Elda Zavalani: Preparatet e mira fare i kanë hequr nga kodet e listës së rimbursueshme

Nga Lindita Bushgjokaj

Farmacistja nga Korça, tregon dëmin financiar që ka shkaktuar kontrata, pesimizmin për plotësimin e kërkesave nga ana e Fondit, nivelin e ulët intelektual të Fondit për vlerësimin e listës së barnave të rimbursimit

Elda Zavalani, farmaciste nga qyteti i Korçës, në një intervistë për gazetën “Shekulli” tha se nga kontrata e ilaçeve të rimbursueshme kanë vetëm humbje, kjo për shkak të mungesës së alternativave të para që mungojnë në listë, ndërsa klientëve ju jepen ende ato ekzistueset. Gjithashtu, teksa analizon humbjet tregon se kjo është më e theksuar në qytetin e Korçës, pasi qarkullimi i njerëzve është shumë i vogël. Problemet me fondin kanë qenë prej kohësh, por këtë vit është më i theksuar, i cili ka qëllim që të fitojë lekë nga humbjet dhe penalitetet e farmacive. Së fundmi, tha se kjo situatë po e detyron që të mbyllë farmacinë dhe t’i drejtohet qeverisë për këtë anomali që ka shkaktuar fondi, shprehet më tej.

Znj. Zavalani, cilat janë pasojat që keni nga kontrata e ilaçeve të rimbursueshme?

Kontrata ka lënë shumë pasoja për në dhe po të t’i argumentoj do të çuditeni. Nga alternativat e para në listë, të cilat duhet të jepen falas, ne po japim ilaçet ekzistuese që kemi pasur. Nuk mund t’ju mbajmë lekë klientëve, sepse nuk është faji i tyre që nuk kanë dalë alternativat e para akoma. Ata i kanë nxjerrë në listë, por në treg ende nuk kanë dalë.

Si po e përjetojnë klientët diferencën e çmimeve nga lista e ilaçeve të rimbursueshme?

Pacientët i marrin rregullisht ilaçet me rimbursim, por nuk e dinë se çfarë ndodh me ne dhe fondin. Në rastet kur duhet të paguajnë diferencë çmimi ka ndodhur kjo gjë; Është ulur çmimi i medikamenteve të dyshemesë dhe është rritur diferenca për të marrë një medikament të mirë. Përshembull atoris kishte një diferencë 50 lekë nga ajo e para e listës, tani diferenca ka vajtur 100 lekë. Kjo tregon se nëse do të marrësh një medikament më të mirë, sesa ai që jepet falas duhet të paguash më shumë.

Këto janë probleme teknike që duhet të zgjidhen me grupet e interesit, të bien në konsensus për tu ulur në tavolinë dhe për të diskutuar gjërat. Pse duhet të pësojmë humbje unë dhe kolegët, kjo nuk është e drejtë. Si do ndihej dikush nëse do të kishte 80 mijë lekë humbje. Ne qëndrojmë nga 12 orë në ditë dhe nuk kemi kohë të bëjmë asnjë punë tjetër. Nuk është e drejtë që shteti të na dënoje në këtë mënyrë. Ne paguajmë tatime dhe taksa më shumë, sesa fabrikat dhe uzinat që kanë nga 100 punëtorë.

Si janë fitimet që merrni nga shitja e ilaçeve?

Fitimet tona janë kaq qesharake, sa nuk mund ta besosh. Domethënë nga një preparat që kushton nga 100 lekë, unë fitoj 20 lekë dhe kjo është shumë, nëse e kapim. Fitimi ynë ka vajtur 12%, pavarësisht se këta thonë se është 24%, por kaq e kanë vetëm 3-4 barna që janë fare të lira. Barnat që kanë vlerë e kanë fitimin 8-10%. Nga një ilaç që kushton 1500 lekë, unë fitoj 150 lekë.

Sa farmaci janë në qytetin e Korçës?

Në Korçë janë 30 e ca farmaci. Ne, çdo vit jemi kthyer në një “tabelë citje”, por këtë vit është bërë më problem, sepse janë shtuar gjëra të tjera që na dënojnë akoma më shumë. Borxhet tona ndaj depove farmaceutike janë rritur shumë. Nëse vazhdon kjo situatë do ta mbyll farmacinë, pavarësisht faktit që nuk paguaj qira. Por imagjino të tjerët që paguajnë qira dhe kanë të punësuar. Korça nuk është qytet me shumë xhiro, pasi qarkullimi është shumë i ngadaltë. Njerëzit nuk e dinë problemin tonë dhe mendojnë se kemi fitime, por unë nga 10 mijë lekë që kam në sirtar fitoj vetëm 1000 lekë.

Është arritur ndonjë formë zgjidhje me fondin dhe farmacistët për problemet që keni?

Në Korçë kemi një drejtor që është bashkëpunues, por është i detyruar që të zbatojë urdhrat që vijnë nga Tirana. Ky nuk është faji i Korçës, sepse direktivat vijnë nga lart dhe më vjen shumë keq të them, por drejtuesit e fondit të Tiranës ose janë injorantë farmaceutik në kuptimin; që nuk dinë asgjë nga sektori ynë ose kanë ndonjë qëllim negativ për të dënuar farmacistët në mënyrë të padrejtë.

Si ka qenë ndër vite marrëdhënia juaj me Fondin?

Gjithmonë ka pasur kundërshtime për disa nene, por jo deri në këtë nivel. Ajo thotë; “nëse del tepër një ilaç, do ta paguash dyfish”, por duhet ta paguaj njëfish, aq sa e ka vlerën. Duket sikur fondi do vetëm të nxjerrë lekë nga penalitetet dhe dëmtimi që do na bëjnë ne. Kjo nuk është e drejtë.

Fondi ka deklaruar se pranon disa kërkesa të farmacistëve. Në çfarë pikë të kontratës jeni?

Po, Fondi ditën e djeshme kishte rënë dakord që të rishikohen katër pika, por deri më sot që flasim ata nuk kanë dalë me ndonjë vendim konkret, apo amendim të kontratës.

Jeni të kënaqur nëse fondi konkretizon kërkesat e pranuara në diskutim?

“Kur nuk ke pulën, do hash sorrën”, duket sikur me këto katër pika zbutet pak e keqja, jo se ka ndonjë ndryshim shumë të madh. Ne nuk po kërkojmë që të bëhen mrekulli, por gjëra të logjikshme. Unë do t’i shkoj kryeministrit dhe t’ia parashtroj në mënyrë të thjeshtë, sepse nuk është farmacist, por çdo njeri që ka një palë mend në kokë kaq gjë e kupton.

Si është cilësia e ilaçeve të përfshira në listën e rimbursimit?

Preparatet xhenerike (xhenerike quhen imitimet, jo firma por ato që janë analoge) çdo vit e më shumë po futen me çmime më të lira dhe kjo na bën të dyshojmë, që janë preparate me efektshmëri jo të lartë. Ka ndodhur një fenomen këtë vit, që preparatet e mira fare i kanë hequr nga kodet e listës. Pra, edhe sikur të duash t’i marrësh me diferencë lekësh, nuk i merr dot, sepse duhet të blesh me lekë në dorë sepse nuk kanë kod rimbursimi. Jo të gjithë njerëzit mund t’i përballojnë diferencat. Pra, preparati xhenerik që futet nga Qendra e Kontrollit të Barnave duhet të jetë i certifikuar me të njëjtin efekt si preparati brand name, ndryshe nuk duhet të pranohet. Unë nuk e di nëse laboratori i kontrollit e ka bërë këtë punë me barnat e reja.

Elda, si është cilësia e ilaçeve zëvendësuese që kanë hyrë në listë, sa e përfaqësojnë në vlerë atë që klienti mund të ketë përdorur prej vitesh?

Problemi është më shumë psikologjik, sepse ai mësohet që të pijë një lloj ilaçi që nuk është më në listë, prandaj thotë, se “nuk do më japë më efekt, sepse jam mësuar me ilaçin tjetër”. Nuk është i pakët efekti psikologjik që shkakton ndërrimi i mjekimit.

Sa kohë do prisni për një vendim konkret nga fondi?

Deri me datë 18 Maj është afati i fundit, por shpresojmë që të dalë me një vendim. Besoj se flasim për institucione dhe duhet të kenë seriozitet të plotë, por nuk e di se çfarë do bëhet sepse në Shqipëri ndodhin shumë çudira.

Nëse nuk zbatohet kontrata do vazhdojmë me protesta

Grupet e farmacive kanë krijuar qëndrime të ndryshme për vlerësimin e kontratës, për të cilën nuk do të presin gjatë për një vendim konkret nga ana e fondit. Ndërsa një pjesë e kanë firmosur nën presion dhe është e papranueshme, shprehet Elda.

Nëse Fondi nuk zbaton pikat që kërkoni, cili do jetë qëndrimi juaj?

Këtë nuk e kemi parashikuar, por ka një grup që thonë, se “do firmosim, pasi kanë besim të plotë që këto do realizohen, ndërsa një grup tjetër thonë të mos firmosim, por të presim vendimin e fondit dhe nëse nuk na plotëson, do vazhdojmë forma të ndryshme protestimi”. Mendoj se duhet të mblidhet Këshilli Kombëtar dhe të vendos masat që do merren, por duke marrë edhe vendimin e farmacistëve. Një pjesë kanë firmosur nga presioni që është ushtruar nga fondi dhe nuk besoj se e kanë lexuar kontratën nen për nen, e cila ka 20 faqe dhe është e papranueshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet