Emergjencat civile, qeveria uli 5 herë fondet për të dëmtuarit

Nga Neritan Gjergo

Absurdi/ Si e ka tkurrur qeveria burimin kryesor të  parave për dëmet nga fatkeqësitë natyrore dy vitet e fundit. Në vitin 2015, Shqipëria u fut në hartën globale të katastrofave ndër vendet më të rrezikuara në Europë

Mbi 3300 banesa nën ujë, 40 biznese, 10 200 hektarë tokë të përmbytura dhe afro 5800 hektarë të tjerë me prani uji, kryesisht në Fier e Vlorë. Qarqet më të prekura janë Fieri dhe Vlora. Numri i shkollave të dëmtuara është 56. Ndërkohë, 28 ura në të gjithë vendin kanë dalë tërësisht jashtë funksionit. Për t’i bërë ballë kësaj situate në terren janë 6400 forca të ushtrisë, emergjencave civile dhe të tjera, si dhe janë përfshirë dhe 1089 mjete. Këto forca kanë evakuuar 596 familje dhe kanë shpëtuar 1 552 persona. Ky është bilanci i fundit i raportuar nga Komiteti i Emergjencave Civile, i cili mbetet paraprak dhe ende pa një faturë financiare.

Por a do të mjaftojë fondi i emergjencave për t’i bërë ballë të gjithë dëmit që pasoi nga shiu i rrëmbyer i nisur në 30 nëntor? Ministria e Financave, në buxhetin e vitit 2017, i ka dhënë emergjencave civile 207 milionë lekë për të përballuar dëmet e fatkeqësive natyrore. Shifra mbetet e ulët jo vetëm në historikun e shpërndarjes së fondeve për Emergjencat, por  edhe e turpshme nëse i referohemi hartës globale të katastrofave, në të cilën zyrtarisht Shqipëria që nga viti 2015 është futur në  listën e vendeve me risk të lartë nga katastrofat.

Përmbytjet e janarit të vitit 2016,  i kushtuan shtetit 120 milionë edhe pse përmasat ishin lokale, krahasuar me përmbytjet e sotme. Nëse  dëmi është më i madh se fondi i i emergjencave, i cili është zëri i parë në përdorim për katastrofat, buxheti ka një tjetër fond rezervë, atë të kontigjencës, i cili këtë vit është 2 miliardë lekë. Por, edhe pse jemi të rrezikuar në nivele alarmante, duke iu referuar shifrave të 5-vjeçarit të fundit, si fondi i emergjencave, ashtu dhe ai i  kontigjencës janë tkurrur nga viti në vit.

Ulja fillon në vitin 2016, ose një vit pasi Shqipëria futet në zonën e riskut, ku fondi i emergjencave u miratua 144 milionë lekë, nga 780 milionë që ishte në vitet parardhëse, 2013-2015. Edhe fondi i kontigjencës, rezulton më i ulëti i pesë viteve të fundit. Megjithatë, si kartë rezervë, qeveria do të përdorë si zërin kryesor fondin e bashkive për emergjencat civile, por një pjesë e tyre bartin probleme, pasi pas ndarjes administrative territoriale, disa prej tyre nuk i kanë përcaktuar ende paratë për përballimin e situatës.

Harta

Shqipëria është ndër vendet më të rrezikuara nga katastrofat natyrore në Europë. Ky është përfundimi i Raportit mbi Rreziqet në Botë 2015, i cili vijon të mbetet i tillë e madje të faktohet sot. Rreth 173 vende në mbarë globin janë përfshirë në këtë studim, mes tyre bën pjesë edhe Shqipëria, ndërsa Kosova dhe Mali i Zi janë lënë jashtë për mungesë të dhënash. Sipas hartës së katastrofave natyrore (National Disaster Map) Shqipëria ka ngjyrë të kuqe, çka do të thotë se rreziku për t’u goditur nga katastrofat natyrore (tërmetet, përmbytjet, thatësira etj) është jashtëzakonisht e lartë.

Një arsye tjetër që e përfshin Shqipërinë në listën e vendeve më të rrezikuara nga katastrofat natyrore, është edhe përgatitja e vendit për t’i përballuar ato. Pra, agjencia e huaj e bën të qartë se Shqipëria nuk e ka infrastrukturën e duhur për t’u përballur me katastrofat natyrore. Në Europë vendet më të rrezikuara janë Shqipëria, Serbia dhe Holanda. Gjithashtu, raporti thekson se SHBA-të, Kanadaja dhe Afrika janë pak të ekspozuara ndaj riskut të katastrofave natyrore.

Të tjera

Abissnet