Ekspozitë arti e skulptorit të njohur vlonjat, Zeqir Alizoti

“Vlerat e qytetit tim”, ekspozita e artit e skulptorit të njohur vlonjat, Zeqir Alizoti. “Artisti që gjithmonë dhuron me bujari dhe ndjenjë të hollë, perceptimet e tij plot ngrohtësi emocionale”. I vlerësuar si “Piktor i Popullit”

Theodhori Proko

Asgjë tjetër nuk do tingëllonte më bukur, se sa fjalët me të cilat skulptori i njohur vlonjatë, Zeqir Alizoti, ka titulluar ekspozitën e vet të artit, që u hap këto ditë në hollin e teatrit “Petro Marko” të qytetit, në prani të artdashësve të shumtë, miqve, kolegëve, personaliteteve të artit e kulturës si regjisori i mirënjohur Dhimitër Anagnosti, aktorja shumë e dashur për publikun Roza Anagnosti, artisti i penelit, Skënder Kamberi, Nestor Jonuzi, Rakip Shabani, botuesit Fatmir e Irena Toçi, prefekti i Vlorës, zoti Flamur Mamaj e tjerë. Portreteve të ekspozuara në bronx e allçi u bëjnë hijeshi edhe tetëmbëdhjetë peizazhe të punuara në vaj, kryesisht nga natyra e bukur e qytetit bregdetar, atje ku autori është lindur, rritur e frymëzuar, ku spikatin “Shpella e HaxhiAlisë”, “Manastiri i Zvërnecit”, “Vlora buzëmbrëmjes”, ‘Karaburun”, Dy gurët- Uji i Ftohtë”, “Pishat shekullore – Llogara”, e tjera.

“Piktori i Popullit”

Duke i ftuar pjesëmarrësit të shijojnë me syrin e vet bukurinë e artit, të mjeshtrit Alizoti, “Piktori i Popullit” Nestor Jonuzi theksoi se “ky artist gjithmonë na dhuron me bujari dhe ndjenjë të hollë, perceptimet e tij plot ngrohtësi emocionale”.Ndërsa një tjetër mjeshtër i arteve figurative, “Piktori i Popullit”, Skënder Kamberi,vlerësimet e tij thotë se, “Alizoti është njeriu që me shpirtin e tij artistik, më së shumti ka krijuar vepra që kanë për ikonë figurën e njeriut”.Vërtetësinë e këtyre fjalëve e kupton sapo kalon “pragun” e ekspozitës dhe para syve të shfaqet një galeri me portrete të derdhura në bronx dhe punime në allçi të bijëve të Vlorës, që për vlerat, arritjet dhe kontributin e tyre në shërbim të shoqërisë, i kanë kaluar “kufijtë” e qytetit dhe kanë zënë vend në panteonin e nderit të artit, kulturës dhe shkencës kombëtare. Syri i vizitorit “përkëdhel” me admirim portretin e bronztë të “Sulo Kapedanit” e na sjellë në kujtesë aktorin e paharruar Albert Verria, i cili edhe pse luajti me dhjetra role në karrierën e tij të gjatë artistike, në memorien e publikut mbeti i identifikuar me “Xha Sulon”. Pak më tej, Liza Laska, nëna labe e roleve të paharruara, duket sikur  “dialogon” me batutat e saj me vizitorët që qëndrojnë gjatë para portretit, ç’mallen me aktoren e dashur. Dhe po të kthesh sytë nga portreti i Dhimitër Anagnostit, regjisorit të talentuar të sa e sa filmave, të duket sikur përjeton një “skenë” nga sheshet e xhirimit, ku ata së bashku ishin protagonistët e sukseseve kinematografike, që kanë lënë mbresa e kanë mbetur të pashlyera në kujtesën kolektive të artdashësve. Ashtu siç kanë mbeture dhe “Piktori i Popullit”,  mjeshtri i ngjyrës, Skënder Kamberi, gjuhëtari i shquar, akademiku dhe profesori i dashur i sa e sa brezave studentësh, Shaban Demiraj, “Heminguej shqiptar”, shkrimtari rebel Petro Marko, mjeku stomatolog që u ka shërbyer një jetë të gjithë me përkushtim qytetarë vlonjatë, Llukë Gjidede. Të gjithë së bashku, përbëjnë një pjesë të krenarisë qytetare vlonjate.

Skulptori

Gjithkush nga vizitorët falënderon skulptorin e talentuar Zeqir Alizoti, që disa prej të cilëve, fatkeqësisht, larguar nga kjo jetë na i ka sjellë të “gjallë” para syve, duke i përjetësuar mjeshtërisht, në bronx. Nuk ka si të ndodh ndryshe me një artist si Alizoti, i cili edhe pse ka nisur “vrapimin” në kilometrin e shtatëdhjetë të rrugëtimit jetësor, pasionin për skulpturën, “dashurinë e tij të parë”e ka ruajtur brenda shpirtit të vet po aq të zjarrtë sa në vitet e rinisë së hershme, kur për herë të parë u ul në bankat e liceut artistik “Jordan Misja”. Studimet e larta i përfundoi në Akademinë e Arteve në vitin 1974 dhe prej asaj kohe ka zhvilluar një veprimtari të gjerë krijuese, duke marrë pjesë në shumë ekspozita lokale dhe kombëtare të arteve, por edhe në veprimtari ndërkombëtare. Në vitin 1998, është pjesëmarrës në bienalen“Petra Leccese”, në Itali. Një vit më vonë, hap ekspozitën personale në Francë, që u përcoll me vlerësime të shumta pozitive nga publiku dhe shtypi vendas. Ndërsa në vitin 2016, ekspozita vetjake e hapur në Janinë, ishte një sukses jo vetëm personal, por edhe i promovimit, njohjes dhe shpalosjes së bukurisë të artit shqiptar nëpër botë.

“Vlerat e qytetit tim”

Veçanërisht, qytetin e tij të lindjes, Vlorën, e ka shumë përzemër, ndaj dhe aty ai ka vendosur një pjesë të rëndësishme të krijimtarisë së tij, si shtatoren e “Marigo Posios, monumentin e Zenel Gjolekës, grupin skulpturor “Borë bardha dhe shtatë xhuxhat”, vendosur në kompleksin turistik, Llogara, memoriali i mikpritjes, në Fushë-Dukat, e mbi të gjitha monumentin e Ismail Qemalit, i ngritur në bronx në sheshin e qytetit pranë muzeut të pavarësisë, me rastin e një qind vjetorit të saj. Ndaj nuk është diçka e rastit që ai e ka titulluar ekspozitën e vet të radhës “Vlerat e qytetit tim”. Ato janë motiv i nga i cili skulptori frymëzohet në krijimtarinë e vet. Figurat e vlerësuara janë aq shumë, sa vështirësia e vetme e autorit është përzgjedhja e tyre.

Nis zbrazja e Teatrit Kombëtar, artistët nuk dorëzohen

Punëtorë të Teatrit Kombëtar gjatë ditës së djeshme kanë nisur zbrazjen e Teatrit Kombëtar. Rekuizita që ka qenë në këtë godinë është hequr nga ky institucion. Ndonëse nga Ministria e Kulturës nuk e ka asnjë konfirmim zyrtar për këtë urdhër, pas këtij veprimi, aktorët që janë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, qysh në krye të herës, si Neritan Liçaj, Robert Budina, Adriana Tolka, Kastriot Çipi etj., u mblodhën sërish në agorën e teatrit. Aktorja Adriana Tolka teksa e quan situatën alarmante, shton se do ta mbrojnë teatrin kombëtar, edhe me trupat e tyre Adriana Tolka: “Kemi një situatë alarmi, e disata kjo, që lidhet me boshatisjen e TK nga rekuizita. Kemi të dhanë që e gjithë rekuizita është grumbulluar në hollin e TK. Flitet për një boshatisje përfundimtare. Pse jo ne mund të dyshojmë që mund të ndodhin edhe ‘aksidente’, mund të bjerë ndonjë shkëndijë zjarri apo të shembet papritur natën, me justifikimin se ka qenë e amortizuar. Është kronikë e një vdekje të paralajmëruar. Hapat ne i kemi deklaruar, tashmë nëse ata do të vijnë më fadroma të shembin ndërtesën, ne do të jemi aty të gjithë, shpresoj që të kemi solidarizimin e sa më shumë njerëzve, sepse do të jemi me trupat tanë rreth Teatrit Kombëtar edhe Teatrit Eksperimental”. Pas situatës së krijuar Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar vendosi që së bashku me artistët të qëndronin në oborrin e Teatrit Kombëtar deri në orët e para të mëngjesit. Ata janë shprehur se: “Nëse shembet Teatri Kombëtar, do të plasë Aorta e Kombit. Vdekja do të jetë e shpejtë, por e dhimbshme. Zgjohu, zgjohu, zgjohu!”, shkruan aktivistja Elona Caslli. Ndërsa, regjisori Kastriot Çipi u ka bërë thirrje bizneseve që të mundësojnë monitorimin e kësaj godine për 24 orë, pasi edhe sipas tij, Teatri Kombëtar mund të preket nga ndonjë zjarr rastësor apo incident tjetër.

“Streha mes reve” në kinematë gjermane 

Filmi “Streha mes reve” pas pjesëmarrjes në “Munich Film Fest” do të shfaqet nga 20 shtatori në 40 kinema në të gjithë Gjermaninë. Produksioni bën me dije se së shpejti do të kemi kalendarin e shfaqjeve të filmit në qytetet dhe sallat përkatëse. “Kultura mjeti më i mirë për ti zbardhur faqen vendit”, shkruhet për filmin. Filmi “Streha me mes reve” me skenar dhe regji nga Robert Budina pak kohë më parë u shpall edhe filmi më i mirë në “Valletta Film Festival” në Maltë. Vlerësimi për filmin ishte me motivin: “Streha mes reve” për qasjen delikate të një subjekti të ndjeshëm për kohët që jetojmë, bashkekzistencën paqësore mes katolicizmit dhe islamit, në sfondin kinematografik të maleve shqiptare”. Filmi “Streha mes reve” muaj më parë u shfaq premierë botërore në një festival të kategorisë A në Estoni. Në film interpretojnë aktorë të njohur nga Shqipëria dhe Kosova, emra që janë të vlerësuar dhe në botë me kinemanë. Në role interpretojnë aktorët si Arben Bajraktaraj, Esela Pysqyli, Bruno Shllaku, Irena Cahani, Osman Ahmeti, Muzbajdin Qamili, Virus Shala, etj. “Streha mes reve” financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë Shqipëri është në bashkëprodhim me Digital Cube Rumani. Filmi rrëfen, historinë e Besnikut një bariu, besimtar i devotshëm mysliman, i cili zbulon që xhamia e vjetër e fshatit të vogël ku ai jeton, në Veri të Shqipërisë mes Alpesh, ka qenë dikur kishë. Ky zbulim hap debate të zjarrta në komunitetet e ndryshme fetare që jetojnë aty. Besniku është pjesë e një familjeje anëtarët e së cilës kanë besime të ndryshme dhe bashkëjetojnë në paqe me njëri tjetrin, deri ditën që Fadili babai ish komunist i familjes vdes, dhe atyre u duhet të ndajnë shtëpinë e vjetër në fshat mes tyre. Këtë vendim e bën të vështirë, amaneti që babai ish komunist ka lënë. Në të ri të tij, Besniku ra në dashuri me një vajzë nga një familje e persekutuar dhe Fadili duke qenë komunist i thekur nuk e lejoi të birin të realizonte ëndrrën e tij. Kjo i shkaktoi Besnikut një traumë që koha nuk e shëroi. Fadili e vuajti gjithë jetën kompleksin për traumën që i shkaktoi të birit, të cilën u përpoq ta shlyente me amanetin që la në fund të jetës. Amaneti i babait, do t’ia vështirësojë Besnikut përpjekjen për të mbajtur së bashku familjen dhe komunitetet me besime të ndryshme fetare në fshat, dhe do ta bëjë të marrë një vendim të rëndësishëm për jetën e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet