Elvis Rroshit, ish-kreu i Kavajës pranon fajin, fshehu dënimin

Nga Bleona Metushi

Gjykata e Tiranës zhvillon seancën gjyqësore ndaj ish-kryetarit të Bashkisë Kavajë,  i akuzuar për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit. Rroshi nuk ka deklaruar se ka qenë i dënuar apo hetuar në vende të tjera

Gjykata e Tiranës zhvilloi dje seancën e radhës gjyqësore ndaj ish-kryetarit të Bashkisë Kavajë, Elvis Roshi. Dosja e tij kaloi në gjykim që në fillim të qershorit, por pas disa seanca shtyrjeje, nga mungesa e vazhdueshme e avokatit dhe vetë Rroshit, vetëm dje do të bëhej seanca e parë, ku mori pjesë edhe ish-kryetari i Bashkisë së Kavajës. Në seancën e fundit, gjykata urdhëroi shoqërimin e detyruar të ish-zyrtarit, i cili këtë herë, erdhi vetë. Procesi gjyqësor ishte në fazën e kërkesave paraprake dhe për këtë, seancat nuk mund të zhvilloheshin pa praninë e të pandehurit, i cili, duhet të zgjidhte formën e gjykimit. Gjatë seancës së djeshme, Rroshi ka pranuar që e ka plotësuar gabim formularin, por është shprehur se ishte nga neglizhenca. Më tej, Elvis Rroshi tha se ka bërë gabim që nuk ka marrë një avokat në atë kohë, për plotësimin e tij. Gjithashtu, ish-kreu i Kavajës, kërkoi nëpërmjet avokatit të tij, gjykimin e shkurtuar me pranim faji, kështu Rroshi do të përfitojë nga ulja e dënimit.

Por, çfarë thoshte ish-kryetari i Bashkisë së Kavajës, tre vite më parë, gjatë fushatës elektorale, në lidhje me akuzat e opozitës?! “SHQUP-i i Tiranës me SHQUP-in e Kavajës, hedhin baltë për punën e Bashkisë që kemi bërë, hedhin baltë për punën time, por ju më njihni mirë se kush jam. Unë jam Elvis Rroshi ose Ervin Rroshi, si të kërkojnë ata!” Kështu shprehej ish-kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi, në mitingun përmbyllës të 20 qershorit të vitit 2015, duke iu përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike. Por në fund, i është dashur të pranoj akuzën, e madje të zgjedh edhe gjykim të shkurtuar. Në atë kohë, pas publikimit të këtyre fakteve, Rroshi dha dorëheqjen duke u shprehur se ishte minoren, kur ishte dënuar në Itali, ndërsa hoqi dorë nga dorëheqja pas pak ditësh, derisa u arrestua dhe më pas u vendos të hetohej në gjendje të lirë. Në seancën e djeshme, Prokuroria ka kërkuar dy ditë kohë për të përgatitur pretencën.

Hetimet

Sipas prokurorit të çështjes, Enklid Gjini, ish-kreu i Bashkisë së Kavajës duhet të gjykohet për veprën penale të “Falsifikimit të vulave, stampave apo formularëve”, pasi është e provuar se ka konsumuar këtë vepër penale, në plotësimin e formularit të dekriminalizimit. Pas nisjes së hetimeve, Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar informacione nga shteti i italian dhe ai zviceran, për të konfirmuar dyshimet për veprat penale të  mundshme të kryera në këto shtete. Nga informacionet e mbërritura, ka rezultuar se shtetasi Ervin Rroshi, lindur në 03.12.1975 është dënuar në vitin 1995 në Campobasso. Në të njëjtën ditë është lëshuar një dekret për ekspulse (dëbim). Ai është kontrolluar në “Sesto San Giovani”, në Milano, por nuk rezulton se ka vuajtur dënimin.

Nga ana e autoriteteve zvicerane, është bërë e ditur se, shtetasi Elvis Rroshi, lindur në 03.12. 1975 në Kavajë, i biri i Azem dhe i Nasije, gjithashtu njihet me emrat Ervin Roshi; Bashkim Hallulli, Enver Roshi, 03.12.1975 dhe Enver Proshi, i datëlindjes 03.12.1975. Në prill të 1993, Ervin Rroshi ka hyrë në mënyrë të paligjshme në shtetin Zviceran dhe ka kërkuar azil. Në datë 14 maj 1993, ai është ndaluar nga policia e Zyrihut për një rast droge, duke qenë se ky rast, ka më shumë se 20 vjet, Policia e Zyrihut nuk ka mundur të sigurojë më shumë detaje, por duke marrë parasysh faktin se ai është dëbuar 4 muaj më vonë, ndoshta nuk ka qenë rast për trafik droge, por vetëm konsum.

Kërkesa e tij për azil është refuzuar në shtator të 1993 dhe ai është dëbuar për në Shqipëri, më 24 shtator 1993. Në korrik 1997, ai ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme dhe ka kërkuar azil. Ai është arrestuar në gusht të vitit 1997, me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut dhe është dëbuar sërish. Sipas prokurorisë, në fund të hetimeve, shtetasit Elvis Rroshi i është vërtetuar e kundërta e përgjigjes mohuese, për dënim për vepra të ndryshme nga ndonjë autoritetet i huaj. Subjekti i ligjit në fjalë, ka fshehur përdorimin e disa emrave në të shkuarën e tij të arrestimeve, ndalimeve, dënimeve, dëbimeve, masave të ndryshme sigurie dhe shtrënguese në Itali, Zvicër dhe Gjermani, falsifikim dokumentesh, shqiptare dhe të huaja. Gjithashtu në vitin 2015, DEA e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka informuar autoritetet zvicerane se ata po hetonin një shtetas të quajtur Enver Rroshi për trafik droge dhe pastrim parash, nuk ka detaje të mëtejshme në lidhje me këtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet