Të shpëtojmë Shqipërinë nga partitë atdheshkatërruese!

Eriston Ziu

Shqipëria është i vetmi vend “demokratik” në Europë që ka një Kod Zgjedhor, të hartuar dhe të mbështetur me fanatizëm të pashoq përfitimi nga partitë e vjetra politike, të akuzuara për dramën social-ekonomike që vuan populli shqiptar.

Në parim, Kodi zgjedhor, zgjedhjet i quan të lira dhe demokratike, por në çdo prononcim publik KQZ kërkon lejen e partive politike që e komandojnë për të zhvilluar të ashtuquajturin ‘proces zgjedhor të lirë e demokratik’. Është thjesht një marifet i vjetër, pasi, në të vërtetë, zgjedhjet janë të kushtëzuara, ose e thënë më troç ‘Me ne ose kundër nesh’, bandave të shkatërruesve dhe grabitësve të shpirtit të popullit shqiptar, të organizuara në trinomin PS+PD+LSI.

Zyrtarisht, Shqipëria është shoqëri kapitaliste, e iniciativës së lirë. Kjo nënkupton që Kushtetuta, ligjet dhe organet shteterore në “parim” e në “praktikë”, i japin të drejtë çdo qytetari dhe sipërmarrësi që të prezantohet në publik me risitë që ai ofron. Por këtu qëndron paradoksi: Kodi Zgjedhor nuk e përfshin veten te parimet kushtetuese, sepse nuk është gjë tjetër veçse instrumenti ‘legal’ i përdorur për shuarjen që në gjenezë të risive, pengimin e të drejtave kushtetuese të qytetarëve, instrument i partive-shtet.

E quajmë veten shtet që garanton, mbron dhe mbështet të drejtën e qytetarëve për t’u organizuar në grupime politike dhe që fjalën e tyre ta shprehin lirshëm. Parimisht është e vërtetë. Por Kodi Zgjedhor aktual i dënon me vdekje që pa lindur partitë e reja, duke mbështetur vetëm padronët e politikës së vjetër.

Partitë e vjetra duan me çdo kusht dhe me çdo çmim që të shkojnë në zgjedhjet e 30 qershorit, së bashku, për të mos lëshuar asgjë nga vullneti i popullit që kanë rrëmbyer për të kryer krimet politike dhe ekonomike të këtyre tri dekadave të fundit.

ZGJIDHJA është partia e vetme politike që lufton për zgjedhje të lira dhe të barabarta. Ajo e ka mision atdhetar për të çliruar zgjedhjet nga sundimi i tri partive të vjetra, depolitizimi i tyre, rikthimi i votës së shtetasve si e vetmja rrugë për të shpëtuar Shqipërinë.

Çdo reformë tjetër e premtuar dhe e realizuar nga partitë e vjetra, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, është varrosja e vullnetit të shqiptarëve për të ndryshuar me votën e tyre të lirë fatet e vendit, ndryshimin e elitës politike dhe garantimin e një shteti ligjor që punon për të mirën e vendit dhe të qytetarëve të saj.

#ZgjidhjaPerShqiperine

*Sekretar për Zgjedhjet në partinë ZGJIDHJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet