Elona Hila, mjeke pneumologe në Spitalin Universitar të Traumës

Nga Elona Hila

Në stinën e ftohtë të dimrit janë të shpeshta rastet e sëmundjeve respiratore, si dhe pyetjet nëse është një grip i thjeshtë apo është i nevojshëm përdorimi i antibiotikëve. Bronkiti akut është një inflamacion i pemës trakeobronkiale, zakonisht i shoqëruar me një infeksion të gjeneralizuar të traktit respirator. Shkaqet kryesore janë ato virale, si rhinoviruset, coronavirus, influenza dhe adenoviruset. Mikrobe si mycoplasma pneumoniae, chlamydia pneumonia edhe bordetella pertussis gjithashtu shkaktojnë bronkit akut. Shumë të shpeshta janë dhe mbi infeksionet post virale nga baktere si haemophilus influenza dhe streptocoçus pneumoniane.

Pra, siç mund të shihet, situata është shpesh e komplikuar. Duke marrë në konsideratë dhe faktorët e tjerë që ndikojnë në ecurinë dhe prognozën e tyre si: mosha, duhan pirja, konsumi i alkoolit dhe drogave, sëmundjet shoqëruese si hipertensioni, diabeti, hiperlipidemia, sëmundjet e sistemit nervor, sëmundjet malinje, sëmundjet kronike respiratore, sëmundjet kronike renale, përdorimi kronik i disa medikamenteve, sigurisht që vlerësimi duhet bërë me shumë kujdes. Shenjat kryesore janë: kollë që shpesh nis e thatë e më vonë mund të bëhet produktive, temperaturë e lartë, debulesë, ndjesi djegie mbas kollës, dhimbje difuze muskulore.

Në përgjithësi, sa më e vogël mosha e pacientëve, aq më e madhe është mundësia që infeksioni të jetë viral. Nuk duhet harruar mundësia e mbiinfeksionit mbas një viroze të kaluar. Kështu që, nëse temperatura dhe kolla zgjat për më shumë se 3-4 ditë, duhet konsultuar me një mjek/e. Gjithashtu, nëse paraqiten ndryshime të ngjyrës së sputumit/gëlbazës, vihen rrema gjaku, nëse ndihet vështirësi në frymëmarrje ose çrregullime të ndërgjegjes përsëri duhet të paraqiteni tek mjeku. Në pacientët me moshë më të madhe dhe sëmundje shoqëruese kujdesi duhet të jetë më i madh. Shpesh shenjat në moshën e tretë janë më pak të forta ose referohen më pak nga të moshuarit.

Përdorimi i antibiotikëve

Një situatë shumë e vështirë krijohet pasi shpesh pacientët marrin shurup, barna, madje dhe antibiotikë në farmaci, dhe paraqiten tek mjeku vetëm atëherë kur situata është komplikuar. Ajo që vlen për t’u theksuar është se çdo rast duhet të ndiqet në dinamikë, dhe marrja e ilaçeve/antibiotikët bëhet vetëm pas konsultës me mjekun, është ai që vendos diagnozën dhe formën e trajtimit të sëmundjes. Gjithashtu, duhet të shihet me vëmendje kohëzgjatja e simptomave, mosha e tretë dhe të sëmurët kronikë.

Somario: “Një situatë shumë e vështirë krijohet pasi shpesh pacientët marrin shurup, barna, madje dhe antibiotikë në farmaci, dhe paraqiten tek mjeku vetëm atëherë kur situata është komplikuar”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet