Erjona Rushiti: Jonida Maliqi, zëri më i bukur femëror i Eurosong 2019

Foto 1 nga 18 Pas Para

Nga Tel Aviv, kompozitorja dhe autorja e tekstit të këngës “Ktheju tokës”, rrëfen Shqipërinë në Eurovizion. Për “Shekullin” ajo zbulon detaje nga skenografia, veshja dhe se si Jonida Maliqi “sfidoi” këngëtarin e përfolur si fitues

Anila Dedaj

“Guxo të ëndërrosh”, është ky slogani nën të cilin zhvillohet edicioni i 64-ët i festivalit evropian më të madh të këngës në Tel Aviv (në 14, 16 dhe 18 maj). Të mëdha janë ëndrrat, edhe të delegacionit shqiptar në Eurovizionin e këtij viti, po ashtu edhe përpjekjet. E duke pritur që të ngrihet sipari për mbrëmjen e madhe, gjatë kthimit nga Jeruzalemi në Tel Aviv (dje), Erjona Rushiti, autore dhe kompozitore e “Ktheju tokës” rrëfen për “Shekullin” pritshmëritë, si dhe këtë eksperiencë, që me vokalin e Jonida Maliqit bëhet edhe më premtuese. Ajo zbulon elementët e etnosit, që ashtu si në orkestrimin e Enis Mullajit, do të shfaqen edhe në veshje e skenografi. Pavarësisht se vendet e tjera të zhvilluara, përsa i përket investimit monetar të bërë në një event të tillë, siç edhe Rushiti pohon, nuk mund të krahasohen me Shqipërinë, ajo shprehet se një produkt i mirë muzikor, që përcillet nga një këngëtar i mirë, në fund arrin të vlerësohet ose së paku të lërë shije të mirë. Jonida, deri më tani e ka thënë të sajën, përmes zërit. Gjatë tureve dhe provave të realizuara, ajo vetëm që ka sfiduar, të shumëpërfolurin si fitues, Duncan Laurence (këndon “Arcade”) që përfaqëson Holandën, por edhe është cilësuar, si vokali më i mirë femëror për Eurovizionin e këtij viti. E renditur si e 14-ta për të performuar gjatë semifinales së dytë në 16 maj, “Ktheju tokës” fton emigrantët, të cilëve u dedikohet kjo këngë të votojnë me numrin 14!

Erjona, jemi vetëm një ditë larg performancës në Eurosong. Ç’mund të na thoni rreth organizimit, që i është bërë këtij eventi në Tel Aviv dhe përshtypjeve që ju kanë lënë shtetet e tjera në garë?

Është një atmosferë shumë e ngrohtë dhe mikpritja është e madhe. Gjithçka është e organizuar në perfeksion. Gjatë kësaj kohe kemi pasur mundësi që falë tureve të ndryshme që kemi bërë të shijonim Tel Avivin, si dhe Jeruzalemin. Përsa i përket performancave, çdo shtet i bën provat e izoluara. Po ashtu secili prej vendeve në garë ka dhomën e tij, korridorin, montazhin, gardërobën përkatëse etj. Pra delegacionet e çdo vendi deri më tani kanë pasur “zonën” e tyre të performimit, andaj ne nuk dimë se si u kanë shkuar provat. Si çdo njeri tjetër në lidhje me këtë jemi informuar përmes rrjeteve sociale e medieve.

Si është pritur Jonida deri më tani gjatë performancave që ka dhënë?

Është pritur mjaft mirë. Mjafton të përmend faktin se në turet e mbajtura në Amsterdam, Londër dhe Madrid kënga dhe Jonida, janë renditur, njëherë në vendin e parë, e tjetrën, në vendin e dytë. Pra Holanda dhe Shqipëria në këto raste kanë dalë në krye, duke shkëmbyer vendet si fitues. Po ashtu, përsa i përket provave të mbajtura në Izrael, Jonida mbetet zëri më i bukur femëror i Eurovizionit të këtij viti. Gjatë këtyre provave Jonida ka dhënë më të mirën dhe ‘backvocal-et’ (Artemisa Mithi, Tiri Gjoci dhe Uendi Mancaku) kanë qenë në një nivel të admirueshëm artistik.

Kënga, siç ju e keni pohuar edhe më herët ka mjaft pjesë të etnosit. A do të shoqërojnë elementët etnografikë edhe veshjet e skenografinë? Cilat janë të veçantat?

Sigurisht që “Ktheju tokës” është një këngë e mbështetur në folklorin tonë. Po ashtu edhe Enis Mullaj në orkestracionin që ka bërë është munduar të ndërfusë instrumente nga treva të ndryshme të Shqipërisë, përfshirë Jugun e Veriun. Pra produkti muzikor, mënyra e të kënduarit e Jonidës janë brenda etnikes. Sigurisht që në këtë pjesë nuk mungojnë elementë të muzikës bashkëkohore. Një ndërthurje e tillë e harmonizuar është “përkthyer” edhe në veshjen me të cilën Jonida do të performojë. Ardi Asllani, e ka kuruar me shumë kujdes fustanin e këngëtares, duke bërë pjesë të tijin, elementë të veshjeve tona tradicionale, të sjella në mënyrë kontemporane. Përveç punës që është bërë nga ana e stilist, fustani i Jonidës është i një materiali tepër cilësor. Elementë ari do të jenë pjesë e tij. Të gjitha këto janë detaje fare të vogla, por që në fund të ndihmojnë për të bërë një figurë sa më të mirë.

Po ashtu, edhe skenografia do të shoqërohet me elementë tradicionalë të vendit tonë, për t’iu përshtatur më së miri këngës.

A keni një këngë të preferuar deri më tani?

Ende nuk kemi mundur t’i dëgjojmë konkurrentët ‘live’, mirëpo për mua kënga më e mirë është ajo e Holandës (Duncan Laurence). Që kur e kam dëgjuar për herë të parë, bashkë me këngët e tjera e kam menduar si fituesin e mundshëm dhe në fakt kështu flitet. Mund të them se në garë këngët unike e profesionale janë të pakta, e ndër to hyjnë Holanda, Italia dhe Shqipëria.

Shpesh, votimet ndikohen nga motive gjeopolitike apo ekonomike, e ndoshta në këtë aspekt Shqipëria nuk është ndër vendet e favorizuara. Cilat janë pritshmëritë tuaja?

Është vështirë të bëj një parashikim të mundshëm, sepse mendoj se gjithçka do të vendoset në skenë, pasi të këndohet. Sigurisht që ne këtu shikojmë shtete të fuqishme që kanë bërë investime të mëdha në vlerë monetare për materialin muzikor, skenografinë etj. Sigurisht që edhe Shqipëria është munduar që çdo vit të sjellë materiale shumë të mira e këngëtarë profesionistë, mirëpo përsa i përket investimit që është bërë ë ‘stage’ nuk kemi të krahasuar! Pavarësisht kësaj, unë mendoj se një këngë e mirë, një produkt cilësor muzikor arrin të vlerësohet. Po ashtu një këngëtar/e e mirë arrin të evidentohet, ndaj shpresoj që pikë së pari të kalojmë në natën finale, e mandej të shohim se ç’do të ndodhë!

Në Eurosong, me rëndësi janë edhe votat emigrantëve. Përse ata do të duhet të votonin këngën “Ktheju tokës” ?

Kjo këngë, të cilën e kam shkruar me shumë dashuri u dedikohet në radhë të parë atyre, bashkatdhetarëve të mi që gjenden jashtë Shqipërisë. Emigrantëve që u është dashur të largohen nga vendi për një të ardhme më të mirë. Është një këngë që prek të gjithë brezat, veçanërisht të rinjve u kujton, të mos harrojnë rrënjët. Të mos harrojnë se nga vijnë. Kënga titullohet “Ktheju tokës” e përçon mesazhin për kthim në traditë, në identitet, në origjinën përkatëse. Pasi secili prej nesh, kudo që mund të ndodhet një ditë duhet të ketë me vete pasaportën e tij të identitetit. Mendoj se të gjitha këto, janë arsye që ngjallin tek emigrantët ndjesi të ngrohta atdhedashurie, që pse jo, të mos reflektohen në këtë rast duke votuar Shqipërinë në Eurovizion. Votoni 14-tën!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet