Ermal Meta: Doni që të përfaqësojmë Italinë në Eurosong? Do të jemi atje!

Nga Valeria Dedaj

Kantautori shqiptar dhe Fabrizio Moro triumfojnë në Sanremo 2018. Kënga e tyre, “Nuk më keni bërë asgjë” është një himn paqeje, kundër terrorizmit që çdo ditë po trazon zemrat dhe jetët e njerëzve të pafajshëm, një qëndresë shpirtërore kundrejt luftërave që bëhen në emër të fesë

“Bota ngrihet me buzëqeshjen e një fëmije”, është ky mesazhi që preku zemrat e italianëve dhe më gjerë gjatë këtyre netëve të Festivalit të Sanremo 2018. Përtej luftërave të kota, përtej gjithçkaje, përtej njerëzve Ermal Meta dhe Fabrizio Moro, në një duet nga më të përfolurit dhe të pëlqyerit në historinë e Sanremos, kanë zgjedhur të dhurojnë emocione të pastra dhe mbi të gjitha një thirrje të fortë, me poezi dhe këngë për atë që bota ka më shumë nevojë, për dashuri dhe paqe. Sepse, për Metën kjo është thelbësore,“një zemër e pastër është shumë më e qetë. Të bën të flesh më mirë natën dhe të vraposh më shpejt ditën”. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe me muzikantin nga Shqipëria, që me artin e tij ka ditur të prekë zemra duke thyer, paragjykimet e çdo kufij, sepse siç ai shprehet: “Muzika arrin të depërtojë atje ku fjalët dështojnë, veçanërisht në lidhje me çështjet e rëndësishme”.

“Nuk më keni bërë asgjë” është një himn paqeje, kundër terrorizmit që çdo ditë po trazon zemrat dhe jetët e njerëzve të pafajshëm, është një qëndresë e fortë shpirtërore kundër së keqes, kundrejt luftërave që bëhen në emër të fesë, sepse ashtu siç thuhet në tekst “nuk ekzistojnë bomba paqësore”.

Kjo këngë, siç theksojnë këngëtarët nuk është një replikë, por janë ndjesi dhe përjetime të mbledhura nga të tjerët dhe që ata i kanë ngjyrosur me emocionet e tyre. Por, sigurisht ashtu siç Meta shprehet, pas një kënge ka më tepër nga sa duket, ka përjetime personale dhe nuk mund të ndodhte ndryshe në një poezi si kjo që buron nga shpirti. Dhe pyetjes se çfarë mendonit, ndërsa këndonit refrenin “Nuk më keni bërë asgjë” kantautori shqiptar i është përgjigjur: “Kam menduar rreth fëmijërisë sime. Dhe do të kisha dashur të bërtas: “Bastard, nuk më ke bërë asgjë!”. Janë këto fjalët e një artisti tashmë të konfirmuar, që ruan brenda vetes një fëmijë që ka përjetuar plagë të rënda sociale, si dhuna dhe që ka zgjedhur t’i përgjigjet jetës me zemër të pastër dhe paqe ku arti zë një pjesë thelbësore të këtij procesi. “Muzika ka qenë një formë shërimi, veçanërisht atëherë kur ishte shumë e nevojshme”, thekson ndër të tjera Meta, i cili tanimë bashkë me familjen e konsideron atë pjesë të pandashme të jetës së tij. “Nuk mund të bëj pa të, nuk mund të rri pa bërë muzikë. Nuk mund ta injoroj. E ndiej edhe kur fle”.

Ndërkohë, që edhe kolegu i tij Fabrizio Moro, është shprehur se refreni e bën të mendojë rreth asaj që ka kaluar në jetën e tij, “Ndoshta është pikërisht për këtë që dukem gjithmonë pak i zemëruar”, ka shtuar ai duke qeshur.

Ndërkaq pas festivalit dy këngëtarët janë shprehur edhe rreth akuzave për plagjiaturën e supozuar, shkak për të cilën u bë risjellja e një pjese të këngës “Heshtje”, pjesëmarrëse në Sanremo 2016, nga bashkautori Andrea Febo. Ripërdorimi i pjesës ishte deklaruar më herët nga autori dhe këngëtarët në intervista të ndryshme.

“Ajo që ndodhi na ka prekur, por tani nuk kemi asnjë ndjesi ‘hakmarrëse’, sepse nuk ka kuptim të jemi të zemëruar. Jemi të lumtur”, kështu është shprehur Ermali pas fitores së Festivalit të 68-të të Sanremos. Ai ka pohuar se: “Isha i bindur se do të kishim mbërritur në treshe”. “Unë personalisht jam mësuar t’i kaloj pengesat e jetës me energji pozitive”, ka shtuar kolegu i tij, Fabrizio Moro, i cili përtej emocioneve të gëzimit, ka theksuar se më e bukura e kësaj eksperience është se ka gjetur një mik të ri, duke iu referuar Metës.

Përsa i përket pjesëmarrjes së tyre në Eurovision Song Contest, nga 8-12 muaj në Lizbonë, kantautori italo-shqiptar ka shprehur entuziazmin e tij për mediet italiane: “Ju doni që ne të përfaqësojmë Italinë? E atëherë ne do të jemi atje, shumë të nderuar”.

Mbrëmja e së shtunës përveç çmimit të madh, i ka dhuruar dyshes Meta-Moro edhe çmimin “Tim Music”, duke rikonfirmuar se ka qenë pikërisht kënga “Nuk më keni bërë asgjë më e dëgjuara nga publiku”.  Në vendin e dytë u rendit grupi “Lo Stato Sociale”, ndërsa e treta ishte një baladë dashurie nga Annalisa Sacrrone.

Të gjithë “të çmendur” pas Ermal Metës

Me fitoren e Metës në Sanremo, tanimë në Eurosong do të kemi dy shqiptarë të denjë, bashkë me Eugent Bushpepën që do të “flasin” me gjuhën e muzikës. Edhe pse gjatë këtyre netëve të Festivalit të Sanremos, mund të thuhet se më shumë sesa fitues i çmimit të madh, Meta është fituesi moral i këtij eventi gjigant. Është e rrallë dhe aspak e lehtë që në ditët e sotme kur racizmi dhe paragjykimet errësojnë ndjesitë e njerëzve një artist të dijë përpos pengesave dhe vështirësive të depërtojë te publiku, të përçojë mesazhet e duhura, të dhurojë me dashuri dhe paqe me artin e tij. Të gjitha këto ndjesi pozitive kantautorit shqiptar i janë “kthyer” nga publiku italian, i cili e ka përkrahur përpos polemikave, duke i dhënë suport moral në rrjetet sociale dhe natyrisht edhe duke e votuar gjatë natës finale. Një panoramë emocionuese që reflekton fuqinë e artit, të muzikës dhe natyrisht forcën e një zemre të pastër, që i ka mbijetuar errësirës së dhunës e vështirësive.

Teksti i këngës fituese, “Nuk më keni bërë asgjë”

Në Kajro nuk e dinë sa është ora tani/Dielli në Rambla sot nuk është i njëjti/Në Francë ka një koncert/Njerëzit po argëtohen/Dikush këndon fortë/Dikush bërtet deri në vdekje/Në Londër bie shi gjithmonë por sot nuk bën asnjë dëm/Qielli nuk i bën ulje asnjë funerali/Në Nice, deti është i kuq nga zjarri dhe nga turpi/Nga njerëzit në asfalt dhe gjaku në kanal/Dhe ky trup i madh që ne quajmë Tokë/E plagosur në organe nga Azia deri në Angli/Po ajo më e rëndësishmja është hapësira e një përqafimi/Nga nënat pa bij, nga bijtë pa baballarë/Nga fytyra të zbehta si mure pa piktura/Minuta heshtjeje të thyera nga një zë/

Nuk më keni bërë asgjë/Nuk më keni bërë asgjë/Nuk më keni bërë asgjë/ Kjo është jeta ime që vazhdon/Përtej gjithçkaje, përtej njerëzve/ Nuk më keni bërë asgjë/Nuk më keni bërë asgjë/Sepse gjithçka shkon përtej luftërave tuaja të kota/Ka nga ata që bëjnë kryqin/Nga ata që luten në tapete/Kishat dhe xhamitë/Imami e gjithë priftërinjtë/

Hyrje të ndara të së njëjtës shtëpi/Miliarda njerëz që shpresojnë në diçka/ Krahë pa duar/Fytyra pa emra/Le ta këmbejmë lëkurën/Tek e fundit jemi njerëz/Sepse jeta jonë nuk është një kënd vështrim/Dhe nuk eksitojnë bomba paqësore/

 

Nuk më keni bërë asgjë/Nuk më keni bërë asgjë/Kjo është jeta ime që vazhdon/

Përtej gjithçkaje, përtej njerëzve/Nuk më keni bërë asgjë/Nuk më keni bërë asgjë/Sepse gjithçka shkon përtej luftërave tuaja të kota/Luftërat tuaja të kota/ Do të bien gradaçelat/Dhe metrotë/Muret e kontrasteve të ngritura për bukën/Por kundër çdo terrori që pengon rrugën/Bota ngrihet/Me buzëqeshjen e një fëmije/ Me buzëqeshjen e një fëmije/Me buzëqeshjen e një fëmije/

Nuk më keni bërë asgjë/Nuk më keni bërë asgjë/ Sepse shkon përtej luftërave tuaja të kota/Nuk më keni bërë asgjë/

Luftërat tuaja të kota/Nuk më keni bërë asgjë/Luftërat tuaja të kota/Nuk më keni bërë asgjë/Luftërat tuaja të kota/ Jam i ndërgjegjshëm se të gjitha nuk do të kthehen më/Lumturia fluturonte/Siç fluturon larg një flluskë.

Biografia

Ermal Meta (1981) lindi në qytetin e Fierit, ku ka studiuar në shkollën e muzikës “Jakov Xoxa”. Në vitin 1994 u transferua së bashku me familjen në Bari të Italisë, ku në vitin 2007 themeloi grupin “La fame di Camilla”, me të cilin realizon tre albume. Në albumin e tij të parë përveçse një kënge në gjuhën shqipe ai trajton edhe tematika të emigracionit. Grupi do të ishte ndër më të vlerësuarit nga kritika, ndërsa Ermali një nga komponentët më me rëndësi dhe shumëdimensional pasi ai shkruan tekste, këndon, i bie pianos dhe kitarës. Në 2012 Ermali do të nisë një karrierë të suksesshme si kantautor, që do ta çojnë në bashkëpunime me këngëtarë italian të njohur, si Marco Mengoni, Francesco Renga, Emma Marrone, Annalisa Scarrone, Chiara Galiazzo, Patty Pravo (me të cilën edhe këndon “Non mi interessa”) etj. Talenti i tij qoftë si kantautor, apo edhe si këngëtar i ka hapur atij dyert e “Sanremos” për vite me radhë. Skenës së “Sanremos” ai i ka dhënë nga vetja edhe si kantautor, në bashkëpunime me këngëtarë të suksesshëm, si Annalisa me këngën “Non so ballare”, dhe Chiara me “Straordinario”. Në 2006 merr pjesë për herë të parë me grupin Ameba4. Për t’u rikthyer në 2010 me grupin “La fame di Camilla”. Ka qenë pjesë e “Sanremos së të rinjve”. U vlerësua me çmimin gjatë vitit të kaluar edhe do të rikthehet sërish në duet me Fabrizio Moron në “Sanremo 2018”, ku u shpall dhe fituesi i këtij edicioni.

Të tjera

Abissnet