Elez Gjoza: Godelli do të shkojë në SHBA

Publikuar më 10. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza ka thënë në një prononcim për mediat se vendi jonë do të prezantohet me 5 peshëngritës në Botërorin e SHBA-së. “Pas suksesit në Europianin e zhvilluar në Durrës, ku ekipi ynë mori tri medalje ari, një tjetër sukses pritet edhe në Botërorin që do të zhvillohet gjatë këtij muaji në SHBA, ku 5 sportistët e zgjedhur kanë premisa për të thyer rekorde dhe për t’u kthyer me medalje që andej. 5 sportistë që e caktuar janë Daniel Godelli, Erkand Qerimaj dhe Briken Calja nga sportistët meshkuj, por në përbërje të delegacionit tonë janë dhe dy sportiste femra, Romela Begaj dhe Evagjelia Vel”, deklaroi Gjoza. Pak ditë më parë sportistit Daniel Godellit i’u refuzua viza për në SHBA dhe presidenti Gjoza i bën apel ambasadës që të shohë me qetësi këtë problem për pajisjen me vizë të sportistit.

Ai shprehet se Godelli është shpresa e madhe e Shqipërisë dhe në rast se pajiset me vizë me shumë mundësi do të shpallet kampion bote. “Federata Shqiptare e Peshëngritjes, në kuadrin e bashkëpunimit të ngushtë me Konsullatën Amerikane të akredituar në Shqipëri, është transparente lidhur me aplikimin e vizave për 5 sportistët tanë, por njëkohësisht edhe e shqetësuar për faktin e mospajisjes me vizë të një prej talenteve më të shkëlqyer të peshëngritjes sonë, Daniel Godelli. Për sa i përket përgjigjes së dhënë nga kjo ambasadë, që sportisti nuk ka treguar gjatë deklarimit se nuk garantohet kthimi në atdhe, deklarojmë jo vetëm moralisht dhe penalisht se sportisti ynë do të kthehet në Shqipëri e nuk ka mendime të tilla. Jemi ne, Federata e Peshëngritjes, garanti kryesor i shoqërimit gjatë gjithë aktivitetit, si dhe në kthimin e këtyre sportistëve. Madje jam personalisht garanti dhe përgjegjësi nëse ndodh një gjë e tillë, deri në ndjekje penale.

Prandaj mendojmë që, nëpërmjet kësaj deklarate, t’i bëjmë apel Ambasadës Amerikane që ta pajisë me vizë sportistin tonë”, u shpreh presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes Elez Gjoza. Godelli deklaroi para disa ditësh që viza e refuzuar nuk ka të bëjë me ndonjë dënim të tij. Ai shprehet se ka paraqitur pranë ambasadës një vërtetim të nxjerrë nga Ministria e Drejtësisë ku vërtetohet se është i padënuar. Ndërkohë që përgjigja e ambasadës ishte se Godelli është i pakualifikuar për  një vizë jo emigrimi. Që do të thotë se nuk është në gjendje të dëshmojë që aktiviteti i planifikuar në SHBA të jetë në përputhje me klasifikimin e vizës jo emigruese. Kujtojmë që Daniel Godelli po kalon një moment jo të mirë në karrierën e tij. Ai u dënua një vit më parë për përdorje të substancave të ndaluara e njohur ndryshe si doping.