Ekspozita/ Gratë dhe vajzat e famshme në 30 fotografi (FOTO)

Publikuar më 13. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Fotografi Roland Tasho prezanton mendjet dhe fytyrat më të bukura të femrave brenda dhe jashtë vendit, në vitet 1982-2010

Inxhiniere, biznesmene, mjeke, profesoresha, artiste dhe gazetare vendosën që pas viteve ’90 të largohen nga Shqipëria. Ëndrrat edhe dëshirat e tyre do t’i realizonin tashmë në qytetet e Amerikës, Francës, Zvicrës etj., në vende ku integriteti i njeriut është a-ja e gjithçkaje, pavarësisht se kush je dhe nga vjen. Janë të shumta historitë e grave dhe vajzave shqiptare, të cilat fotografi Roland Tasho i risjell në një ekspozitë, që çel sonte në hapësirat e “A la sante”. Në fokusin e aparatit të tij këto personazhe kanë qenë qysh para viteve 1990, atëherë kur kushdo, që i shihte në rrugët e Tiranës i vlerësonte për zgjuarsinë, edukatën, sharmin dhe elegancën e tyre.

 

Në qendër të objektivit të Tashos kanë qenë vajza dhe gra të dalluara në fusha të ndryshme, si në mjekësi, në arsim, në shkencë, në art, shumë studente nëpër universitete ndërkombëtarë etj. Për gazetën “Shekulli” fotografi rrëfen se personazhet e tij vazhdojnë, që të jenë shembuj në karrierë edhe atje ku jetojnë aktualisht. Roland, përse vendosët të riktheheni sërish në një ekspozitë për temën “Gratë dhe vajza të famshme”?

 

Rikthehem sërish me këtë temë, sepse është pëlqyer shumë. Publiku ma ka kërkuar herë pas here dhe duke punuar me shqiptarët nëpër botë, kësaj here bëra sërish një cikël me shqiptarët në Zvicër.

Atje u takova me Besa Myftiun, por edhe me shqiptarë të tjerë, me të cilët pasi biseduam, menduam që kësaj here ekspozitën ta hapim në ambientet e “A la sante”.

 

Sa fotografi keni përzgjedhur për të ekspozuar?

Kësaj here kam menduar të ekspozoj vetëm 30 fotografi. Vajzat e ikura janë më shumë, por kam veçuar emra, që janë kthyer në motiv interesant, artistik dhe motivues për shumë njerëz. Ndërsa, kjo ekspozitë për mua është interesante, sepse asokohe kam qenë i ri dhe kam ndierë çdo ikje të këtyre vajzave. Ikjet e tyre ndiheshin në Tiranën e atyre viteve. Por është interesant fakti, që të gjitha këto vajza, të cilat ishin të zgjuara, të përgatitura dhe në një punë të mitë, vazhdojnë të jenë të pozicionuara në karrierë sikundër kanë qenë në Shqipëri.

Cilat do të veçoje nga këto vajza, të cilat i keni fotografuar para viteve ’90 dhe pas viteve 2010.

Unë i kam fotografuar jo thjesht miqësisht, por në kuadër të profesionit. Para viteve ’90 punoja te revista “Ylli”. Atje më kërkonin të fotografoja vajza të talentuara, të suksesshme në mësime dhe në punë. Pas vitit 1990 shumë prej tyre u larguan jashtë vendit dhe kur i rigjeta pashë se ishin në të njëjtin pozicion punë, si në Tiranë. Prej tyre mund të veçoj; Annisa Markaianin, Besa Myftiun, Eda Derhemin, Linda Ciun, Elvira Dones, Blera Maliqin etj. Janë më shumë se 100 emra të njohur.

A mund ta na tregoni ndonjë episod që ju kujtohet nga takimet, që keni pasur me to?

Unë, duke futur edhe njohjen time me këto vajza, asnjëherë nuk jam mjaftuar thjesht me një shkrepje fotografie, prandaj përherë kanë qenë kontakte dhe më të afërta, si një drekë, një kafe apo një çaj. Të gjitha këto e kanë bërë profesionin tim, si fotograf, të këndshëm. Njeriu në jetë ka dëshirë që të takojë njerëz të ndryshëm dhe këtë profesioni i fotografit ta lejon.

Për shembull, për shkrimtaren Besa Myftiun e kam njohur që në gjimnaz. Njerëzit e njohin Besën, por ajo çfarë më ka mbetur mua në mendje është mënyra se si ka marrë shtëpi në Zvicër. Më ka treguar se kur ka plotësuar formularët për zyrën e strehimit, ka shkruar si një shkrimtare, jo në mënyrë standarde. Kjo gjë e ka ndihmuar që shtëpia e saj të ketë një pamje shumë të këndshme dhe një ballkon shumë të madh në qendër të Gjenevës.

Por edhe takimet me Anisa Markaian janë përherë të këndshme. Kam mësuar për të përveçse atyre që dinë të gjithë, që është aktore dhe mjeke, se pikturon shumë bukur. Kur kam qenë në shtëpinë e Vaçe Zelës në Bazel të Zvicrës, në qendër të dhomës artistja mbante në qendër të dhomës një portret të vetin, të cilin ia kishte bërë Anisa Markaian.

Gjithashtu, Brikena Çabej ka qenë një nga vajzat më të veçanta të rinisë sonë. Ka qenë simbol i rinisë moderne në vitet ’80-të. Ne kur e shihnim mrekulloheshim. Çdo gjë që shihnim nëpër filma ia “vishnim” dhe Brikenës, si një gotë konjak, një cigare, që sot janë gjëra normale. Kur e takoj në Francë ia them këto dhe ajo qesh. Edhe sot vazhdon të jetë shumë e këndshme dhe sharmante.

Po ashtu Eda Derhemi është pedagoge. Me të kam ndarë shumë gjëra dhe ajo ka mbetur po ajo, si në Tiranë, por edhe në Çikago, ku jepte mësim. Gjithë kohës ka qenë e rrethuar nga studentët. Viola Trebicka ka përfunduar studimet për jurisprudencë jashtë vendit. Kur shkova për ta fotografuar në zyrën e saj në Nju Jork të bënte përshtypje madhështia e ambienteve, që prezenca e Violës së bukur i jepte studios në qendër të Nju Jorkut një tjetër dimension. Ajo ndihej shumë mirë, por dhe unë po jam ndierë krenar, që një shqiptare ka arritur kaq lartë.

Projekte

Javës tjetër do të shkoj në Çeki për të fotografuar shqiptarët që janë atje, por edhe për të gjetur kontaktet e tyre. Udhëtimet e mia jashtë vendit kryesisht për përmirësimin e imazhit, por dhe dokumentimit të shqiptarëve në botë, e kanë marrë në dorë të huajt, si çdo gjë. Kam mësuar për krijimin e Ministrisë së Diasporës, por ne jemi ende mbrapa. Të huajt i kanë financuar këto projekte pa hezitim, si në Amerikë, Greqi, Itali, Zvicër, në Francë edhe tani në Çeki.

Gjithashtu kam në duar një ekspozitë për shkrimtarët, por ende nuk është promovuar. Janë shkrimtarët tanë, që firmosin në një karrige. Ismail Kadare sa herë që vjen më pyet: “Hë, çfarë u bë me librin”. Por, unë e mbaj si dashnore të fshehur dhe pse libri ka dalë me cilësi të jashtëzakonshme falë dashamirësisë së Gjergj Ethemelit në Francë.

Bio

Roland Tasho është lindur në Tiranë. Në origjinë është pinjoll tregtarësh nga Erseka, por familja e tij u zhvendos në kryeqytet. Nis si fotograf komunal. Punon katër vjet në Revistën “Ylli” e më pas në Muzeun “Enver Hoxha”. Vitet pas nëntëdhjetës e gjejnë fotoreporter në Aleanca Demokratike e më pas fotograf i lirë. Përpos Urdhrit të punës “Naim Frashëri” marrë më 1988, Tasho është fitues i shumë çmimeve, nga Ministria e Kulturës, në konkursin “Marubi”. Më 1997 fitoi një bursë gjashtëmujore për në Paris.

Ka botuar disa albume, ndër të cilët mjaft i vlerësuar është “Qëndresa në sytë e Kosovës”, sërish mbi emigrimin, kësaj radhe të popullit kosovar drejt Shqipërisë më 1999. Willy Ronis, Henri Cartier Bresson ndër të huajt, dhe Gjon Milli, ndër emrat shqiptarë, janë fotografët që Roland Tasho vështron dhe gjen veten. Është koleksionues i fotove të vjetra nga Tirana e Korça po edhe i gjurmëve që kanë lënë shqiptarët e mëdhenj patriotë prej Jugut të Shqipërisë, Faik Konica, Themistokli Gërmenji, Parashqevi Qiriazi etj.