Ekzekutimi i Devi Kasmit, ish-polici grek i akuzuar për vrasjen, 4 orë në pyetje: Unë…

Prokurorët e Krimeve të Rënda kanë marrë në pyetje dy ditë më parë për më shumë se katër orë, ish-policin grek, Efthymios Efthymious. Ky i fundit mbahet në mjediset e burgut të Bradasheshit në Elbasan, nën akuzë për vrasjen e shtetasit Devi Kasmi.

“Panorama” shkruan se sipas Prokurorisë, ka dyshime se shtetasi grek është vrasës me pagesë dhe ka ekzekutuar Devi Kasmin me porosi të Aurel Hoxhallarit, që është ende në kërkim. Ai është ndihmuar, sipas Prokurorisë, nga Elton Hoxhallari, Elton Halipaj dhe Malvin Dinellari. Mirëpo, gjatë marrjes në pyetje, shtetasi grek ka mohuar që të ketë qenë ai përfshirë në vrasje. Ai ka thënë para hetuesve shqiptarë se në Shqipëri kishte ardhur për pushime dhe se nuk ka lidhje me Devi Kasmin. Marrja në pyetje e tij është bërë në prezencë të avokatit të tij, Saimir Vishaj. Sipas dosjes hetimore, ka qenë një furgon i bardhë, i cili ka marrë vrasësin pas atentatit, ai që i ka çuar hetuesit te greku Efthymios Efthymious dhe tre të arrestuarit e tjerë, Elton Hoxhallari, Elton Halipaj dhe Malvin Dinellari.

Nga dëshmitë rezulton se ekzekutori ka qenë një person i vetëm në momentin kur u qëllua Kasmi dhe është larguar me motor. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar atentatorin me motor, që merret nga disa persona disa metra më larg përmes një furgoni tip “Benz”, ngjyrë e bardhë. Kamerat kanë fiksuar edhe targën e furgonit. Prokurorët kanë mundur të identifikojnë më pas edhe pronarin e tij, që është një shtetas nga Fushë-Kruja. Ky i fundit është marrë në pyetje dhe ka deklaruar se e ka shitur furgonin për 4200. Ai ka treguar se shitja është bërë te një notere më 17 janar dhe personat që e kanë kontaktuar kanë qenë Elton Halipaj dhe Malvin Dinellari.

Kjo ka qenë përcaktuese për hetuesit, për të zbuluar grupin dhe shtëpinë e Aurel Hoxhallarit, i cili dyshohet si organizator i atentatit, por që është ende në kërkim. Shtetasi nga Fushë-Kruja, që ka shitur furgonin tek organizatorët e atentatit, ka thënë në Prokurori se ai është takuar me dy persona rreth moshës 25 vjeç në afërsi të sheshit “Shqiponja” në Tiranë. Sipas tij, blerësi komunikonte me dikë tjetër në telefon për çmimin dhe në fund ranë dakord për ta kryer blerjen e furgonit kundrejt 4200 eurove. Nga dëshmia e pronarit të furgonit, rezulton se personi që ai ka takuar ka qenë Elton Halipaj, ndërsa paratë janë dhënë nga Malvin Dinellari. Këta të fundit kanë thënë në Prokurori se punonin për Aurel Hoxhallarin dhe furgonin e kishin blerë për llogari të tij. Policia më pas ka mbajtur në vëzhgim të dyshuarit për pak ditë, derisa i arrestoi. Gjatë dëshmive në Prokurori, të arrestuarit kanë thënë se shtetasi grek Efthymios Efthymious kishte vetëm një muaj që kishte ardhur në Shqipëri dhe ishte mik i Aurel Hoxhallarit. Ai është arrestuar gjatë aksionit policor, teksa tentonte të largohej nga banesa.

PANORAMA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Enklava apo komuna?

Emilie Fort Pothuajse një vit më parë, kur shkëmbeva disa email-e, me një profesoreshë në Beograd, unë theksova përdorimin e…

Abissnet