Elbasani merr “në dorë” dosjen e goditjes së makinës së policisë nga “Audi” i blinduar

Publikuar më 07. 12. 2017 nga Xhentila Gjoshi

Dosja e ngjarjes së 18 shtatorit në Elbasan ku makina e nëndrejtorit të policisë së këtij qarku u godit nga një mjet i blinduar, tashmë ka marrë një tjetër drejtim. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka shpallur moskompetencë për hetimin ndaj katër personave, të cilët u arrestuan si autorë të dyshuar.
Pas gati tre muajsh hetime, për Enea Bekteshin, i cili pranoi se ishte ai në drejtimin e mjetit, Kelmend Xhaferrin, Valmir Dedjan dhe Ledio Zabelin nuk u gjeten prova për akuzat e vrasjes së mbetur në tentativë, ndaj punonjësit të policisë. Ata do të hetohen nga Prokuroria e Elbasanit, për akuzat e kundërshtimit të forcave të policisë dhe largim nga vendi i aksidentit. Pavarësisht se fillimisht u dyshua se sulmi ndaj policisë ishte i organizuar, nuk u gjet asnjë provë deri tani.
Në 18 Shtator, në hyrje të tregut agro-ushqimor, ku ishte vendosur një postbllok policie, një mjet i blinduar hyri me forcë brenda duke mos iu bindur urdhrit të policisë. Por reagimi i punonjësve të policisë ishte mjaft i dobët, pasi nuk bënë arrestimin në flagrancë të personave që ndodheshin në Audin e blinduar. Një muaj pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë shkriu policinë e Elbasanit, duke liruar dhe shkarkuar nga detyra 10 punonjës policie. U lirua nga detyra drejtori i policisë së qarkut Arben Dashi, ndërsa zëvendësi i tij Gjergj Oshafi, makina e të cilit u godit u shkarkuar nga detyra.