Elegji për Liman Ketën dhe për një jetimin e tij 3-vjeçar

Publikuar më 14. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Abdurrahim Ashiku

Ai është më i riu i mbi gjashtëqind “Heronjve të nëntokës” që shkrimtari, publicisti, studiuesi Ymer Keta i ka mbledhur në afro pesëqind faqe e fotografi për të na i dhënë thellë galerive të minierës së Bulqizës ku hynë e nuk dolën të gjallë. Në datën 25 tetor 2017, minatori Liman Keta, sapo futet në galeritë e nëntokës të Zonës “D” Bulqizë, goditet nga një shkëmb dhe humb jetën. U nda nga jeta djali i fisit Keta, Limani në moshën 30 vjeçare, duke lënë pas djalin tre vjeçar dhe bashkëshorten e tij në moshë të re. Është e pesta herë që tronditet fisi Keta nga vrasjet aksidentale të minierës: Ademi, Bujari, Mehmeti, Izeti dhe Limani…Dhimbje që ka prekur gurin e drurin, i ka ça e i ka djegë…Jo vetëm te Ketët. Mbase në Bulqizë nuk ka familje pa një të vdekur, pa një të plagosur rëndë, pa një të gjymtuar përjetë. E megjithatë ata kanë qëndruar. E megjithatë ata nuk i janë ndarë nëntokës së tyre, nëntokë e cila ndërtoi Shqipërinë, nëntokë e cila mbitokësorët e saj do t’i bënte të hanin me “lugë floriri”!

Në do të njohësh trimërinë dhe qëndresën shfleto faqet e jetës dhe vdekjes në minierën e Bulqizës. Në do të shohësh fytyrën e vërtetë të skllevërve dhe të skllavërisë së kohës sonë zbrit thellë puseve të minierës së Bulqizës, thellësive që tash zbresin poshtë niveleve të detit. Për Liman Ketën u shkruan disa rreshta në ndonjë cep gazete të përditshme, u fol me përtesë në dritaret e televizioneve e portaleve. Nënën dhe babanë e Liman Ketës nuk i intervistoi asnjë gazetar, as në sinkron e as në print. Për gruan e re katër vjet martesë, nuk u shkrua asnjë fjalë dhimbjeje dhe ngushëllimi. Gazetat, televizionet, portalet ishin të zëna me artikuj të gjatë për një mësuese që “la të fejuarin, hyri në Big Brodher, u bë gazetare dhe…vdiq në shtratin e shtëpisë së vet”. Fëmijës tre vjeç të Liman Ketës nuk iu afrua asnjë shoqatë bamirëse nga ata që dalin në media dhjetë herë në ditë.

Djali i vogël i Liman Ketës do të rritet pa baba, jetim tre vjeç, pa të ardhura, pa mundësi që të shlyejë kredinë që mori babai i tij për ta rritur atë në shtëpinë e tij, mes ngrohtësisë së gjyshit, gjyshes, nënës, babait. Nuk e di në se e ardhmja e tij do të kalojë me një kosh mbi kurrizin e kërrusur nga barra e gurëve të kromit mbledhur stoqeve. Nuk e di. Askush s’e di. Skllavëria është grykë galerie pa dalje. Ymer Keta mbase do ta radhisë midis heronjve të nëntokës në një libër të dytë me heroikë dhe dhimbje që nuk pushojnë. Ai më shkruan: “Limani lindi në vitin 1987, i biri i Fiqiriut dhe i Vasfies, në fshatin Dushaj të Krahinës së Bulqizës. Gjyshi i tij Limani dhe xhaxhai Ademi kanë qenë partizanë deri në çlirimin e plotë të vendit. Babai Fiqiriu dhe xhaxhai i tij Ademi kanë punuar për dekada në minierën e Kromit. Si familje nga vitet 2000, u larguan nga fshati dhe u vendosën me banim në qytetin e Bulqizës.

Shkollën fillore e mbaroi në fshatin Dushaj, atë 8 vjeçare e përfundoi në Fushë-Bulqizë. Sapo mbaroi shkollën 8 vjeçare, iu drejtua emigrimit, duke kaluar maleve të Greqisë, për të ndihmuar familjen. Pasi punoi disa vite si familje blenë shtëpi në qytetin e Bulqizës. Në vitin 2013 u martua dhe në vitin 2014 u shtua me djalë. Per këtë Limanit iu shtuan kerkesat dhe bleu një banesë po në Bulqizë, me kredi bankare. Bënte dhe dy punë për të shlyer kredinë. Fati i keq e deshti që Limani të mos arrijë ato detyra që i kishte vënë vehtes, u radhit në ushtrinë e të aksidentuarve që i kalojnë të 600 vetat…”. Limani iku në heshtjen mortore zyrtare ashtu siç ikin tërë skllevrit e kohës moderne. Policia heshti. Prokuroria nuk hapi dosje penale për shkaktarët e vdekjes tragjike në krye të punës.. Nëpër Bulqizë drejt Dibrës e më tej drejt Kalasë së Dodës u tha shkurt se udhëtuan të gjithë drejtuesit e trupit diplomatik akredituar në Shqipëri.

Lu që flet për peshqit e mëdhenj të politikës nuk u ndal me trupën diplomatike të pinte një kafe të idhët tek Ketet e të fliste për “kuçedrën” që ha jetë në Minierën e Bulqizës. As Rama me Qeverinë e tij nuk u ndal të merrte përdore jetimin më të ri të Bulqizës, t’i jepte shpresë fëmijës, bashkëshortes së re e prindërve. Deputetët e Dibrës, asnjëherë nuk kam dëgjuar të kërkojnë zbardhje të asaj që ndodh me minierën e Bulqizës, dikur e treta në botë për nxjerrjen e mineralit të kromit, e tash e para për skllavërimin dhe tragjedinë e njerëzve. Sikur Liman Keta të kishte rënë si “luftëtar” në Avganistan, mercenar me 100 dollarë dita, do të ishte shpallur “Nder i Kombit”, shkolla në Dushaj do të merrte emrin e tij, pushtetarët do shkonin e vinin me “lot në sy”, familja do të trajtohej me “pension të veçantë. Limanit nuk ia mori jetën plumbi, ia mori guri i rëndë i skllavopronarëve modernë. Liman Keta iku mes dhimbjes së babait, nënës, vëllezërve, bashkëshortes, djalit të vogël. Dhimbje migjeniane…