“Energypress”: Marrëveshja me Shqipërinë për naftën dhe gazin në Detin Jon, është mbyllur. Ja detajet…

Publikuar më 10. 02. 2018 nga Agim Popoci

Deri sa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vazhdon të flas për “qëndrimi heroik” që mbanë ndaj, siç vazhdon ta quaj ai që nga viti 2009, “Marrëveshja e detit”, nga mediat grek vijnë detaje të reja, madje me një emërtim më real të kësaj marrëveshje, për tu sqaruar edhe rëndësia e detit dhe tokës shqiptare: “Marrëveshja me Shqipërinë mbi përkufizimin e Zonës Ekskluzive Ekonomike” e që lidhet direkt me interesin për kërkimin e hidrokarbureve në blloqet 1 dhe 2, në Detin Jon.

Kjo marrëveshje, sipas gazetës greke “Energypress”, që i referohet burimeve të sigurta, është “mbyllur” – përdorimi i blloqeve 1 dhe 2 është “lëshuar” dhe kjo marrëveshje së shpejti do të bëhet publike.

“Historia e zhvillimit të Zonës Ekskluzive Ekonomike(EEZ) me Shqipërinë është e trazuar, por siç duket do të përfundojë përgjithmonë pas marrëveshjes që të dy qeveritë do ti japin fund, dhe ajo do të shpallet së shpejti edhe zyrtarisht,” thekson “Energypress” duke shtuar: “Me këtë marrëveshje, pala greke e pranon se përkufizimi i EEZ, nga pikëpamje metodologjike deri më sot ka qenë pjesërisht i pasaktë, një pikëpamje që Shqipëria e ka mbështetur deri më tani. Ajo pranon se gjiret e detit duhet të konsiderohen ‘të mbyllura’ me qëllim që të zbatohen dispozitat përkatëse të Konventës Detare. Megjithatë, në të njëjtën kohë marrëveshja është përfunduar, dhe pala shqiptare nuk mund të ngrejë kundërshtime në lidhje me shelfin kontinental të Othoni dhe Ereikoussa, që është e një rëndësie të veçantë në lidhje me kontestin greko-turk mbi Kastelorizo.”

Që marrëveshja ishte e vështirë, e pranon edhe gazeta greke së bashku me burimin e saj, ku kyçe ishte përpjekja për të gjetur dhe shfrytëzuar hidrokarburet zonën, që për  “Energypress” është Greqi Perëndimore, si në det (Jon) ashtu edhe në tokë (Janina, Arta / Preveza).

Madje gazeta jep edhe një detaj nga e kaluara jo shumë e largët, duke theksuar se Shqipëria jo vetëm që kishte penguar çdo përpjekje kërkimore, por kishte dhënë leje për kërkime edhe në zonat brenda shelfit kontinental grek. Sidoqoftë, ajo është optimiste meqë zyrtarët e lartë të qeverisë greke, shprehin besimin se problemet e tilla nuk do të ngrihen përsëri.

“Kujtojmë se të dy blloqet 1 dhe 2, ishin në “pakon” e konkursit të 20 blloqeve detare që u mbyllën në korrik 2015. Për bllokun 2 në veri të Detit Jon, kontrata me konsorciumin TOTAL – ELPE – EDISON, është nënshkruar në vitin e kaluar. Për bllokun 1 në veri të Detit Jon, gjithçka mbetet pezull, pasi janë dhënë shtesa të njëpasnjëshme për vlerësimin e ofertës së dorëzuar nga HEPA,” thekson kjo gazetë e profilizuar për energjetikën dhe burimet e hidrokarbureve, duke rikujtuar se për bllokun 1, vetëm HEP kishte konkurruar në konkursin e vitit 2015. “Në të vërtetë, Drejtori Ekzekutiv i Gr. Stergioulis Group, në atë kohë, në mbledhjen e aksionerëve të HELPE, tha se çështja u diskutua me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe, edhe pse për bllokun 1 nuk dihej për energjinë, Hellenic Petroleum Islands paraqiti një ofertë në mënyrë që të mos kontestohen të drejtat sovrane të vendit.”