Erion Kristo: Di raste kur njerëz me pozitë barazojnë vendin e punës me seksin

Nga Valeria Dedaj

Pedagogu dhe gazetari rrëfen se është në dijeni të rasteve të abuzimeve seksuale në media dhe mjedise akademike. Por, sipas tij, predatorët për fat të keq e njohin mirë zanatin e tyre dhe dinë se ku t’i ngulin dhëmbët, te më të pambrojturit

Gjatë jetës së tij ka dëgjuar raste të ndryshme që kanë në qendër ngacmimet seksuale, qoftë në mjedise akademike, qoftë në mjedise gazetareske. Në këtë intervistë për “Shekulli”-n, pedagogu dhe gazetari Erion Kristo rrëfen se ka pedagogë që ushtrojnë presion mbi studentet dhe shefa redaksish të latërzhyer, që e barazojnë vendin e punës me dhuratën e seksit. Por, ai mendon se abuzuesit për fat të keq e njohin mirë zanatin e tyre dhe dinë se ku t’i ngulin dhëmbët, te më të pambrojturit.

Zoti Kristo, e fundit për ngacmimet seksuale që kemi dëgjuar nga Hollivudi, ku personazhet kanë qenë të shumtë dhe janë ndarë, pro dhe kundër. Si e mendoni ju, a po abuzohet me këtë temë me pikësynimin për të rritur famën?

Nuk jam brenda njerëzve për të kuptuar se nga buron energjia e tyre. Por fakti që njerëzit denoncojnë është një fakt pozitiv, madje shumë pozitiv. Është një hap përpara i shoqërisë për të kuptuar dhe dënuar të keqen. Famën ata njerëz e kanë, e ndoshta këtë famë shtesë askush nuk do ta donte.

Sipas jush, përse personazhet e Hollivudit kanë rrëfyer për ngacmimet që kanë pasur shumë vonë, kur gra të thjeshta të abuzuara kanë gjetur guximin të denoncojnë që në fillim. Mendoni se frika e personazheve të Hollivudit është më e madhe?

Frika e njeriut nuk matet me kile. Një popull i tërë si gjermanët, apo spanjollët apo italianët, apo rusët, ra pre e diktaturës, dhe në emër të saj bënë krime të padëgjuara. Frika të kap, kjo dihet. Fakti i të qenit i famshëm, por dhe i abuzuar, nuk i shërben emrit të mirë të personit. Aq më tepër që mekanizmi që sjell këtë lloj abuzimi është një mekanizëm i rreptë, i vetëdijshëm për forcën e vet. Plot njerëz në botë duan të bëhen të famshëm, por rruga e famës ka telashet e veta. Ata që kanë çelësat e kësaj mbretërie, dinë si t’i shfrytëzojnë ato.

Cili është mendimi juaj për ngacmimet seksuale gjatë punës, por jo vetëm?

Ngacmimet seksuale në punë, në autobus, në rrugë, në palestër e kudo, janë pjesë ende e padenoncuar mirë e jetës njerëzore. U desh akti i guximshëm i disa artisteve për ta bërë këtë një çështje botërore. Mos të harrojmë që këto ditë është dhënë dënimi për ish doktorin e skuadrës amerikane të gjimnastikës. Një pedofil i sëmurë që prej dekadash abuzonte me të miturat më të zonja të Amerikës. E ato gjetën forcën ta kapërcenin të keqen dhe të shpreheshin. Dënimi i tij ekzemplar me 200 vite burg, duhet të na bëjë të mendojmë se njerëz të tillë ka shumë. Dhe këta nuk do t’ia hedhin paq.

Gjatë karrierës suaj, a keni dëgjuar raste të tilla, pa dëshirë, që kanë shkatërruar moralisht një individ?

Gjatë jetës sime kam dëgjuar raste të tilla në mjedise akademike dhe në mjedise gazetareske. Pedagogë që ushtrojnë presion mbi studentet dhe shefa redaksish të latërzhyer që e barazojnë vendin e punës me dhuratën e seksit. Sa për shkatërrimin moral të një individi, edhe për këtë kam dijeni. Është si një pemë që në vend që të ecë drejt lart, ecën shtrembër anash. Nuk duket bukur.

Po në ambientet universitare, a bëhen studentët iniciatorë apo edhe pedagogët për të pasur përfitime të ndërsjella ?

Në mjediset universitare ka gjëma të mëdha. Korrupsioni është pjesa më e vogël. Pjesa tjetër është ky proces i ndërlikuar dhe i pështirë i presionit te njerëz të cilët nuk kanë mundësi të të përgjigjen me monedhën e duhur. Këta njerëz abuzohen. Ka pa fund raste. Madje personat njihen. Ajo që më vjen keq, nuk është që ata bëjnë këtë. Më vjen keq që nuk u del përpara ndonjë hundëlesh që t’ua bëjë atyre atë çka ata kanë mundësi t’u bëjnë të tjerëve. Disa raste janë denoncuar nga media. Po shumë më tepër është mbuluar nga turpi i njerëzve që nuk flasin.

Keni pasur ndonjë rast të ndonjë provokimi të kësaj natyre, në rrethin tuaj, ose keni dëgjuar ndonjë rast që dikush mund të jetë shantazhuar?

Po di raste. Dhe ua them këllirave që ta dinë që gjithkush e di se çfarë bëjnë ata. Dhe dita e gjykimit do të vijë për ta, pavarësisht se duken të paprekshëm në pozicionet e tyre.

Keni jetuar në jetë dhe në profesion dekada të ndryshimeve sociale dhe politike. Në këndvështrimin tuaj, si ka ndryshuar situata gjatë viteve?

Në dekadën e parë të demokracisë ka mbizotëruar dhuna e tmerrshme fizike, rrëmbimi, trafikimi, përdhunimi i grave dhe vajzave. Në dekadën e dytë, pas ndëshkimit të brezit të parë të dhunshëm, sërish kemi pasur raste të tilla. Ndërsa në dekadën e tretë, gjithçka është sofistikuar. Ky proces shtrihet në të gjitha segmentet e shoqërisë, kudo ku një grua kërkon të ushtrojë dinjitetin e vet në punë. Shefat janë bërë tmerri i grave.

Mendoni se një femër shqiptare mundet që ta bëjë lehtësisht një denoncim publik për një ngacmim të tillë, apo vazhdojnë të mos flasim ende, sepse opinioni fajin mund t’ia vërë femrës?

Është krejt e saktë ajo çka thoni. Përgjithësisht opinioni ja vë fajin femrës. Në Shqipëri është dhjetë herë më e vështirë se kudo në botë. Po do bjerë dhe kjo kala e pandëshkueshmërisë. Dita e drejtësisë po afrohet.

Apo frika se mos viktima humbet punën e bën të vështirë këtë pjesë dhe shtyhet për të bërë kompromise, për të pranuar diçka të tillë me vetëdije?

Askush nuk e pranon me vetëdije, por pa vetëdije. Është një moment abuzimi, ku mjegullohet arsyeja. Frika merr përmasa të frikshme. Është frika e ekzistencës. Predatorët për fat të keq e njohin mirë zanatin e tyre dhe dinë se ku t’i ngulin dhëmbët, te më të pambrojturit.

Dhe së fundmi, kush janë të parët që duhet të ngrenë zërin për mbrojtjen e këtyre “viktimave”, të cilat shpeshherë as në familje nuk gjejnë përkrahjen e duhur?

Pa krijuar institucionin e drejtësisë, pa ndryshuar legjislacionin, pa krijuar njësi të posaçme që të luftojnë këtë krim gjigantesk dhe të shëmtuar, pa krijuar një elitë njerëzore që ta çojë përpara këtë proces, ne do vijojmë të vuajmë. Dhe vuajtja lë gjurmë, dhe jeta hidhërohet.

Të tjera

Abissnet