“Facebook mbyll faqet pro-palestineze”

Zyrtarë izraelitë kohën e fundit u takuan me përfaqësuesit e Facebook-ut të cilët ishin kërcënuar me ndjekje penale nëse nuk plotësonin kërkesat e Izraelit për të fshirë llogaritë e disa aktivistëve palestinezë

RAMALLAH (AA) – Rrjeti social Facebook në mënyrë të njëanshme ka mbyllur disa faqe pro-palestineze për “nxitje”, një veprim që palestinezët e përshkruajnë si një shkelje flagrante të lirive të mendimit dhe të shprehjes, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas të përditshmes palestineze Al-Hayat al-Jadida, zyrtarë izraelitë, duke përfshirë ministrin e Drejtësisë Ayelet Shaked, kohën e fundit u takuan me përfaqësuesit e Facebook-ut të cilët ishin kërcënuar me ndjekje penale nëse nuk plotësonin kërkesat e Izraelit për të fshirë llogaritë e disa aktivistëve palestinezë.

Siç raportoi gazeta, vetëm brenda katër muajve të fundit ministri Shaked parashtroi 158 kërkesa të ndara për zyrtarët e Facebook-ut për fshirjen e përmbajtjeve në faqe të ndryshme pro-palestineze në Facebook.

Sipas gazetës, Facebook deri më tani ka përmbushur pothuajse të gjitha kërkesat e ministrit izraelit.

Ghazi Bani Odeh nga Qendra Palestineze për Zhvillimin e Lirive të Medias, një organizatë joqeritare, tha se Izraeli mbështetej në një sërë “arsyetimesh”, për të hequr çdo përmbajtje që konsiderohej “nxitje për dhunë”.

Një ujdi e tillë “ndikon thellësisht në lirinë e shprehjes”, tha për AA Bani Odeh, duke pohuar se dhjetëra llogari pro-palestineze në Facebook ishin mbyllur kohët e fundit.

Vitin e kaluar, shtoi ai, Facebook kishte mbyllur faqen zyrtare të Lëvizjes Fatah të presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, pasi që kishte postuar një fotografi të një pushkë-mbajtësi Yasser Arafat.

Sipas Bani Odeh-ut, Facebook kurrë nuk ka ndërmarrë veprime të ngjashme kundër asaj që ai e përshkroi, si “dhjetëra” faqe të Izraelit të njohura për nxitjen e dhunës kundër palestinezëve dhe pronës së tyre.

Të tjera

Abissnet