse i thotë se përmbytja nuk ishte fatkeqësi natyrore, por njerëzore.  Elvini thotë për “Shekulli”-n, se nuk do të paguajë më taksa. “Jam krimineli që ka pjell ky shtet”-, shprehet ai i revoltuar, i zhgënjyer dhe plot borxhe ndaj klientëve.

Elvin, po shikoj shumë makina të dëmtuara, janë të gjitha nga përmbytja? Si do ja bëni për t’u përballur me klientët?

Është hera e dytë që mbytemi. Janë dëmtuar dhe një pjesë e makinave që kisha nga hera e parë, të cilat nuk i kisha rregulluar dot. Ndërsa vjet u dëmtuan 26 makina, një pjesë të tyre ua kam paguar klientëve dhe një pjesë i kam rikuperuar. Shiko të gjitha këto makina janë mbytur në ujë.

Sa vite ka që e keni këtë biznes?

Kam 16 vjet. Dëmtim të madh kanë pësuar kompjuterat, të cilët janë bllokuar. Ja kësaj makinës i hoqëm motorin, i vendosëm fener të ri. Këtu erdhi Fatmir Xhafa dhe e pyeta: A ka emergjencë civile? Tha: Jo, nuk ka. Unë e kisha të siguruar vjet biznesin dhe e humba me gjyq, sepse shoqëria e sigurimit më thotë: Ti djalë i dashur nuk je përmbytur për shkak të fatkeqësive natyrore, por për shkak të infrastrukturës. Kam që në 2003-shin biznes me licencë dhe nuk më ka pyetur kush se çfarë është licenca, sepse nuk e dinin. I paguaj taksa shtetit që  nga viti 2003. I kam të gjithë punëtorët e siguruar.

Kur vjen puna që ne të përmbytemi një herë, dy herë dhe shteti të mos çajë kokën për ne. Unë u dërgoj letër tatimeve dhe tatimet nuk vijnë për të më bërë inventarizimin e mallit që unë e kam blerë me lekë. Ky është shteti që të bën kriminel me zor dhe unë do të heq dorë nga kjo punë, ose do të punoj pa taksa, pa tatime. Dhe kur të më vijnë tatimet këtu unë do ta vras një inspektor tatimesh, sepse pas gjithë kësaj fatkeqësie nuk mund të më vendosin gjobë. Kur të vijë bashkia të më kërkojë taksat, edhe pse vjet ashtu i përmbytur i kam paguar, këtë vit le të më vendosin shiritin për të ma bllokuar biznesin dhe unë do ta vras një nga ata. Unë jam kriminel që pjell ky shtet, jo se unë dua të bëhem kriminel, unë dua të punoj me të drejtë.

 

Si do ja dalësh për të kompensuar dëmet e kësaj fatkeqësie dhe si do justifikohesh tek klientët?

Vjet desh u vrava me klientët. Thonin nuk e dua makinën.

Ju ka ndihmuar shteti?

Jo, është shumë e thjeshtë, jo! Ku të drejtohem? Kryeministri jonë i “dashur” kaloi këtu dhe ndaloi vetëm te një biznes tjetër, sepse ai është një nga bizneset më të fuqishme në Shqipëri dhe normalisht ai i intereson shtetit. Ne “morrat” nuk i interesojmë.

Duke qenë se ka ndodhur dy vite, disa thonë se janë shkaktare dy biznese. Ju keni ndonjë dyshim sesi ka ndodhur?

Po më kërkon shumë, sepse unë nuk jam as inxhinier, as drejtor i drejtorive të rrugëve, as shef i urbanistikës së Shqipërisë që të gjej shkaktarët. Unë kam dal këtu për të bërë biznesin tim dhe këtë biznes po ma shkatërrojnë. Këtë ta gjejnë institucionet përkatëse që janë për këtë punë. Unë tani dyshoj te të gjithë dhe gjithçka, edhe te ti, edhe të im atë që hedh plehra diku aty. Ty po të çahet goma e makinës dhe kur ndalon aty të cepi i rrugës për të ndërruar gomën, vjen policia në moment dhe të thotë pse ke ndaluar? Ndërsa unë që mbytem në ujë i them policit: Eja ma mbaj një raport që kjo makinë është mbytur në ujë. Nuk vjen njeri të më mbajë raportin. Unë kam 6 familje që punojnë këtu.