“Ëndërr…” në Teatrin “Globus” të Londrës

Foto 2 nga 5 Pas Para

Në “tempullin” më të ndritur të “botës së teatrit”, atje ku u përjetësua “mendja diabolike” e William Shekspir. Emocione nga komedia “Ëndërr e një nate vere” pas 424 vjetësh, në një ditë të mbingarkuar me mjegull e shi të imët

Dhe vjen një çast i lumtur, kur njeriu do të prekë befas ëndrrën e vetë dhe do të hyjë në “tempullin” më të ndritur të “botës së teatrit”, atje ku “mendja diabolike” e Rilindësit të Madh William Shekspir, 500 vjet me parë, krijoi e gjallëroi në skenë veprat e tij të pavdekshme në Teatrin “Globus” të Londrës. Për të parë pikërisht komedinë e tij më të hershme “Ëndërr e një nate vere” pas 424 vjetësh, në një ditë të mbingarkuar me mjegull e shi të imët, duke u ulur po në atë sallë të magjishme, ku spektatorja më e zjarrtë ishte vetë Mbretëresha e Anglisë Elisabetë, e cila krijoi kushte të arta për Teatrin Anglez e veçanërisht për aktorin e dramaturgun Shekspir që do të habiste Botën mbarë me talentin e tij të jashtëzakonshëm. E, për fatin tim të fund, vijë këtu nga Athina e tragjikëve të mëdhenj të Antikitetit, për të gëzuar kështu edhe gjestin e sime bije (që mbaroi Universitetin “Cardiff” të Uellsit), e cila ka prerë një biletë të shtrenjtë për babanë e vetë Miho Gjini, teatralistin e çmendur, emigrantin shqiptar në Greqi, për të parë një nga veprat më te bukura të Gjeniut Anglez, me subjekt nga Mitologjia e këtij vendi mikpritës të afro një milion shqiptarëve. Dhe duhej “zbritur” kështu , në vitin 1595, në epokën e Rilindjes Angleze, kur u shkrua komedia “Ëndërr e një nate vere”, për martesën e Dukës së Athinës, Theusit, përmes një aventure të hareshme në netët e beharit, në kërkimin e ethshëm të Hypolitës, Mbretëreshës së Amazonëve, nën ndriçimin e Hënës Kërre, për ta gëzuar jetën katërcipërisht. Me shprehjen e marrëdhënieve të reja njerëzore, që ngërthejnë mrekullisht ëndrrën me zhgjëndrrën, realen me irrealen, mitologjinë me kohët e reja që sapo kishin lindur.

Para meje, në vitin 2012, po këtu, ka “shkelur” edhe një trupë aktorësh e Teatrit Kombëtar të Tiranës, e cila mori pjesë në “Olimpiadën Shekspiriane” me pjesën e dytë të dramës historike “Henriku VI”, midis 36 shteteve të tjera që kishin vënë në skenë  36 veprat e Kolosit të Rilindjes. Me regji të Adonis Filipit, kur pjesën e parë të së cilës e interpretoi një trupë Serbe dhe , të tretën, një trupë Maqedonase. Pra, si një përfaqësi ballkanase dhe pikërisht në Londër, si për të rikujtuar vitin e mbrapsht 1913, kur aty do të bëheshin edhe përpjekje që të “shqyhej Shqipëria në copëra –copëra”! Po, nga tjetra anë, është i lumtur kushdo aktor, regjisor, dramaturg e kritik i teatrit që hynë këtu, ku u “gatua” vetë “Magjia e Teatrit”, prej këtij “Mbinjeriu Magjistar”, që lindi atje, në një fshat të humbur Anglez, me 23 të prillit të vitit 1616, në Stratford mbi Avon e që do të rikthehej po aty të kalonte fundin e jetës, ku, mbas vdekjes do t’i ngrinin edhe një bust fare të vogël, me një libër e penë ndër duar. E që, për habinë e të gjithëve, do t’i gjenin vetëm një testament fare modest, për t’u lënë fëmijëve të tij “një rruzull argjendi, një shpatë të vetme e disa artikuj veshmbathjeje”! Pa i shkuar mëndja fare tek thesari i veprave që la pas e që do të trashëgoheshin me ngazëllimin më të shkëlqyer nga të gjitha teatrot e botës. Po edhe nga gjeniu ynë i skenës botërore Aleksandër Moisiu, Shekspirian i tëri, që nga Fajdexhiu Sherlock e deri te Romeo i Veronës dhe Hamleti, Princi i Danimarkës. Si edhe nga i gjithë Teatri Shqiptar bashkëkohës, që vuri në skenë  tragjeditë “Hamleti”, “Otello”, “Mbreti Lir”, “Rikardi i III”, “Henriku VI” dhe komeditë e famshme “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Shumë zhurmë për asgjë” dhe “Ëndërr e një nate vere” (në dy versione).

Askush nuk do të besonte që ky njeri mendjemprehtë, fshatar nga origjina, që e braktisi shkollën në moshën 13- vjeçare e nuk vazhdoi më asnjë shkollë tjetër, i biri i një fajdexhiu që edhe për firmë vinte një shenjë kryqi si X, do të arrinte maja të tilla të mendjes njerëzore më një inteligjencë universale! Qe martuar i vogël, 18 vjeç djalë e deri në moshën 21 vjeç lindi tre fëmijë. Dhe, për t’i ushqyer këta, erdhi në Londër, ku do të bënte gjithfarë punësh, po më tepër si fajdexhi, investitor ndërtimesh, biznesmen e paralelisht si aktor. Qysh në këtë kohë shkroi pjesët e para dramatike që do të befasonin bashkëkohësit e tij dhe do t’i hapnin dyert e teatrit, pikërisht të këtij teatri ku do të kisha fatin e rrallë që të hyja edhe unë, pas pesë shekujsh! Natyrisht, që nuk do të kemi tani teatrin identik të Kohës Elisabetiane, pas peripecive nëpër shekuj të mbrapsht, zjarrit të parë që ra mbi të, rindërtimin e parë, të dytin (për mbylljen e plotë të lozhave rrethore) e më pas  me rindërtimin e “GLOB THEATËR” prej bombardimeve të Londrës në luftën e dytë botërore.

Me shkëlqimin e mëvonshëm të Shekspirit në këtë teatër, qysh atëherë, do të lindnin dyshimin se, ishte e pamundur se, të gjitha këto vepra tronditëse, që përbënin një mrekulli të dijeve njerëzore, i kishte rrokur vetëm mendja e tij. Se gjoja, ky dramaturg nuk mund te shkruante me kaq vërtetësi e hollësi për Venecian, pa qenë kurrë aty, se nuk do të përshkruante  me aq besnikëri e forcë tronditëse jetën e oborreve mbretërore pa jetuar ndër to as edhe një ditë të vetme, se do të sillte nëpër veprat e tij realitetin shoqëror të Europës, pa shkelur në asnjë shtet të saj! Hamendësimet venin deri te dramaturgu bashkëkohës Cristofer Marllou e të tjerë autorë, dramaturgë dhe mendimtarë tè kohës, se mos ishin ata autorët e tyre? Po përse valle?

Sepse dihet: sa më e madhërishme është fama e lavdia, aq më e keqe bëhet zilia dhe e pabesueshme, gati hyjnore, bëhet ekzistenca reale e njeriut që krijoi veprat më të përkryera të njerëzimit, duke përfshirë këtu të tëra epokat, të gjitha  gjëmat më tronditëse e të qeshurat më të shëndetshme. Kjo “kurorë” e përjetshme i përket vetëm një artisti si Ai, një Gjeniu të paarritshëm, që shkroi tragjeditë më të përgjakshme të kolizioneve historike dhe komeditë më gazmore, të cilat zaptuan skenat e gjithë botës. Po është, nga ana tjetër, e njëjta dorë, po ai stil lapidar, unik e i frymëzuar po njëlloj, si edhe strukturë e kompozicion  i përkryer, të cilat flasin për autorësinë e vetme të një mendjeje gjeniale si ajo e Shekspirit. Nga Sheshi Westminster në Qendër të Londrës, si t’i kesh hedhur një sy Kullës së Sahatit “Big Ben” (që po rikonstruktohet) dhe të ndërtesës së Parlamentit Britanik, me arkitekturën e saj gotike, Teatri Shekspirian “GLOBUS” është ende larg. Duhet të kalosh Urën Gjigande që lidh të dy anët e Lumit “Tamiz” dhe të ecish disa kilometra me këmbë, përbri lumit fantastik, me anije të vogla lundruese e skafe lluksoze, për të aritur në Godinën e mrekullueshme të vitit 1592, ashtu sikundër e projektoi aktori SHEKSPIR, i tëri me dru e i bashkuar në “mure”me një strukturë lënde me lesh dhie… Dramaturgu më i madh i kësaj BOTE, që ftonte aty disa herë në ditë-natë deri në njëmijë e gjashtëdhjetë spektatorë të zellshëm, për secilën shfaqje, pjesa më entuziaste e të cilëve e ndjekin shfaqjen në këmbë në sheshin e gjerë të orkestrës, para proscieniumit.

Një komedi brilante në skenën e zbrazët

Unë do të shihja një komedi brilante në stilin e hershëm të Shekspirit, në një interpretim krejtësisht të lirë, në skenën e zbrazët, pa dekoracione, ku ZOTËR TË  SKENËS janë aktorët e regjisori i tyre, në krahët e një fantazie të jashtëzakonshme. Pjesërisht me kostumet e kohës së Shekspirit e pjesërisht me ato të kohës tonë, si edhe në një alternim të tyre, kur personazhet hyjnë e dalin nga turma në Sheshin e Orkestrës apo nga “xhepat” e shumta të skenës e të sallës, ku do të hynin hera herës edhe pëllumbat  e do të binte shi një copë herë, nga “çatia qiellore”, pa lëvizur askush nga spektatorët në këmbë dhe pa u ndërpre vrulli i zjarrtë i aktorëve në proscenium. Nje shfaqje gazmore, që bashkonte e harmonizonte të qeshurat e aktorëve  me ato të spektatorëve, jo pak herë edhe me batuta shtesë, si edhe me detaje bashkëkohëse, sikundër ishin celularet, selfitë që bënin “komplotistët e pyllit”, futja në skenë e një strome me ajër me synimin për të bërë seks, apo kërcimet maramendëse të Rrokut, si edhe një kazan plehrash e kohëve të sotme, ku do të vërviteshin personazhet e stigmatizuar me tallje, që venin kundër asaj rryme të shëndetshme që pati Rilindja Angleze, me personazhe të tillë emblematikë, si Fallstafi (i “Grave gazmore të Uindsorit”), i cili nga taverna e buteve e verës do të përfundonte në koshin e rrobave të palara prej grave lozonjare!….Një shfaqje plot jetë të vërtetë, ku edhe kënaqësitë erotike do të ishin të hapëta e të drejtpërdrejta, me eksagjerimin e “falleve” në mesin e këmbëve të meshkujve, sikundër shfaqeshin edhe në antikitetin e teatrit grek e që do të vazhdonin “pa doganë” edhe në Teatrin e Mesjetes, ne atë te Rilindjes Europjane më pastaj, deri tani, në modernitetin e teatrove bashkëkohëse, ku gjithsesi mjeshtrit e skenës do te jenë brenda natyrësisë e jashtë vulgariteteve të banalizuara amatoreske. Krijimi i atmosferës optimiste e gazmore në sheshin e zbrazët skenik, pa asnjë dekoracion e konvecion skenik, ishte padyshim , merite kryesore edhe e regjisorit Sean Holmes, që solli këtu frymën e gjallë të Rilindjes Angleze, “siparin”e së cilës e çeli Shekspiri në atë prag të ndërrimit të epokave, nga aristokracia feudale, në fillimet  e reja të shoqërise borgjeze, kur dashuria për jetën nuk qe më thjesht një ëndërr,  po një version gjallërues e i vërtetë. Me aktorë të përgatitur mjeshtërisht si Nadie Higgin, Ciaran Obrien, Faith Omole, Ekoww Quartey, Amanda Wilhin e tj. Dhe kurorëzimi i shfaqjes “Ëndërr e një nate vere” do të sillte një afirmim të personazheve që e kurdisën lojën, dhe të atyre që do të dëfrenin në pyllin e drerëve, nën tingujt e një orkestrine të vogël me vegla tunxhi, e cila herë rinte në llozhën e prosceniumit e herë rendte pas aktorëve, poshtë në skene e në salle, duke e shtuar së tepërmi harenë e spektaklit Shekspirian, kur mbi kryet e tyre do të ndrisnin yje të ndezur, me tre çiftet e dashuruara që përfunduan me martesë, shoqëruar me Karocën e Pyramusit e të Thisbes që do të bashkonte zëmrat e tyre. Për të dalë nga shfaqja në Teatrin Globus të “ngopur”, përbrenda magjisë reale që fal teatri, ky tempull i shenjtëruar i njerëzimit.

Spektakli

Spektakli qe i ndarë në dy pjesë, jo thjesht se qe ruajtur i pa cenuar i gjithë teksti i Shekspirit, por edhe sepse aktorët harxhonin shumë energji, me vrulle emocionale të brendshme dhe vrulle fizike, gati elastikë në skene, të papërmbajtur, sikur ndiznin e shuanin zjarre. Se u duhej çlodhja e përkujdesja, në qetësinë e tyre të vetmisë e të përqendrimit të mëtejshëm, ndër kabinat e tyre të veshjeve e të makijimeve që ndërronin dhjetëra herë, po edhe në katër-pesë mjediset që kishte krijuar dikur vetë Shekspiri, pa përmendur restorantin që shkëlqente ende përbri teatrit e karshi Lumit. Pak ngrohtësi duhej për artistët e tij në këtë kohë përherë të ftohtë, kur Dielli duket rrallë e mjegulla me shiun e dëborës janë të pranishme ende pa ikur vera, me ëndrrat e veta të dashurisë. Ndërkohë, do t’u krijohej mundësia spektatorëve që t’u hidhnin një sy Fletë-Palosjeve të ilustruara bukur e me shpjegime te hollësishme për krijuesit e shfaqjes e të këtij teatri të famshëm që e solli Shekspiri me përjetësinë e veprës së tij. Te duket sikur gjithçka është e plot në këto Fletë Palosje (që në teatrot tona mungojnë në të shumtën e herëve!), duke harruar se, prej këndej fillon e mbaron kultura e shfaqjes dhe matet, pse jo, nder sallat e teatrove, edhe Kultura e një Kombi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet